Haxhiu: Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë nuk është real

Haxhiu: Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë nuk është real

Aktuale March 26, 2019 - 09:07
Lexo Detajet

Mbi 2500 zyrtarë të lartë publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit ndonëse kanë afat ligjor vetëm deri këtë të premte. Megjithatë shqetësimet janë se deklarimi i pasurisë po bëhet vetëm për ta përmbushur obligimin ligjor, pasi që pasuria e disa zyrtarëve është shumë më e lartë se ajo që deklarohet, shkruan gazeta "Zëri".

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk është real deklarimi i pasurisë nga zyrtarët publik.

Si faktorë të kësaj, ajo përmendi mosdeklarimin e pasurisë, pasi që lihen në emër të përsonave të tretë dhe pajustifikueshmërinë e saj.

“Fare nuk besoj që deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë është real pikërisht për faktin se ne kemi dy probleme: E para, me pajustifikueshmërinë e të ardhurave që i deklarojmë, në këtë kuptim shumë prej tyre janë në mospërputhje me pagën. Pra shumë pasuri të zyrtarëve të lartë që janë krijuar në vite dhe atë për një kohë të shkurtër janë në disproporcion me të ardhurat që kanë. Në anën tjetër kemi edhe shumë pasuri që janë lënë edhe në emra të personave të tretë, ku ata fare nuk i deklarojnë, sepse nuk i kanë në emër të tyre pikërisht për shkak të këtyre problemeve ligjore”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”.

LEXO EDHE: Mbi 2500 zyrtarë me pasuri “sekrete”

Tutje ajo ka theksuar për “Zërin” se AKK-ja do të bëjë kallëzim penal për të gjithë zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë dhe se është mirë që mos të lihet kjo punë për në momentin e fundit.

“Jemi të obliguar ta deklarojmë pasurinë dhe nëse nuk e bëjmë brenda afatit zyrtar ligjor që e kemi në dispozicion, atëherë ne bëjmë vepër penale dhe Agjencia Kundër Korrupsionit bën kallëzim penal për çfarëdo zyrtari që nuk e deklaron pasurinë. Prandaj nuk kemi mundësi për t’i ikur këtij afati, kjo është diçka që ndodh në vazhdimësi, secilin vit dhe ndoshta kjo është edhe për shkak të mentalitetit që e kemi të lihen gjithmonë punët në momentin e fundit”, ka potencuar ajo./Zeri/