Hamiti për të kthyerit nga Siria: Është dashur të merren masa urgjente mëherët

Hamiti për të kthyerit nga Siria: Është dashur të merren masa urgjente mëherët

Aktuale April 22, 2019 - 12:15

Teologu Xhabir Hamiti ka thënë për gazetën "Zëri" se duhet shumë angazhim dhe kohë e gjatë që personat që janë kthyer nga Siria të rikthehen në një gjendje normale.

Sipas tij, për dallim nga fëmijët e moshës së njomë, integrimi i të rriturve nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Qëndrimi në mesin e grupeve ultra ortodokse fetare për disa vite me radhë, ka rezultuar me një tru-shpëlarje të skajshme të tyre, prandaj rikthimi në të menduar normal racional nga një bindje e diktuar dhe verbët fetare, kërkon shumë angazhim dhe kohë të gjatë, një proces ky i cili në fund edhe mund të mos rezultojë me sukses për të gjithë. Përderisa udhëheqja jonë fetare në raport me kultivimin e besimit fetar në vendin tonë nuk është vetja, por pasuese e librave , ideologëve dhe ideologjive të jashtme, atëherë mendimi ekstrem fetar i importuar dhe i sponzoruar, si për ne ashtu edhe për të tjerët, mund të rritet dhe të shndërrohet në rrezik të pakontestueshëm”, ka thënë ai.

Sipas tij, të gjithë prijësit fetar të cilët marrin paga të rregullta nga Arabia Saudite dhe vendet tjera të Gjirit, apo edhe nga ndonjë vend tjetër i jashtëm, për të promovuar literaturën dhe shkollat e tyre fetare, duhet të ndërpriten dhe të ndalohen edhe me ligj.

Hamiti ka thënë më tej se institucionet e vendit është dashur të marrin masa urgjente para se një pjesë e shoqërisë tonë të ikte në Siri.

“Gratë të cilat janë mashtruar në emër të një kauze të rrejshme, fëmijët të cilët kanë shkuar në moshë të njomë, si dhe ata të cilët kanë lindur atje nëpër vatra të luftës nuk janë të gjitha fajtor, e sidomos fëmijët. Të gjithë ne dikë e kemi fëmijë, motër, vëlla prindër, prandaj, në këtë rast duhet të peshojmë ndenjen e atyre të cilët të afërmit e tyre u kanë rënë pre e mashtrimit mbi një kauzë të rrejshme fetare, dhe atë ndjenjë ta peshojmë me ndjenjën tonë. Kush nga ne nuk do të donte që të shihte fëmiun, nipin mbesën,vëllain apo motrën e tij të shpëtuar nga vuajtjet e ferrit të kësaj bote”, ka theksuar ai.

Sipas tij, edhe djemve dhe burrave, të cilët kanë shprehur dëshirë për t`u kthyer në Kosovë, duke u penduar për pjesëmarrjen dhe të bëmat e tyre në mesin e formacioneve terroriste, duhet dhënë shansin, por duke proceduar me ta sipas normave ligjore në fuqi./Zëri/