Haxhiu: Edhe LDK-ja mund të na bashkohet në protesta
FOTO: Laura Hasani

Haxhiu: Edhe LDK-ja mund të na bashkohet në protesta

Aktuale April 08, 2019 - 08:01
Lexoni detajet
Image

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje ka bërë të ditur për “Zërin” që partia e saj e ka ftuar edhe LDK-në të jetë pjesë e protestave për rrëzim të qeverisë “Haradinaj”, mirëpo sipas saj ata kanë vendosur të mos bashkohen në këtë fazë. Ajo thotë se nuk përjashtohet mundësia që edhe LDK-ja të bashkëngjitet në tubime e në protesta, shkruan sot gazeta "Zëri".

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ngritja e mocionit të mosbesimit nuk është forma e vetme për ta rrëzuar qeverinë “Haradinaj”, prandaj deputetët e kësaj partie po planifikojnë që përmes protestave masive të qytetarëve ta rrezojnë këtë qeveri. Kështu ka deklaruar në një intervistë për “Zërin” deputetja Albulena Haxhiu, e cila nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe LDK-ja të jetë pjesë e këtyre protestave.

LEXO EDHE: Veprimet e paunifikuara të opozitës

“Ne kemi shprehur interes që të kemi organizime të përbashkëta edhe me LDK-në sa i përket kësaj faze të dytë, të cilën e kemi nisur me tubime me qytetarë, mirëpo ata njëherë nuk i janë bashkuar kësaj, ne jemi subjekt politik që i bëjmë veprimet siç i shohim të rëndësishme. Kjo në asnjë mënyrë nuk përjashton që edhe ata do të mundë të bashkoheshin në tubime kudo në komunat që i kemi”, ka theksuar ajo.

Deputetja Haxhiu në këtë intervistë ka folur edhe për idenë për shkëmbim të territoreve, plan i cili sipas saj është i vetmi projekt në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ikja e të rinjve, arsyeja e fillimit të fushatës

Zëri: Të premten keni nisur një fushatë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”, sa prisni mobilizim të qytetarëve për këtë kauzë tuajën? 

Haxhiu: Që nga momenti kur është krijuar qeveria “Haradinaj” ka qenë e ditur se do të jetë një qeveri që do të prodhojë skandale. Duke parë këto sinjale, natyrisht ka qenë e ditur se do të duhej organizim opozitar dhe qytetar për t’i ndalur skandalet, sepse është e qartë që Haradinaj nuk e lëshon karrigen, sepse është i lidhur për këtë karrige dhe është në gjendje të bëjë gjithçka, madje të falë edhe territor vetëm që të mbetet kryeministër i vendit. Në këtë kuptim jam shumë e bindur që këto tubime tona, të cilat i filluam në Vushtrri, sepse është e qartë që qytetarët e Kosovës janë jashtëzakonisht të shqetësuar me situatën aktuale dhe jo rastësisht po kemi humbje të shpresës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, pikërisht këtë humbje i kanë sjellë këto veprimet e paligjshme dhe veprimet skandaloze të qeverisë “Haradinaj”. Për ne ikja e të rinjve nga vendi, ikja në heshtje që po bëhet është tejet shqetësuese dhe në situatën aktuale, ku nuk kemi asnjë kuvend funksional, e vetmja formë e organizimit na kanë mbetur këto tubime me qytetarë, për të vazhduar në secilën komunë, në fshatra, takime të vazhdueshme me qytetarë, sepse kjo është e vetmja formë për ta ndalur qeverinë “Haradinaj”.

Zëri: Meqenëse për të ngritur mocion votëbesimi ndaj Qeverisë opozita aktualisht nuk i ka numrat, si planifikoni ta rrëzoni atë? 

