Listës Serbe i vështirësohet situata, LVV zyrtarisht kundër certifikimit të LS-së për zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Listës Serbe i vështirësohet situata, LVV zyrtarisht kundër certifikimit të LS-së për zgjedhje

Aktuale April 23, 2019 - 12:07
Lexo Detajet
Image

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku në rend dite ishte shqyrtimi i rekomandimeve për certifikimin e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveqan dhe Leposaviq, raporton zeri.info.

Mirëpo, nuk është arritur të bëhet certifikimi i të gjitha partive politike, pasi që kundër certifikimit të Listës Serbe është deklaruar Lëvizja Vetëvendosje. Përfaqësues të këtij subjekti kanë kërkuar që të ofrohen dëshmi shtesë nga Lista Serbe se kandidatët e këtij subjekti njohin dhe respektojnë rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Gjithashtu, anëtarët e KQZ-së nga LVV kanë kërkuar nga LS që të mos i bindet politikave të Beogradit.

Gjersa ka paraqitur rekomandimet për certifikimin e partive gjatë mbledhjes, Valmira Selmani, ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim (ZRPPC) ka thënë se të tri subjektet (PDK, LVV, Lista Serbe) i kanë plotësuar kriteret për certifikim.

Mirëpo, menjëherë pas kësaj ka reaguar anëtari i LVV-së, Adnan Rrustemi, i cili ka thënë se kandidatët e LS-së nuk janë juridikisht të vlefshëm, duke pasur parasysh faktin që tre prej tyre janë ish-kryetarë të komunave përkatëse që kanë dhënë dorëheqje duke iu referuar Kosovës si “Kosova e Metohija”.

Image

“Në rastin konkret ne kemi parë që nga mesi i katër kandidatëve të LS-së tre prej tyre janë ish-kryetarët që kishin dhënë dorëheqje. Duhet ta evidentojmë që kandiadatët në fjalë me dorëheqjet që kanë dhënë, në formën se si kanë dhënë dhe me përmbajtjen, bien në kundërshtim me kushtetutshmërinë në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk mendoj se janë kandidatë juridikisht të vlefshëm për të kandiduar”, ka deklaruar ai.

LS, siç Rrustemi është shprehur, duhet të ofrojë dëshmi shtesë që distancohet nga mënyra e dhënies së dorëheqjeve në fjalë.

“Në formën se si kanë dhënë dorëheqje ata i referohen Kosovës si ‘Kosova e Metohija’”, ka potencuar ai, raporton zeri.info.

Gjithashtu, Rrustemi ka thënë se LS duhet të distancohet edhe nga ndikimi i drejtpërdrejtë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po ushtron mbi këtë subjekt.

Rrjedhimisht, sipas tij, rikandidimi i tre të dorëhequrve do të duhej të ishte i papranueshëm. Ndaj, Rrustemi ka thënë se çështja e kandidatëve serbë duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Unë mendoj që kjo çështje duhet të shkojë edhe në gjykatë. Gjykata Kushtetuese duhet ta thotë fjalën e saj se a kanë të drejtë kandidatët që i janë referuar Kosovës me ‘Kosova e Metohija’ të kandidojnë për zgjedhje”, ka potencuar ai.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Rrustemi ka thënë se LVV nuk do ta mbështesë certifikimin e LS-së.

Për t’u certifikuar një parti politike nevojiten 2/3 e votave, respektivisht 8 sosh nga 9 sa janë gjithsej aktualisht. Rrjedhimisht, pa dy votat e LVV-së certifikimi i Listës Serbe është i pamundur të ndodhë, pasi që presdienti Hashim Thaçi ende nuk i ka emëruar të gjithë anëtarët e KQZ-së.

Ndërkaq, anëtari i Listës Serbe në KQZ, Stevan Veselinoviq, ka thënë se nuk është problem përzgjedhja e kandidatëve të LS-së, nëse ky subjekt ka vendosur ashtu.

“Nëse Lista Serbe i ka propozuar, pasi çdokush e ka këtë të drejtë, unë nuk e shoh këtë problem. Mendoj që këtu nuk ka vend për politikë”, është shprehur ai.

Kurse, Florian Dushi nga LDK ka thënë se Zyra nuk do ta kishte rekomanduar për certifikim LS-në, nëse ajo nuk do t’i kishte respektuar rregullat.

Pas këtyre Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u bëri thirrje anëtarëve të partive politike që të frenohen nga vlerësimet politike dhe të jenë anëtarë të pavarur.

Image

Tutje anëtarët e KQZ shkuan në pauzë për t’u konsultuar dhe për të marrë një vendim se si të veprohet me LS-në. Ndonëse ata kërkuan 10 minuta, konsultimi iu zgjati rreth një orë, ndërkohë tek pas një orë mediat u njoftuan se vazhdimi i mbledhjes së KQZ-së shtyhet për një afat të pacaktuar./Zeri