Hoxhaj: Qeveria e ka prioritet krijimin e vendeve të punës

Hoxhaj: Qeveria e ka prioritet krijimin e vendeve të punës

Aktuale March 22, 2019 - 13:25
Lajmet e fundit nga vendi!

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj mori pjesë në simpoziumin ekonomik Francë – Kosovë. Në këtë konferencë, zëvendëskryeministri Hoxhaj deklaroi se Kosova dhe shtetndërtimi i saj janë storie suksesi falë miqve dhe aleatëve të saj, siç është Franca.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj theksoi se prioritet i Qeverisë së Kosovës mbetet zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës për qytetarët e Kosovës. Ai shtoi se Kosova ka arritur ta përdorë MSA-në si platformë për reformimin e shoqërisë dhe ekonomisë. 

 “Prioritet i Qeverisë së Kosovës  mbetet zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të punës. Megjithëse si shtet i ri kemi shumë sfida, kemi arritur që ta përdorim MSA-në si platformë për reformimin e shoqërisë dhe ekonomisë”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj, në  fjalën e tij në simpoziumin e parë ekonomik mes Kosovës dhe Francës. 

Zëvendëskryeministri Hoxhaj foli për progresin që ka shënuar Kosova në të bërit biznes, sipas indeksit të Bankës Botërore, duke lëvizur me dhjetëra vende përpara. Ai tha se pozita e favorshme gjeografike e Kosovës u mundëson bizneseve të huaja që të depërtojnë nëpër vendet e tjera të rajonit me produktet e tyre. 

 “Duke investuar në Kosovë, bizneset franceze shfrytëzojnë pozitën e favorshme gjeografike të Kosovës për të bërë biznes edhe në vendet e tjera të rajonit. Mirënjohës për mbështetjen e Francës për Kosovën”, ka përfunduar zëvendëskryeministri Hoxhaj.