Riintegrimi, i vështirë i të kthyerve nga Siria
FOTO: Laura Hasani

Riintegrimi, i vështirë i të kthyerve nga Siria

Aktuale April 22, 2019 - 08:01
Lexoni më shumë detaje
Image

Në mbrëmjen e së premtes së kaluar 110 kosovarë u kthyen nga Siria, mes të cilëve 106 gra e fëmijë dhe katër luftëtarë që dyshohet se u ishin bashkëngjitur grupeve terroriste. Përpos këtyre të fundit që po mbahen në paraburgim, gratë dhe fëmijët u dërguan në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll të Prishtinës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Psikologët vlerësojnë se kosovarët e kthyer nga Siria janë në gjendje të rëndë psikologjike, prandaj kanë nevojë për përkrahje institucionale.

“Këta persona vijnë me një bagazh jashtëzakonisht të rënduar fiziko-emocional, socialo-psikologjik. Ata kanë nevojë për përkrahje psikologjike, sepse potencialisht mund të kenë qenë dëshmitarë të gjërave të tmerrshme që di t’i prodhojë lufta dhe si rezultat i kësaj për të reduktuar nivelin e stresit, të ankthit do të ishte e pëlqyeshme të trajtohen në aspektin psikologjik”, ka thënë për “Zërin” psikologu Besnik Peci.

LEXO EDHE: Listës Serbe i rrezikohet certifikimi për zgjedhje

Duke folur për mundësinë e risocializimit në Kosovë, sipas tij, shoqëria jonë nuk duhet ta thellojë stigmën (turpërimin) ndaj këtyre personave.

“Vetë shoqëria jonë ka predispozita t’i stigmatizojë këta persona, për faktin se i konsideron jo të qëndrueshëm dhe konsideron se mendja e tyre është shpëlarë para se të shkonin atje. Tani ata duhen të shihen si viktimë e sistemit dhe e ideologjisë, e cila është imponuar te ata dhe duhet të shihen si persona të cilët kanë nevojë për mbështetje permanente për t’u riintegruar në shoqërinë kosovare. Mbështetja nuk duhet të vijë vetëm në aspektin material, por duhet të bëhet edhe mbështetja sociale, duke punuar me komunitetin te këto familje”, ka thënë ai.

Sipas tij, institucionet vendore duhet të hartojnë programe specifike me qëllim që të vetëdijesohet komuniteti se këta persona kanë bërë një hap të gabuar dhe se duhet të ndihmohen.

Frika nga paragjykimet

Ndërsa sociologu Genc Xërxa ka thënë për “Zërin” se 110 shtetasit kosovarë të kthyer nga Siria do ta kenë të vështirë të integrohen në shoqërinë tonë. Sipas tij, mënyra se si ata kanë ikur nga Kosova do të krijojë paragjykime te një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë. “Integrimi i tyre institucional edhe social mund të jetë më i vështirë sesa mund të mendojmë. Shkuarja në mënyrë të tillë në Siri domosdoshmërish krijon paragjykime, stereotipa dhe stigmatizim në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë sonë, duke mos e pranuar aspak si të mirë dhe të arsyeshme frymën e tillë ideologjike mbi konceptin dhe racionin e ikjes në Siri. Pra ky formacion social nëse mund ta quaj, mund të shihet nga pjesa dërrmuese e shoqërisë me skepticizëm, pasiguri dhe mosbesim të ndërsjellë të krijuar në raport me vlerat dhe me komunikimin social”, ka thënë ai.

Xërxa ka vlerësuar se përjetimet që këta persona i kanë pasur gjatë kohës sa kanë qëndruar në Siri do të ndikojnë në gjendjen e tyre psikiko-fizike, andaj edhe institucionet në vend duhet të jenë më të kujdesshme dhe të krijojnë kushte që këta persona të kalojnë një jetë normale. “Duhet të përmendim se edhe të jetuarit dhe të qëndruarit në Siri ka koston e vet të mbijetesës dhe të përjetimit të skajshëm johuman që mund të ndikojë direkt ose indirekt në mirëqenien e tyre psiko-fizike, që në vete mund të mbajnë peng një pjesë të një të kaluare që e vështirëson tani kthimin në normalitet. Të gjitha institucionet e mirëqenies sociale duhet të luajnë rolin kyç në integrimin, në krijimin e komunikimit me këtë kategori sociale, si edhe në ruajtjen e psikikës së shëndoshë”, ka thënë ai.

