Kosova po zbrazet, deputetët e Qeveria me duar në xhepa

Kosova po zbrazet, deputetët e Qeveria me duar në xhepa

Aktuale April 15, 2019 - 08:03
Lexoni më shumë detaje
Image

Më datën 11 prill të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me ikjen masive të të rinjve nga Kosova. Megjithatë për shkak të mungesës së kuorumit ata nuk arritën as të votojnë një rezolutë në lidhje me këtë çështje. E për ikjen e të rinjve një zgjidhje urgjente nuk e ka paraparë as Qeveria e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri" 

Ndonëse po vlerësohet që Kosova po zbrazet nga qytetarët të cilët në mënyrë legale po shkojnë në shtetet tjera për një jetë më të mirë, as deputetët e Kuvendit të Kosovës e as qeveria “Haradinaj” nuk kanë marrë masa urgjente të ndalet fluksi i madh i të rinjve që po ikin nga vendi.

Deputetët e Kosovës, të cilët më datën 11 prill të këtij viti u mblodhën në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me migrimin e të rinjve, nuk arritën as të hedhin në votim një rezolutë për këtë çështje, ndërsa edhe kryeministri Ramush Haradinaj e ka parë si të pamundur një zgjidhje urgjente për këtë, shkruan tutje gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

Analistë politikë në vend i kanë vlerësuar si të papranueshme deklaratat se nuk do të ketë zgjidhje të shpejtë për ikjen e të rinjve, derisa kanë thënë se Qeveria duhet të ketë një vizion për zhvillimin e vendit.

Derisa janë shprehur të shqetësuar se qytetarët po ikin nga Kosova, deputetë nga opozita kanë thënë se Qeveria nuk ka marrë veprime për të zhvilluar vendin.

Haxhiu: Qytetarëve u ka humbur shpresa, Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka vlerësuar se qeveria “Haradinaj” nuk ka marrë asnjë veprim konkret për ta zhvilluar vendin. Sipas saj, është shqetësuese që të rinjtë në mënyrë legale po lëshojnë vendin e kjo siç ka thënë ajo po bëhet për shkak se atyre u ka humbur shpresa.

“Ky është shqetësimi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje, sepse është e vërtetë që ne kemi pasur migrim ilegal në të kaluarën, por ka qenë më tepër i dukshëm, pra është parë që qytetarët po largohen. Tani çfarë po ndodh është që migrimi është legal, largimi i qytetarëve nga vendi po mund të bëhet edhe me viza, sidomos me viza pune. Problemi këtu qëndron se shpresa ka humbur te rinia jonë. Vetëdija për një shtet do të duhej të kërkonte problemin kryesor. Nëse ne shohim që qytetarëve të Kosovës u ka humbur shpresa duhet t’i përvjelim mëngët, ne do të duhet të punojmë pa ndalur derisa ta rikthejmë atë shpresë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se duhet të merren masa që qytetarët që kanë ikur të kthehen në Kosovë.

“Kemi parë një diskutim në Kuvendin e Kosovës, nga ai debat nuk kemi pasur mundësinë që të votojmë ndonjë rezolutë. Edhe në atë ditë kam thënë që e vetmja pikë për të cilën do të duhej të kishte pajtim të plotë do të duhej të ishte që qeveria ‘Haradinaj’ ose të dorëhiqet, ose të rrëzohet. Përveçqë qytetarët tanë janë të papunë dhe po e lëshojnë vendin për të kërkuar një jetë më të mirë, jetë të cilën ia ka vjedhur PANhajnia, po ndodh që edhe qytetarët të cilët kanë paga mesatare po e lëshojnë vendin. Kjo ndodh për shkak se nuk mjafton vetëm paga, por qytetari kërkon edhe arsim të mirë, shëndetësi, edukim e mirëqenie”, ka thënë ajo.

Përndryshe, në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur javën e kaluar deputetë tjerë të partive opozitare kanë kërkuar të merren masa që të rinjtë të kthehen në Kosovë.

Zgjidhjen e migrimit pozita e sheh në vitin 2020, me buxhetin e ardhshëm

Edhe deputetë të partive në pushtet e kanë parë si shqetësuese ikjen e qytetarëve nga Kosova.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se zgjidhja më e mirë për këtë çështje është që me buxhetin e ardhshëm të ndahen fonde për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Edhe ne vlerësojmë që kjo dalje është shqetësuese, edhe pse është më e vogël se më herët, mirëpo po dalin me viza puna. Do të duhej tani me buxhetin e ardhshëm që të ndahen fonde vetëm për krijimin e vendeve të reja të punës. Unë mendoj që kjo është zgjidhja më e mirë”, ka thënë ai.

Selmanaj ka thënë se Parlamenti dhe Qeveria duhet të marrin masa që të zvogëlohet numri i atyre që po lëshojnë vendin.

“Duhet patjetër që ne edhe si Parlament, edhe si Qeveri të reflektojmë dhe të marrim masa në këtë drejtim. Të paktën të zvogëlojmë migrimin, sepse ta ndalim krejt është problem, në të gjitha vendet ka lëvizje të njerëzve”, ka thënë ai.

Tahiri: Irrituese nëse Qeveria thotë se nuk ka zgjidhje për ikjen e të rinjve

Deklaratat e kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë një zgjidhje urgjente për ikjen e të rinjve nga vendi nuk i kanë pëlqyer analistit politik në vend, Ramush Tahiri.

Ai ka thënë për “Zërin” se Qeveria duhet të ketë vizion për zhvillimin e vendit, si dhe për rritjen e punësimit, por siç ka thënë ai Qeveria po i rrit rrogat për vete dhe nuk po bën një plan zhvillimor për vendin.

“Është frustruese për popullin nëse Qeveria thotë se nuk ka zgjidhje për ikjen dhe papunësinë, sepse secila qeveri duhet të ketë programin e vet të zhvillimit dhe duhet të ketë vizion për zhvillim, për rritjen e punësimit dhe për ndaljen e emigrimit jashtë vendit. Emigrimi është dukuri e vendeve të cilat nuk janë të zhvilluara, e vendeve që nuk i menaxhojnë resurset e veta dhe të atyre që nuk kanë plan ekonomik”, ka thënë ai.

Tahiri ka thënë se politikat e Kosovës duhet të bazohen në shfrytëzimin e resurseve dhe të investimeve të huaja. Sipas tij, për të rritur numrin e të punësuarve në vend duhet të mbahen debate publike edhe nga deputetët, edhe nga Qeveria.

“Ata që kanë strategji kombëtare të zhvillimit ekonomik dhe i shfrytëzojnë resurset e veta natyrore dhe në këtë rast resursi i ekonomisë është njëri nga resurset kryesore për zhvillim të vendit, mirëpo te ne edhe kjo qeveri edhe ajo përpara janë të paskrupullta dhe të papërgjegjshme, me deklarime që konsiderohen edhe fyese japin atë që është e pazgjidhshme. Për të folur se si do të ndalet papunësia dhe si do të rritet punësia duhet të ketë një debat publik edhe Parlamenti, edhe Qeveria nëpër komuna, për t’i parë nevojat e secilës komunë për zhvillim dhe për investime. Politikat ekonomike duhet të bazohen në shfrytëzimin e resurseve në tërheqjen e investimeve të huaja”, ka shtuar ai./ZERI