Gashi: Hezitimi i zyrtarëve publik për ta fshehur pasurinë, i qëllimshëm

Gashi: Hezitimi i zyrtarëve publik për ta fshehur pasurinë, i qëllimshëm

Aktuale March 26, 2019 - 11:34
Lexo Detajet

Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ndonëse kanë afat ligjor vetëm deri këtë të premte. Megjithatë shqetësimet janë se deklarimi i pasurisë po bëhet vetëm për ta përmbushur obligimin ligjor, pasi që pasuria e disa zyrtarëve është shumë më e lartë se ajo që deklarohet, shkruan gazeta "Zëri".

E avokati Tomë Gashi mendon se ky hezitim është i qëllimshëm dhe jo i rastësishëm. Kjo sipas tij po bëhet për shkak të mungesës së pasojave.

Kjo është shumë e qartë, edhe pse ka shumë mënyra të fshehjes së pasurisë, besoj një pjesë e këtyre udhëheqësve politikë ose të njerëzve të përfshirë, ose të lidhur me politikën nuk e deklarojnë pasurinë dhe të ardhurat e tyre siç janë të obliguar me ligj për shkak se deri më tani askush nuk ka pasur ndonjë pasojë serioze për mosdeklarimin ose deklarim të rrejshëm të tyre”, ka potencuar Gashi për “Zërin”.

LEXO EDHE: Mbi 2500 zyrtarë me pasuri “sekrete”

Ai ka thënë që në vend duhet të ekzistojë një agjenci e pavarur krejtësisht në mënyrë që zyrtarët publikë të kenë pasoja juridike në rastet kur nuk e tregojnë pasurinë e tyre. Sipas tij, agjencia aktuale përderisa të veprojë nën ombrellën e Qeverisë gjendja e njëjtë do të vazhdojë për një periudhë të gjatë kohore.

“Duhet të kemi një agjenci krejtësisht të pavarur dhe duhet të gjendet forma që kjo agjenci të ketë peshën e vet dhe që të jetë hulumtuese, që në rastin kur zyrtarët e lartë shtetërorë nuk i deklarojnë pasuritë e tyre, atëherë të mundë të kenë pasoja juridike dhe ndoshta edhe të largohen nga funksionet që i mbajnë, pasi që kemi të bëjmë me keqpërdorime të parasë publike dhe paraja publike është e popullit”, u shpreh Gashi.