PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

PDK-ja paralajmëron rrëzimin e Qeverisë

Aktuale April 15, 2019 - 07:46
Lexoni më shumë detaje
Image

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, së fundmi ka deklaruar se vendit mund t’i kthehet dinjiteti vetëm me Kadri Veselin kryeministër dhe me PDK-në në qeverisje. Analistët vlerësojnë se këto deklarata mund të shpijnë në rrëzim të Qeverisë dhe në zgjedhje të parakohshme, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ka kohë prej kur dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Përveç partive opozitare, së fundmi, edhe pse jo në mënyrë direkte, edhe partneri më i madh i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, po shihet si kërcënim për rrëzimin e Qeverisë, në të cilën edhe ata kanë hise.

Në një tubim të mbajtur këto ditë në Prizren nënkryetari i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, u shpreh se besimi në shtetin e Kosovës mund të kthehet vetëm me qeverisjen e PDK-së dhe me Kadri Veselin si kryeministër. Analistët vlerësojnë se këto deklarata, por edhe qëndrimet e ndryshme brenda koalicionit qeverisës mund të konsiderohen si sinjale të PDK-së për rrëzimin e Qeverisë, fuqi të cilën konsiderojnë që kjo parti e ka, shkruan tutje gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: Ish-kandidati i LDK-së për deputet ka një paralajmërim për kandidatët që synojnë pozitën e të parit të kësaj partie

Ndonëse nga Partia Demokratike e Kosovës nuk pranojnë se aktualisht kanë për qëllim rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja vlerëson se duke i ditur praktikat e mëhershme PDK-ja mund ta bëjë të mundur një gjë të tillë për një kohë të shkurtër. Mirëpo deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, u shpreh se nuk i shohin kërcënuese deklaratat e PDK-së, sipas tij ambiciet për të udhëhequr me shtetin janë normale edhe kur vijnë nga partnerët me të cilët bashkëqeverisin.

“Deklaratat e PDK-së nuk janë kërcënuese, ambiciet për ta udhëhequr Qeverinë janë normale. Janë deklarata normale si të të gjitha partive dhe janë edhe demokratike. Mirëpo në këto rrethana ne jemi duke punuar dhe Qeveria është stabile”, ka thënë Selmanaj për “Zërin"

PDK: Po angazhohemi ta çojmë deri në fund këtë mandat qeverisës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, duke folur për “Zërin” nuk e ka pranuar se aktualisht PDK-ja ka për qëllim që ta çojë vendin në zgjedhje. Sipas tij, PDK-ja është duke u përpjekur që ta çojë deri në fund këtë mandat qeverisës.

“Ne kemi pasur një palë zgjedhje, që janë mbajtur në vitin 2017 dhe ende kanë mandat qeverisës. Aktualisht ne jemi pjesë e koalicionit qeverisës dhe jemi duke u angazhuar që ky mandat të shkojë deri në fund”, ka thënë Reçica.

Ndonëse Partia Demokratike e Kosovës aktualisht është në procesin e brendshëm zgjedhor, Reçica theksoi se PDK-ja me zgjedhje po mundohet ta forcojë dhe ta zhvillojë veten përbrenda, porse është normale që me to të përgatitet edhe për zgjedhjet nacionale.

“PDK-ja ju e dini që është duke i zhvilluar zgjedhjet e brendshme dhe në kuadër të tyre edhe zhvillimet janë shpresëdhënëse e shumë domethënëse sa i përket forcimit dhe zhvillimit të PDK-së. Por normalisht që PDK-ja e ka një synim t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe që kryetari i PDK-së, i cili do të zgjidhet në këto zgjedhje, të mbështetet edhe si kryeministër”, ka deklaruar ai.

LDK: PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se duke u bazuar në praktikat e mëhershme PDK-ja mund të bëhet shkak i rrëzimit të Qeverisë. Mirëpo ajo u shpreh se ndonëse do t’i ndihmonin opozitës me shkuarjen në zgjedhje të reja, PDK-ja nuk do të ketë rol më të madh në Qeveri sesa ka tash, duke cilësuar se aktualisht kryeministër është Kadri Veseli.

“Shkuarjen në zgjedhje mund ta ndihmojë PDK-ja, duke e parë të kaluarën e tyre besojmë që mund ta bëjë një gjë të tillë. Mirëpo përderisa vazhdojnë të ushqehen në këtë mënyrë nga kjo qeveri me keqpërdorime, punësime e këtë devijim qeverisës pak është për të shpresuar. Faktikisht Kadri Veseli është kryeministër, ai është shef i PAN-it dhe në këtë mënyrë fuqinë e ka më të madhe sesa që është duke pretenduar ta marrë si PDK me anë të zgjedhjeve”, ka thënë Kajtazi.

Edhe deputetja tjetër opozitare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se konsideron që vendi duhet të shkojë në zgjedhje, mirëpo ajo vlerëson se deklarimet e PDK-së për shkuarje në zgjedhje dhe për udhëheqje të besueshme nga PDK-ja janë fyerje dhe tallje për qytetarët e Kosovës.

Baraliu: PDK-ja, kërcënim për qeverinë “Haradinaj”

Analisti politik Mazllum Baraliu duke folur për gazetën “Zëri” ka pohuar se Partia Demokratike e Kosovës me deklaratat e fundit mund të jetë kërcënim për qeverinë “Haradinaj”. Sipas tij, PDK-ja shumë shpejt mund ta çojë vendin në zgjedhje, siç ka bërë edhe më herët.

“PDK-ja sigurisht mund të jetë kërcënim për qeverinë ‘Haradinaj’. PDK-ja e ka rrëzuar Qeverinë e Isa Mustafës dhe deri tani e dimë që vetëm kur PDK-ja ka përkrahur nismat e dikujt tjetër për mocion mosbesimi është arritur rrëzimi i Qeverisë”, ka theksuar Baraliu. Por sipas tij, prej kujtdo qoftë rrëzimi i Qeverisë është i domosdoshëm. Ai thotë se Qeveria aktuale është qeveri e pakicës dhe jolegjitime.

“Nëse ka vetëm minimum të përgjegjësisë politike e morale duhet domosdoshmërisht që të vetëdijesohen dhe ta çojnë vendin në zgjedhje, është koha e fundit që të reflektohet. Qeveria e tillë është qeveri e pakicës dhe të paktën nuk ka as legjitimitet, sepse shumë herë nuk mund të arrijë t’i sigurojë 61 vota për t’i shtyrë përpara ligjet e ndryshme”, ka thënë Baraliu./ZERI