Mjekët paralajmërojnë bojkot të punës për shkak të kërcënimeve

Në një anketë të zhvilluar në vitin 2018 nga Oda e Mjekëve të Kosovës me 381 mjekë të anketuar ka dalë se mbi 78 për qind e mjekëve të anketuar kanë përjetuar ndonjë lloj sulmi, qoftë verbal ose fizik gjatë ushtrimit të profesionit. Dhuna dhe kërcënimet ndaj mjekëve nuk janë ndalur as këtë vit. Nga Federata e Mjekëve është paralajmëruar bojkot i punës nëse kërcënimet ndaj personelit mjekësor vazhdojnë, shkruan Gazeta "Zëri".
S.B., mjek në Spitalin e Gjakovës, më datën 25 mars të këtij viti është kërcënuar me jetë nga familjarët e një pacienteje e cila pas trajtimit mjekësor të marrë në këtë spital dhe pastaj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kishte ndërruar jetë. Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se fjalori ndaj mjekut S.B. kishte qenë i rëndë e ofendues dhe se për këtë rast ishte njoftuar edhe Policia e Kosovës. “Të hënën ka ardhur një paciente 34-vjeçare në Repartin e Emergjencës me gjendje të rëndë shëndetësore dhe është rekomanduar të shtrihet në Infektivë. Ajo është transferuar në Qendrën Emergjente në Prishtinë. Të nesërmen ajo ka vdekur në Klinikën Infektive në QKUK. Më datën 25 mars rreth orës 10:30 familjarët e së ndjerës kanë ardhur dhe janë fjalosur me mjekët. Më shumë janë fjalosur, nuk ka pasur kërcënim me armë. Vetë fjalori ka qenë i rëndë dhe ofendues për mjekun. Nuk ka përshkallëzuar situata, mirëpo ata e kanë thirrur Policinë. Neve si mantelbardhë nuk na vjen mirë për rastet e rënda që kanë përfunduar ashtu, por ne kemi bërë të pamundurën”, ka thënë ai.
Asllani ka bërë të ditur se raste të tilla të kërcënimeve ndaj personelit mjekësor ka pasur edhe më herët. “Ne kemi pasur edhe më herët raste, më shpesh në Repartin e Emergjencës na kanë kërcënuar. Spitali i përgjithshëm në Gjakovë qe një vit ka marrëveshje me Policinë, e cila qëndron nga ora 16:00 deri në orën 12:00 të natës, sepse shpeshherë po vijnë raste që bëjnë ndeshje e raste të ndryshme të konflikteve. Pra përveç sigurimit e kemi edhe Policinë që qëndron te dera e Emergjencës për të mbajtur rendin dhe qetësinë, sepse shpeshherë kanë qenë të kërcënuar nga populli”, ka thënë ai më tej.
Syla: Nëse kërcënimet vazhdojnë do të jemi të detyruar ta bojkotojmë punën
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se vazhdimisht ka kërcënime ndaj punëtorëve shëndetësorë. Sipas tij, nëse këto kërcënime vazhdojnë, atëherë personeli mjekësor do ta bojkotojë punën. “Ne në vazhdimësi kemi kërcënime, jo vetëm ndaj mjekëve, por edhe ndaj punëtorëve të tjerë shëndetësorë. Aktualisht ligji nuk është duke vepruar sa duhet. Nëse edhe kështu vazhdon ne kemi për të qenë të detyruar që edhe ta bojkotojmë punën”, ka thënë ai.
Syla ka vlerësuar se institucionet në vend nuk janë duke u marrë seriozisht me kërcënimet ndaj mjekëve. Ai ka thënë më tej se duhet të iniciohet një ligj i ri, i cili e mbron personelin mjekësor. “Ne kemi mbajtur edhe protesta, edhe greva. Institucionet nuk janë duke u marrë seriozisht me këtë punë. Neve nuk na mbetet tjetër vetëm duhet që të iniciohet një ligj, i cili me të vërtetë e mbron mjekun. Nëse kështu vazhdohet, mjekët janë të detyruar të mos japin shërbime. Duhet ta ketë populli shumë të qartë se në mjekësi dhe në institucione edhe vdesin pacientët”, ka theksuar ai.
Siguria e mjekëve, jo në nivel
Përveç kërcënimeve, ka pasur raste edhe kur stafi mjekësor është sulmuar fizikisht. Gjatë vitit 2018 një mjek në Spitalin e Gjilanit kishte marrë lëndime trupore pas sulmit fizik nga familjari i një pacienteje.
Gjatë vitit të kaluar në Shtëpinë e Shëndetit, në fshatin Zhegër, të komunës së Gjilanit, një person kishte sulmuar mjekun kujdestar me sëpatë, por i cili nuk kishin pësuar lëndime trupore.
Për dallim nga Spitali i Gjakovës, drejtori i Spitalit të Gjilanit Nisret Hajrullahu ka thënë për “Zërin” se sigurinë në këtë spital nuk e ofron Policia, por kompania e sigurimit. Sipas tij, siguria nuk është në nivel. “Ka pasur raste para dy-tre vjetëve. Ndoshta ka pasur ndonjë mosmarrëveshje, por nuk është përshkallëzuar në konflikt sa për të pasur nevojë të ndërhyjë Policia ose dikush tjetër. Siguri nuk ka. Sigurinë nuk e ofron Policia e Kosovës, por kompania e sigurimit, megjithatë edhe ata nuk janë në ndonjëfarë niveli, por është problemi se fatmirësisht nuk ka pasur konflikte individuale. Nuk është çështja e sigurisë se është në nivel, por derisa të vijë Policia për gjysmë ore a një orë në këto raste mundemi edhe të vonohemi”, ka thënë ai.
Policia e Kosovës: Të gjitha rastet i trajtojmë me seriozitet
Ndonëse nuk kanë dhënë informata se sa persona nga personeli mjekësor gjatë këtij viti janë kërcënuar dhe janë sulmuar fizikisht, nga Policia e Kosovës kanë thënë për “Zërin” se të gjitha rastet e tilla ata i trajtojnë me seriozitet. “Policia e Kosovës të gjitha rastet, të cilat kanë të bëjnë me sulme ose me pengim të personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, pavarësisht se cilit institucion zyrtarët i takojnë, ne i evidentojmë ose i regjistrojmë ato sipas Kodit Penal të RKS-së, të cilat vepra janë të specifikuara me Kod Penal si ‘Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’ dhe ‘Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare’. PK-ja të gjitha këto raste, pavarësisht cilit institucion i përket, i trajton me seriozitet dhe me kompetencë”, ka thënë zyra për informim në PK.
Sipas saj, për këto raste Policia konsultohen edhe me Prokurorinë. “Në raste të tilla të gjitha veprimet policore ndërmerren konform ligjeve të aplikueshme në vend sipas konsultimeve relevante edhe me prokuroritë kompetente, si dhe gjithnjë duke u bazuar në procedura standarde të operimit për veprime policore në mënyrë sa më profesionale. Vendimet për dënime merren nga organet kompetente, respektivisht gjykatave sipas ligjeve në fuqi”, është thënë më tej për gazetën./ZËRI