LVV: Ky është efekti pozitiv i taksës 100 %

LVV: Ky është efekti pozitiv i taksës 100 %

Aktuale prill 16, 2019 - 09:47
Lexo Detajet

As optimistët më të mëdhenj nuk kanë besuar se nga rreth gjysmë miliardi euro në vit importe nga Serbia dhe fare pak eksporte Kosova një ditë do ta përmbysë bilancin tregtar me Serbinë. Dy dekada pas përfundimit të luftës Kosova muajt e fundit po eksporton trefish më shumë mallra drejt Serbisë sesa po importon. Krejt kjo falë taksës 100%, shkruan gazeta “Zëri”.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, konsiderojnë se taksa ka pasur efekte pozitive në aspektin politik, siç është ndërprerja e dialogut. Në aspektin ekonomik, deputeti i saj, Rexhep Selimi për “Zërin” ka thënë se do të kishte efekt më të madh nëse nuk do të kishte kontrabandë.

"Efekti i parë është politik dhe pozitiv, pasi janë ndërprerë negociatat e Thaçit me Vuçiqin. Për shkak se Vuçiq e ka kushtëzuar dialogun me heqjen e taksës shpresoj që ajo të mos hiqet asnjëherë. Kurse në aspektin ekonomik, besoj se nëse nuk do të kishte kontrabandë taksa do ta kishte efektin edhe më të madh", është shprehur Selimi.

LEXO EDHE: Kosova “pushton” ekonomikisht Serbinë

Sipas tij, kërkesa kryesore e ndërkombëtarëve është rifillimi i dialogut e heqja e taksës, e për këtë thotë ai, po i pëlqen që taksa është ende në fuqi.

"Johanes Hahn po kërkon që taksa të hiqet për t’i dhënë mundësi dialogut, prandaj edhe ai, edhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë nuk po kërkojnë ta heqin taksën, por po kërkojnë vazhdimin e dialogut për të cilin Serbia ka vënë kushte. Kësisoj është mirë që dialogu në formatin Thaçi – Vuçiq nuk po vazhdon, prandaj taksa po më pëlqen edhe më shumë", u shpreh Selimi.