Haxhiu: Bojkoti aktiv i seancave të Kuvendit ka qenë njëri prej vendimeve që ne nisëm ta praktikonim, por në anën tjetër ishin deputetët të cilët kanë ikur nga Lëvizja Vetëvendosje që qëndronin aty dhe mundësonin që qeveria “Haradinaj” të kalonte çështje të cilat i kishte me interes. Ata u bënë me të dyja këmbët pjesë e koalicionit dhe kjo e vështirësoi edhe bojkotin tonë. Po ashtu edhe në aspektin e numrave e bëri më të vështirë rrëzimin e Qeverisë. Edhe veprimet e tyre të fundit në favor të negociatave janë veprime që nënkuptojnë se ata janë në shërbim të plotë të kësaj qeverie, por edhe kanë për qëllim jetëgjatësinë e saj. Është e vërtetë po ashtu që aktualisht nuk i kemi 61 numra, do të ishte e lehtë që të shkonim me mocion në Kuvend nëse do t’i kishim, por ne nuk guxojmë të qëndrojmë dhe të themi që nuk i kemi numrat dhe po vazhdojmë me këtë qeveri. Kjo është arsyeja pse ne po vazhdojmë me tubime dhe nuk mund të paragjykojmë nëse mund ose jo t'i bëjmë numrat, por nuk mund as të paragjykojmë që vetëm me anë të mocionit rrëzohet kjo Qeveri, sepse shumë qeveri, duke përfshirë edhe qeverinë “Haradinaj”, mund të rrëzohen edhe me organizimet qytetare. Ne në asnjë formë nuk i përjashtojmë protestat për rrëzimin e kësaj qeverie.

LDK-ja i mbështet protestat e Vetëvendosjes

Zëri: A prisni mbështetje edhe nga partitë tjera opozitare ose nga ato në pushtet, duke përfshirë këtu edhe ish-kolegët tashmë pjesë të PSD-së? 

Haxhiu: Ka qenë shumë e vlefshme që tubime të tilla të bëhen në bashkëorganizim me një pjesë të opozitës, siç është LDK-ja, sepse ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë përbrenda Kuvendit me këtë parti. Do të vazhdojmë edhe me organizime të përbashkëta, por secili subjekt politik e ka strategjinë e veprimit, në këtë kuptim ne kemi zgjedhur këtë formë, besoj LDK-ja do të veprojë në forma të tjera, asnjëra nuk e përjashtojnë tjetrën, përkundrazi vetëm sa e plotësojnë, prandaj konsideroj se do të ishte mirë që gjithçka të bëhet në mënyrë të përbashkët, por në qoftë se jo ashtu, atëherë secili subjekt politik vazhdon me organizime sipas strategjisë së vet. Kurse sa u përket atyre që kanë ikur nga Vetëvendosja, ata më nuk janë opozitë, ata mund të thonë që janë opozitë, por qëndrimet e tyre, të fundit sidomos, kanë dëshmuar se ata me të dyja këmbët janë në Qeveri. 

Zëri: Pse nuk e keni nisur fushatën së bashku me partnerin tuaj opozitar, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe a u keni bërë atyre ofertë për një gjë të tillë?

Haxhiu: Edhe para protestës së 29 shtatorit ne kemi bërë përpjekje maksimale që të bëjmë bashkë protestën me LDK-në, të jemi bashkëorganizatorë në protestë, mirëpo ata kanë zgjedhur të mos dalin kundër, që është tejet pozitive, sepse siç e dini në protestën e 29 shtatorit pikërisht për shkak të qasjes së LDK-së, jo kundër protestës, ka pasur edhe përfaqësues të kësaj partie dhe qytetarë që e kanë mbështetur LDK-në të pranishëm në protestë. Edhe pas asaj proteste ne kemi qenë jashtëzakonisht të interesuar që gjithçka që mund të bëhet ta bëjmë të bashkëorganizuar, sepse është e qartë që kur më shumë subjekte politike dalin kundër një procesi, me sa kemi parë edhe LDK-ja e kundërshton Qeverinë aktuale në raport me negociatat. Kemi shprehur interes të kemi organizime të përbashkëta edhe sa i përket kësaj faze të dytë që kemi nisur me tubime me qytetarë, mirëpo ata njëherë nuk i janë bashkuar kësaj, ne jemi subjekt politik që i bëjmë veprimet siç i shohim të rëndësishme. Kjo në asnjë mënyrë nuk përjashton që edhe ata do të mundë të bashkoheshin në tubime kudo në komunat që i kemi. Jam e bindur që vetëm me organizime të tilla, qoftë bashkë ose ndaras si subjekte politike, është aq më mirë për vendin, sepse këto garantojnë që qeveria “Haradinaj” nuk do të ketë jetëgjatësi. 

