Hantke: Nga dialogu nevojitet një marrëveshje e zbatueshme – jo një marrëveshje kot

Hantke: Nga dialogu nevojitet një marrëveshje e zbatueshme – jo një marrëveshje kot

Aktuale prill 18, 2019 - 18:57
Lajmet e fundit nga vendi dhe bota!

Frank Hantke, drejtor i fondacionit Friedrich Ebert Stiftung në Kosovë, ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka ecur përpara – ka pasur hapa mbrapa.

“Dialog sipas kuptimit të fjalës nënkupton që dy ose më shumë palë po e respektojnë njëra-tjetrën, por kjo nuk po ndodh. Palë që kanë gatishmëri ta dëgjojnë njëra-tjetrën, por as kjo s’po ndodh. Dhe që janë të gatshme të gjejnë zgjidhje – nuk ka ndonjë hap përpara”, ka thënë Hantke në Klan Kosova

“Donald Trump gjithmonë thotë se duhet të ketë një marrëveshje të madhe, por unë nuk besoj në marrëveshje të mëdha”.

“Duhet të riparojmë çdo gjë ndërmjet vendeve. Kemi gjithë ato marrëveshje, por asgjë nuk ka ndryshuar në raportin Kosovë-Serbi”.

“Mund të ketë edhe një marrëveshje finale, por jo zgjidhje. Duhet ta kemi një rrugëtim të qartë, kur t’i kemi ndërmarrë këta hapa, të vazhdojmë”.

Hantke ka thënë se shkëmbimin e territoreve, apo diçka të ngjashme, nuk e sheh si zgjidhje të problemit ndërmjet dy vendeve fqinje.

“Nuk kam ndonjë ide se si do të përmirësoheshin gjërat  nëse diçka e ngjashme do të ndodhte. Në të dy anët nuk po shihet një gjë e tillë”.

“S’duhet të ketë marrëveshje ndërmjet liderëve nëse populli nuk pajtohet. Atëherë i bie se do të ketë një marrëveshje kot. Nevojitet një marrëveshje e zbatueshme, jo një sa për të thënë”

“Mendoj se fillimisht duhet folur për nismat e përbashkëta, për ide ekonomike, sociale, kulturore dhe pastaj të ndërmerren disa hapa që do të çonin përpara një zgjidhje që nuk do ta linte askë jashtë”.