Thaçi fajëson disa shtete të BE-së për komplikim të procesit të liberalizimit të vizave

Thaçi fajëson disa shtete të BE-së për komplikim të procesit të liberalizimit të vizave

Aktuale prill 15, 2019 - 10:46
Lexoni detajet e fundit

Një marrëveshje  për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë në një linjë me marrëveshjen historike në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka mundësi që të ndodhë në vitin 2019.

Kështu deklaroi presidenti i vendit, Hashim Thaçi në një intervistë të dhënë për The Guardian.

Serbia refuzoi që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur që prej shkëputjes së ish krahinës së saj në  vitin 2008, pas gati një dekade nën administrimin ndërkombëtar dhe pas një lufte të përgjakshme në vitet ’98-1999.

Lufta brutale nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, la rreth dhjetë mijë shqiptarë të vrarë  para fushatës së bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s, që i dhanë fund luftës.

Qindra serbë u vranë në sulme hakmarrëse, shkruhet tutje nga The Guardian.

“Ne duhet të ulemi qoftë edhe me armikun kryesorë, por pa asnjë parakusht dhe të përpiqemi të dëgjojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe bisedimet në mes dy vendeve janë pezulluar që nga nëntori, kur Kosova ka vendosur taksën 100% ndaj mallrave të Serbisë.

E presidenti i Kosovës tha se nuk ka asnjë plan për heqjen e taksës,  por theksoi nevojën për përparim të shpejtë.

“Krijimi i hapësirës për nacionalistët dhe populistët në të dy anën e kufirit. Shumë shpesh ajo bie tek egot e mëdha, ndeshjet e personaliteteve dhe shumë rrallë dëgjojmë për parimet, standardet dhe vlerat”, ka thënë tutje ai.

Presidenti Thaçi tha se gjithashtu ka investuar gjithë kapitalin politik që kishte ndërtuar gjatë dy dekadave në suksesin e bisedimeve dhe sipas tij çmimi i dështimit të vazhdueshëm do të ishte dëmtim i gjithë rajonit.

“Në rrethanat e tanishme, me këto tensione, nuk e kuptoj pse do të vijnë investitorët e huaj dhe të investojnë në rajonin tonë. Vetëm një marrëveshje paqeje do të sjellë prosperitet”, tha ai.

Statusi i tanishëm i Kosovës, që është i njohur nga disa vende evropiane, por jo të gjitha, nënkupton se qytetarët e këtij vendi janë të vetmit evropianë që ju kërkohen vizat për udhëtim në Zonën Shengen.

Kufizimet e tilla nuk po aplikohen askund tjetër në Ballkan. Një e treta e fuqisë punëtore të Kosovës është e papunë.

Ish-kreu i UÇK-së, Hashim Thaçi ka fajësuar disa shtete anëtarë të BE-së për komplikim të procesit të liberalizimit të vizave.

Thaçi tha se ‘demaskimi i kufirit’ do të ishte pjesë e ndonjë marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

Por ai theksoi se nuk mund të këtë kufij në linjat etnike.” Nuk mund të ketë kufij në linjat etnike. Është e pamundur. Si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbeten shtete multietnike”.