 Ideja për korrigjim, e vetmja marrëveshje në tavolinë mes Kosovës dhe Serbisë

Zëri: Në ndërkohë kemi parë që tashmë disa ditë presidenti Thaçi nuk ka përmendur idenë e tij për korrigjim ose ndryshim të kufijve. A vlerësoni se kjo ide mund të konsiderohet si e vdekur apo vetëm po mbahet e fshehur?

Haxhiu: Unë nuk mund të them që kjo temë ka rënë nën ujë. Ne e dimë që Serbia dëshiron të marrë territor nga Kosova e jo të japë, prandaj e kemi parë si një qasje shumë negative dhe argumenti ynë është që Thaçi nuk beson në integritetin territorial të Kosovës dhe që ky është në gjendje të bëjë gjithçka vetëm për veten e tij. Nuk po them që Thaçi është tërhequr nga kjo ide, sepse ai do të shikojë, madje siç kemi dëgjuar ne i vetmi projekt në tavolinën e Brukselit është ideja për shkëmbim territorial. Po ashtu mendoj që Frederika Mogerini ka pasur një rol mjaft negativ në këtë proces, madje ajo ndonëse konsiderohet si ndërmjetësuese mes dy vendeve në vazhdimësi ka anuar nga Serbia, edhe pavarësisht luftës së egër të Serbisë ndaj Kosovës asnjëherë nuk i kanë evidentuar këto dhe gjithmonë është fajësuar Kosova. Por sidoqoftë ne do ta kundërshtojmë këtë ide me protesta e demonstrata nëse ajo qëndron ende, sepse ne nuk falim territor. 

Zëri: Zonja Haxhiu, për disa muaj radhazi nuk është zhvilluar asnjë takim mes Kosovës dhe Serbisë sepse Serbia po e shfrytëzon taksën e vënë ndaj produkteve serbe si arsye për “bllokim” të dialogut. Si e shihini ju këtë gjë? 

Haxhiu: Ne jemi kundër vazhdimit të dialogut në këtë mënyrë. Për shkak të luftës së egër që Serbia në vazhdimësi e bën ndaj Kosovës është komplet e papranueshme për ne që të futemi në një fazë finale me Serbinë. Serbia duhet ta njohë Republikën e Kosovës, nëse nuk e bën zhvillohemi më mirë për së brendshmi. Pse duhet t’i kemi prioritet negociatat dhe gjithë potencialin ta orientojmë aty, në anën tjetër nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka arsim cilësor, as shëndetësi, qytetarët po ikin, vendi ka varfri ekstreme etj. Me gjithë këto probleme që i kemi le ta forcojmë veten për së brendshmi, le të vendosim kushte për Serbinë, listë të kërkesave dhe pastaj rikthejmë legjitimitetin. Ne duhet të pyesim popullin se kush nga subjektet politike duhet ta marrë legjitimitetin, ata duhet të na japin neve legjitimitetin dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Nuk mund të vazhdojmë me një fazë të re të dialogut për sa kohë që Qeveria është e pakicës dhe Kuvendi është jofunksional. 

Haradinaj po e mban taksën për shkak të votave

Zëri: A e ka arritur sipas jush efektin e duhur taksa ndaj produkteve serbe dhe a vlerësoni se është zbehur presioni ndërkombëtar për heqjen e taksës?

