Universiteteve pritet t'u rikthehen akreditimit të programeve

Universiteteve pritet t'u rikthehen akreditimit të programeve

Aktuale March 23, 2019 - 14:58
Lajmet e fundit nga vendi!

Agjencia e Akreditimit, pas shqyrtimit të ankesave të marra nga Universitetet Publike për pezullimin e dyzet programeve studimore, pritet që të rikthejë akreditimin për një numër të madh të këtyre programeve. Zyrtarë të universiteteve publike thanë se programeve të pezulluara po u rikthehet akreditimi pas ankesave të drejtuara nga ana e tyre.

Dyzet programeve studimore  të institucioneve publike të arsimit të lartë muajin e kaluar u është tërhequr akreditimi nga  Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Por pas ankesave të universiteteve publike, se pezullimi i programeve ishte i pabazë, Agjencia e Akreditimit ka filluar të rikthejë akreditimin për ato programe që i plotësojnë kriteret e parapara. Rikthimin e akreditimit  për të gjitha programet e pezulluara e konfirmoi për Radio Kosovën Agron Bajraktari, rektor i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

“ Pas vendimit nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, Agjencisë se Akreditimit të Kosovës, ne kemi bërë ankesë e cila është shqyrtuar nga Agjencia e Akreditimi. Pas shqyrtimit të ankesës është rikthyer akreditimi për të gjitha programet e studimit” tha Bajraktari

Edhe prorektori i Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina”, Dashamir Bërxulli, i ka thënë  Radio Kosovës se edhe universitetit më të madh në vend i është rikthyer akreditimi për programet e pezulluara.

Ndërsa, kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, ka thënë për Radio Kosovën se ankesat po shqyrtohen nga  Komisioni për Ankesa dhe në ato në raste ku universitet i plotësojnë kriteret, akreditimi do të rikthehet.

“ Në vijim ne aty ku kemi vërejtur që ka pasur një staf dhe e kanë vendosur diku tjetër, e këtu nuk i kanë plotësuar kriteret, kemi mundësuar të bëjnë një lëvizje të stafit, por brenda stafit që është i deklaruar,e jo të marrin nga jashtë. Kjo është në proces e sipër, dhe prapë po theksoj se atyre institucioneve që kanë staf plotësues, do t’u rikthehet akreditimi, ndërsa ato që nuk kanë mundësi, do të mbetet vendimi që është marrë me herët” ka thënë Luboteni.

Ankesat nga universitetet publike erdhën si rezultat i mos respektimit të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë se Arsimit, ku neni 21 përkufizon marrjen e procedurës se akreditimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Akreditimit, vetëm pas një raporti vlerësues të ekipit të ekspertëve  të jashtëm, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e vendimit të fundit për universitetet publike.