
Tetë vjet bisedime pa marrëveshje

Është bërë gati një dekadë prejse ka nisur procesi i dialogut Kosovë - Serbi, por ende nuk është arritur një marrëveshje, e cila do ta përmbyllte këtë proces. Përkundrazi, vlerësohet se mund të kalojë edhe viti 2019 pa pasur një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, shrkuan sot Gazeta "Zëri".
Muajin e kaluar janë bërë tetë vjet prejse Kosova dhe Serbia kanë nisur procesin e negociatave për normalizim të marrëdhënieve.
Por as tash kur ka kaluar gati një dekadë dy palët e përfshira në procesin e dialogut nuk po mund të arrijnë një marrëveshje, e cila do t’i jepte fund këtij procesi, shkruan më tutje "Zëri".
Dialogu me Serbinë pati nisur në mars të vitit 2011, fillimisht si dialog teknik, për të vazhduar më pas në nivel politik.
Gjersa ka folur rreth këtij procesi shumëvjeçar, ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka konsideruar se përgjatë viteve janë arritur rezultate të shumta pozitive nga dialogu me Serbinë.
Por sipas saj hapja e temës për korrigjim kufijsh nga ana e presidentit Hashim Thaçi dhe mospërfshirja e kryeministrit Ramush Haradinaj në këtë proces janë dy gabime të mëdha që janë bërë në etapën përmbyllëse të dialogut. Ndërkohë procesi i negociatave Kosovë - Serbi ka mbetur pezull tash e pesë muaj, me ç’rast nuk është zhvilluar asnjë takim mes dy palëve.
Një situatë e tillë ka ardhur pas vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe, çka ka bërë që Serbia ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me heqjen e tarifës. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se procesi i negociatave është zvarritur së tepërmi gjatë viteve.
Deri te një zvarritje e tillë sipas tyre ka çuar fakti që prej fillimit asnjëra palë e përfshirë në dialog nuk e ka ditur saktë se çka dëshiron nga ky proces.
Tahiri: Suksesi kryesor i dialogut, riintegrimi i veriut
Ish-kryenegociatorja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, ka vlerësuar se procesi i dialogut ka shkuar jashtëzakonisht mirë sa ajo ka qenë udhëheqëse e tij.
“Suksesi kryesor i dialogut të Brukselit për shtatë vjet ka qenë riintegrimi i veriut të vendit në sistemin shtetëror të Kosovës, për faktin se Kosova si shtet ka shtrirë institucionet kryesore në veri, siç janë institucionet në drejtësi, në polici e në dogana, ka vendosur kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë në dy pikëkalimet kufitare, në Jarinjë dhe në Bërnjak”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.
Një sukses tjetër i arritur në procesin e dialogut sipas Tahirit ka qenë edhe kodi telefonik.
“Kosova ka marrë kodin telefonik shtetëror, që nuk e ka pasur gati 20 vjet pas luftës, për faktin që ka pasur pengesa nga Serbia në ITU”, ka shtuar ajo.
Dy gabimet në fazën finale
Tash kur ka nisur faza finale e dialogut, sipas Edita Tahirit, janë bërë dy gabime tejet të mëdha nga liderët institucionalë të Kosovës.
“Gabimi i parë ka qenë i presidentit, që ka hyrë në lojëra të rrezikshme për ndryshim të kufijve. Gabimi i dytë ka qenë i kryeministrit, i cili kur erdhi në Qeveri nënvlerësoi këtë dialog, duke thënë që nuk merret me të dhe ua hapi rrugën ideve për ndryshim kufijsh”, ka potencuar ish-udhëheqësja e dialogut me Serbinë.
Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se negociatat me Serbinë pa dyshim që kanë qenë të vështira për Kosovën, por sipas tij zhvillimi i procesit të dialogut ka qenë i domosdoshëm.
“Nuk ka dilema që ka qenë proces i vështirë, sepse ne e dimë që Serbia i ka bërë shumë dëm Kosovës, në veçanti në luftën e fundit”, ka deklaruar ai. Ndaj sipas tij në situatën kur dy palët janë futur në fazën përmbyllëse të këtij procesi Kosova duhet të sillet si shtet dhe të flasë me një zë në këtë proces.
“Unë mendoj që Kosova duhet të jetë unike, pavarësisht a jemi pozitë ose opozitë. Duhet që bashkë me miqtë ndërkombëtarë ta arrijmë një marrëveshje përfundimtare, të obligueshme e me njohje reciproke mes dy vendeve”, ka potencuar Beqa.