Haxhiu: Ajo e cila ka kërkuar heqjen e taksës dhe që ka pasur interes është Serbia dhe po, ka pasur presion edhe nga ndërkombëtarët, që ne e kemi konsideruar të papranueshëm, sepse këtë gjë e bën secili shtet normal, demokratik e që kërkon respektimin e sovranitetit dhe të integritetit të tij, secili shtet do të vendoste masa të tilla. Kur ka vendosmëri dhe konsistencë edhe ndërkombëtarët tërhiqen nga kërkesat e tyre. Ndoshta pikërisht kjo moskonsistenca dhe pikërisht që shumë prej përfaqësuesve të qeverisjeve të kaluara dhe aktuale, të cilët i kanë dëgjuar këto kërkesat e ndërkombëtarëve, kanë qenë servilë ndaj ndërkombëtarëve, gjë që është totalisht gabim dhe duhet ta ndryshojmë si mendësi, sepse ne duhet së pari ta respektojmë vetveten si shtet. Mirëpo duket që ka pasur një zmbrapsje sa i përket kësaj çështjeje. Është e qartë që Haradinaj nuk po e mban taksën sepse beson që është vendim i mirë (ndonëse unë e shoh si të tillë), por e ka hallin te goditja që mund ta marrë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, se po, edhe qytetarët e kanë vlerësuar, prandaj nuk e heq, është mirë nëse s’e heq, bën mirë, pavarësisht interesave dhe qëllimeve që i ka. Taksa duhet të qëndrojë dhe Haradinaj të shkojë. 

Zëri: A po e quani të vendosur z. Haradinajn?

Haxhiu: Duke marrë parasysh që z. Haradinaj jorrallëherë e ka ndërruar qëndrimin edhe sa i përket çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, që e patëm kundërshtuar bashkërisht si dy objekte opozitare, ai përsëri ishte në gjendje të lëshonte pe, prandaj duke pasur përvoja të tilla ne nuk e dimë nëse z. Haradinaj do të qëndrojë. Tash unë nuk i kam informatat se pse e ka vizitën zyrtare në SHBA, ka pasur jokonsistencë në vazhdimësi në deklarimet e tij publike në raport me taksën, por mendoj që sado që kjo të shtyhet është shumë më mirë, sepse tërheqja nga taksa do të ishte goditje shumëdimensionale. Ne si Vetëvendosje jemi që taksa të qëndrojë, madje ne jemi për reciprocitet të plotë. 

Zëri: Kemi parë po ashtu që ekipi negociator për dialog me Serbinë është duke u akuzuar për përfshirje të familjarëve dhe të militantëve në ekip, sa mund ta dëmtojë kjo Kosovën dhe rolin e saj në dialog? 

Haxhiu: Ne kemi parë që ky ekip i ka dhënë frymë presidentit Thaçi në këto aventurat dhe projektet e tij të rrezikshme. Në asnjërin prej dokumenteve që fatkeqësisht janë votuar në Kuvend nuk përmendet panegocueshmëria e territorit të Kosovës dhe nuk përjashtohet presidenti Thaçi nga ky proces. I vetmi veprim që është dashur të bëhet para çfarëdo tjetri ka qenë votimi i rezolutës që e kemi propozuar ne dhe LDK-ja, me një pikë të vetme për panegocueshmërinë e territorit të Kosovës, e cila pret në secilën seancë për disa muaj dhe deputetët e koalicionit kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim. Ky është një ekip me kompetenca kushtetuese, pa ndryshime kushtetuese, është një ekip paralel i institucioneve të Kosovës, është mbi Kuvendin dhe mbi Qeverinë, prandaj e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Qasja me listën e militantëve dhe të familjarëve të tyre për ne është për keqardhje dhe kjo tregon se cili do të jetë qëllimi i këtij ekipi, pra rehatimi i disa militantëve, familjarëve, asgjë më shumë, prandaj e kemi parë jo të befasishme, sepse ne e kemi ditur që do të veprojnë kësisoj, sepse e dimë mendësinë që e kanë. /ZERI