PSD-ja i jep votën LDK-së e VV-së për rrëzimin e Qeverisë 'Haradinaj'

PSD-ja i jep votën LDK-së e VV-së për rrëzimin e Qeverisë 'Haradinaj'

Aktuale March 24, 2019 - 08:44
Lexo Detajet

Partia Socialdemokrate po akuzohet se nuk po bashkëpunon me dy partitë tjera opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë, përmes mocionit të votëbesimit. Por, një version tjetër rreth pamundësisë së shkuarjes në zgjedhje e jep deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Ai thotë se LDK-ja dhe VV-ja, nuk e kanë guximin ta nisin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj.

Kjo sipas tij, për shkak të presioneve nga akterët ndërkombëtarë, ku këta të fundit, kërkojnë që viti 2019 të ketë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“E kemi qitë në binarë procesin e dialogut, ndërsa për projekt buxhetin kemi qitë disa kushte të cilat jo vetëm nga ne por edhe nga shumica e qytetarëve janë vlerësua si të drejta dhe të domosdoshme, kështu që ne nuk jemi të interesuam me u lëshuar me akuza, ne bëjmë thirrje që LDK të bëhet pjesë e proceseve në Kosovë dhe të diskutojmë bashkë, jemi të hapur për rrëzimin e qeverisë dhe të interesuar, jemi i vetmi subjekt që i kemi dorëzuar nënshkrimet”, tha Molliqaj për Ekonomia Online.

“…unë e them sa herë jap deklarime publike për këtë temë, që as LDK dhe as Vetëvendosje nuk guxojnë me nis mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, për shkak të presionit ndërkombëtar që ky vit të jetë vit i marrëveshjes me Serbinë. Kështu që më duket kot, sepse a ke vullnet me rrëzuar qeverinë ose jo ajo bëhet përmes nënshkrimit të deputetëve, nisjes të mocionit të mosbesimit dhe votimit”, tha Molliqaj.

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme, sipas Molliqajt, mund të ndodhë edhe me kalimin e njërës nga partitë të koalicionit në opozitë. Akuzat ndaj PSD-së, ai i quan të padrejta dhe të pandershme.

“Besoj që është e padrejtë, e pandershme dhe tashmë e pasaktë çfarëdo tendence me sulmuar Partinë Socialdemokrate, e cila është faktor që e mban qeverinë ose jo. Edhe ata vetë por edhe publiku vet e din që në Kosovë mungon shumica për ta rrëzuar qeverinë pa dal njëra nga partitë që është në pushtet me kampin tonë opozitar të përbashkët ne nuk mund ta rrëzojmë këtë qeveri. Dallimi mes neve dhe LDK-së në këtë rast është që ne kemi vendosë që, përderisa t’i bëjmë numrat për me rrëzuar, këtë qeveri ta korrektojmë dhe ndryshojmë aq sa kemi fuqi pushteti”, u shpreh Molliqaj.

Molliqaj iu bën thirrje LDK-së dhe VV-së që ata ta marrin iniciativën për nisjen e mocion mosbesimit, duke iu garantuar që vota e PSD-së do të jetë pro rrëzimit të Qeverisë.

“Unë i sfidoj ata që ta nisin një mocion mosbesimin dhe të shohin se si do votojë PSD-ja. Unë iu them që PSD-ja do votojë për rrëzimin e Qeverisë. Nëse ata konsiderojnë që PSD-ja duhet të sillet si pas agjendës së tyre partiake, mendoj që janë duke gabuar, sepse ne jemi në demokraci dhe pluralizëm dhe secila parti e ka agjendën e vet se si sillet në opozitë ose në pushtet. Kështu që më duket se mentaliteti i tij i kaluar komunist nuk po e len me kuptuar që jemi në pluralizëm, nuk jemi në një komunizëm ose sistem një partiak”, u shpreh Molliqaj.