LVV: S’ka marrëveshje pa njohje
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se janë pikërisht bisedimet të cilat kanë krijuar raporte jonormale mes Kosovës e Serbisë. Duke pranuar që të diskutojë për pavarësinë e shpallur, Kosova sipas tij e ka kontestuar pavarësinë e saj.
“Pikërisht bisedimet kanë bërë që Kosova me Serbinë të mos kenë raporte normale. E kundërta do ta detyronte Serbinë që ta njihte realitetin e mbi atë realitet pastaj të merrte edhe vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Zgjidhjen sipas tij mund ta sjellin vetëm raportet e reciprocitetit politik, ekonomik e tregtar me Serbinë. Ndërkohë, ndonëse presidenti Hashim Thaçi po vazhdon të zotohet se këtë vit do të ketë marrëveshje finale me Serbinë, Selimi është shprehur i bindur se një marrëveshje e tillë nuk do të vijë derisa Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
“Mund të ketë marrëveshje mes Thaçit dhe Vuçiqit, mund të ketë marrëveshje edhe mes Thaçit dhe Serbisë. Por marrëveshje mes Kosovës e Serbisë kurrë nuk do të ketë përderisa Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu që nuk janë as afër rrethanat dhe as kushtet që të ketë raporte normale mes dy vendeve përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, ka nënvizuar deputeti i LVV-së.
Stagnimi në zbatimin e marrëveshjeve të arritura
Teksa ka folur rreth dialogut, kryetarja e Alternativës Mimoza Kusari-Lila ka vlerësuar se marrëveshja me Serbinë do të mundë të arrihej më herët, vetëm në rastin kur subjektet politike do t’i kishin qëndrimet e mirëfillta.
“Të thuhej që palët janë së bashku për shkak të një procesi për të ardhmen, ndërkaq për të kaluarën të definohej qartë që Serbia ishte ajo që bëri gjenocid në Kosovë dhe natyrisht të hyhej në procesin e marrëveshjeve të suksesionit me ish-Jugosllavinë. Mendoj që kjo qasje i ka munguar dialogut nga fillimi. Në të kundërtën është kamufluar me tema teknike dhe pastaj ka pasur stagnim të mirëfilltë në zbatimin e këtyre temave ose marrëveshjeve të arritura në procesin teknik”, është shprehur ajo.
Ndaj, sipas Kusari-Lilës, në situatën e tanishme është tejet vështirë të arrihet një marrëveshje finale mes dy vendeve.
“Tash që pretendohet se mund të arrihet diçka në një periudhë shumë të shkurtër kohore është gati se e pamundur, në veçanti për faktin se jo vetëm për shkak të rrethanave të të dyja shteteve, Kosovës e Serbisë, por gjithashtu edhe rrethanave në Bashkimin Evropian, me zgjedhjet parlamentare evropiane në muajin maj gati se pamundësohet që brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje”, është shprehur ajo.
Zvarritja disavjeçare e dialogut
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, ka vlerësuar se ka pasur një zvarritje disavjeçare të procesit të negociatave Kosovë - Serbi. Sipas tij, as Bashkimi Evropian, që ka ndërmjetësuar dialogun, nuk e ka pasur të qartë se çka ka dëshiruar nga ky proces.
“Kemi parë një prolongim të këtij procesi disavjeçar, që në një mënyrë as Bashkimi Evropian nuk ka qenë i qartë se çka ka dashur prej këtij dialogu. Kjo sigurisht që ka ndikuar të mos ketë një marrëveshje finale, sepse po të ishte i qartë procesi i dialogut prej fillimit se çka po duhet të diskutohet dhe cili ishte qëllimi kryesor tashmë kishte mundur të ishte edhe i përfunduar. Por po e shohim që ka qenë prolongim i procesit edhe nga ana e Serbisë, njëkohësisht edhe nga ana e Kosovës, por edhe nga vetë ndërmjetësuesi, që në këtë rast ka qenë Bashkimi Evropian”, ka potencuar ai.
Duke u nisur nga rrethanat aktuale, sado që dialogu tashmë është në fazën finale, Demhasaj ka konsideruar se gjasat janë shumë të vogla që të ketë marrëveshje brenda këtij viti.
“Nuk po shihet që mund të ketë marrëveshje në një afat të shkurtër, të paktën tash me qartësimin e situatës”, ka theksuar ai.