Hamiti: Kujdes me prijësit fetarë!

Teologu Xhabir Hamiti ka thënë për gazetën “Zëri” se duhet shumë angazhim dhe kohë e gjatë që personat të cilët janë kthyer nga Siria të rikthehen në një gjendje normale. Hamiti ka shtuar se institucionet e vendit është dashur të marrin masa urgjente para se një pjesë e shoqërisë tonë të ikte në Siri. “Gratë të cilat janë mashtruar në emër të një kauze të rrejshme, fëmijët të cilët kanë shkuar në moshë të njomë, si dhe ata të cilët kanë lindur atje nëpër vatra të luftës nuk janë të gjithë fajtorë, e sidomos fëmijët. Të gjithë ne dikë e kemi fëmijë, motër, vëlla prindër, prandaj në këtë rast duhet të peshojmë ndjenjën e atyre të cilët të afërmit e tyre u kanë rënë pre e mashtrimit mbi një kauzë të rrejshme fetare dhe atë ndjenjë ta peshojmë me ndjenjën tonë. Kush nga ne nuk do të donte që të shihte fëmijën, nipin, mbesën,vëllain ose motrën e tij të shpëtuar nga vuajtjet e ferrit të kësaj bote?”, ka theksuar ai.

Sipas tij, edhe djemve, edhe burrave, të cilët kanë shprehur dëshirë për t’u kthyer në Kosovë, duke u penduar për pjesëmarrjen dhe për të bëmat e tyre në mesin e formacioneve terroriste, duhet dhënë shansin, por duke proceduar me ta sipas normave ligjore në fuqi. Sipas tij, për dallim nga fëmijët e moshës së njomë, integrimi i të rriturve nuk do të jetë aspak i lehtë. Ai ka shtuar se të gjithë prijësit fetarë, të cilët marrin paga të rregullta nga Arabia Saudite dhe nga vendet tjera të Gjirit, ose edhe nga ndonjë vend tjetër i jashtëm, për të promovuar literaturën dhe shkollat e tyre fetare duhet të ndërpriten dhe të ndalohen edhe me ligj.

Shala: Të mos paragjykohen nga shoqëria

Edhe drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, mendon se të gjithë ata të cilët janë kthyer nga Siria do të paragjykohen nga shoqëria. Ai ka thënë për “Zërin” se nuk pret që këta persona të integrohen siç duhet në shoqëri. “Nuk e besoj se shoqëria kosovare ka kapacitet profesional që ata persona t’i integrojnë siç duhet. Edhe shoqëria ka paragjykime ndaj tyre. Fëmijët nuk paraqesin asnjë rrezik, prindërit është diçka tjetër. Prokuroria Speciale ka marrë veprime ligjore ndaj atyre që kanë qenë të implikuar në luftë ose në vepra kriminale. Ndëshkimi, izolimi e përkujtimi se çfarë u ka ndodhur këtyre personave në të kaluarën vetëm sa do të ndikojë te ta që të mos integrohen. Ata persona kanë jetuar në një botë krejtësisht tjetër, ne rrethana tjera dhe besoj se pjesa dërrmuese e tyre ka trauma”, ka thënë ai.

Shala ka thënë më tej se fëmijët që kanë qenë në Siri e tashmë janë kthyer në Kosovë janë të pafajshëm dhe se nuk duhet të bartin përgjegjësinë e prindërve të tyre. “Ata persona vijnë me një dëm të madh, fëmijët nuk kanë faj, sepse ata ose kanë lindur atje, ose kanë shkuar atje pas prindërve të tyre dhe kanë rënë viktimë. Ata nuk mund ta bartin përgjegjësinë e prindërve ose për bindjet e tyre për të cilat kanë luftuar. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të bien viktima. Integrimi është një proces shumë i gjatë, i cili ka shumë probleme dhe është një gjë që duhet të kemi shumë kujdes”, ka theksuar ai./ZERI/