Gripi i derrave, ende i pranishëm në vend

Gripi i derrave, ende i pranishëm në vend

Aktuale April 15, 2019 - 08:13
Lexoni më shumë detaje
Image

Tetë persona gjatë këtij viti kanë vdekur si pasojë e prekjes nga gripi i derrit, prej të cilit ka edhe persona të tjerë që vazhdojnë të jenë të prekur. Edhe pse është raportuar se ka persona të prekur me gripin A H1N1, i cili njihet edhe si grip i derrave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë nuk ka dhënë informata për numrin e të prekurve. Përpos gripit të derrave, për gjashtë muaj në Kosovë afër 55 mijë qytetarë kanë qenë të prekur edhe nga gripi sezonal, shkruan sot gazeta "Zëri".

Tetë persona gjatë këtij viti kanë vdekur si pasojë e gripit të derrit, derisa ka pasur edhe persona të tjerë të cilët kanë qenë të prekur nga ky grip. Njëra nga viktimat e fundit nga ky grip ka qenë nga komuna e Gjakovës. Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se një paciente 35-vjeçare gjatë muajit mars të këtij viti ka qenë e prekur me gripin e derrit, e cila, siç ka thënë ai, nga ky spital ishte transferuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ku një ditë më pas edhe ka vdekur.

Asllani ka thënë se gjatë muajit mars edhe një person tjetër nga Gjakova është prekur me gripin e derrit.

LEXO EDHE: PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

“Ne e kemi pasur edhe një pacient, një punëtor yni, i cili gjatë muajit të kaluar ka shkuar me udhëzim të spitalit në Klinikën Infektive, ku ka qëndruar dy javë. Aty është rezultuar se ka pasur grip sezonal ose të derrit. Ai ende është me terapi, por gjendja është më e mirë. Ende nuk ka dalë në punë me rekomandim të mjekëve të Infektives në Prishtinë. Një paciente që ka vdekur, 35-vjeçare, ka qenë më datën 17 te ne, e cila pastaj është dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë dhe prej aty është transferuar në Klinikën Infektive, ku të nesërmen ka vdekur. Sipas tyre, është vërtetuar që ka pasur edhe grip të derrit”, ka thënë ai, për "Zërin".

“Zëri” ka kërkuar informata sa i përket gripit të derrit edhe në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), por të cilët kanë dhënë statistika përgjithësisht për personat të cilët kanë qenë të prekur me influencën “A”. Përndryshe gripi i ashtuquajtur i derrave është një sëmundje akute e rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruse gripale të tipit “A”, që origjinën e ka nga derrat.

54.949 raste të dyshimta me grip

Era Pireva, zyrtare për informim në IKSHPK, ka thënë për gazetën se që nga muaji tetor i vitit të kaluar e deri më 29 mars rreth 55 mijë persona kanë qenë të prekur me grip. “Nga 01 tetori 2018 deri më 29 mars 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 54.949 raste të dyshimta në grip (ILI), 6.296 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 107 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut). Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga Komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës. Gjatë javës së 12-të janë raportuar 3.577 raste ILI, 229 raste ARI dhe 13 raste SARI”, ka thënë ajo. Sipas saj, po ashtu janë testuar edhe 1.016 mostra të dyshimta me influencë, ku 422 raste kanë rezultuar me influencë të tipit “A”. “Në laboratorin e Qendrës Kombëtare të Gripit - IKSHPK deri sot janë testuar gjithsej 1016 mostra të dyshimta në influencë dhe prej tyre 422 raste rezultojnë pozitive në influencën tip ‘A’ (pozitiviteti 41,5 %). Sipas subtipit, 345 mostra influencë ‘A’ e pasubtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në subtipin AH1pdm09 dhe 1 mostër rezulton pozitive në AH3”, ka thënë ajo.

Rastet e dyshimta me grip të derrit spitalet i referojnë në QKUK

Në mesin e viktimave të gripit të derrit dyshohet se kanë qenë edhe dy persona nga komuna e Gjilanit.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se ka pasur raste të cilat i kanë dërguar për trajtim në Prishtinë, por që nuk kanë marrë ndonjë konfirmim nëse kanë qenë të prekur me gripin e derrit.

“Ka pasur raste të cilat i kemi dërguar në Prishtinë, por ne nuk kemi mundësi ta konfirmojmë a është grip i derrit. Nuk jemi duke i marrë raportet javore që i kemi marrë më herët, kështu që nuk kemi njohuri të detajuara se çfarë po ndodh me këto raste”, ka thënë ai.

Ndërsa edhe nga Spitali i Prizrenit rastet e dyshimta i kanë dërguar për trajtim në Prishtinë.

Shefi i Repartit Infektiv në këtë spital, Beram Karanezi, ka thënë për “Zërin” se nuk kanë pasur asnjë pacient i cili ka vdekur si pasojë e gripit H1N1. Sipas tij, në këtë spital ka pasur një numër të konsiderueshëm të pacientëve me gripin sezonal A.

“Në Repartin Infektiv kemi pasur pacientë të hospitalizuar me simptoma të gripit, një numër të konsiderueshëm, disa prej janë konfirmuar me rezultate laboratorike të gripit sezonal ‘A’, të cilët janë lëshuar nga spitali në shtëpi në gjendje shëndetësore të mirë. Rastet tjera janë mjekuar në mjekim shtëpiak me vizita specialistike kontrolluese dhe gjendja e tyre ka qenë e mirë. Gjendja në Repartin Infektiv në Prizren deri tani gjatë kësaj epidemie të gripit është e mirë. Nuk kemi pasur pacientë të vdekur në Repartin Infektiv nga gripi sezonal H1N1”, ka thënë ai./ZERI