Hoti për mbylljen kazinove: S’janë lojëra të fatit por lojëra të zhvatjes

Hoti për mbylljen kazinove: S’janë lojëra të fatit por lojëra të zhvatjes

Aktuale March 22, 2019 - 12:17
Lajmet e fundit nga vendi!

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka prezantuar projekt-rezolutën për mbylljen e kazinove.

Ai ka thënë se nga ato nuk pasurohet askush, përveç pronarëve të tyre që janë të njohur e të panjohur.

“Pra, këto nuk janë lojëra të fatit, por janë lojëra të zhvatjes së qytetarëve”, ka shtuar Hoti.

Kjo është fjala e tij e plotë:

“Vrasja tragjike e dy të rinjve në vendin e tyre të punës na ka prekur të gjithëve. Edhe një herë ju shprehim ngushellime familjeve dhe miqve të tyre. Është bërë e qartë, fatkeqësisht në mënyrë tragjike, se lojërat e fatit janë ambiente ku dëmtohen, dhunohen dhe vriten qytetarët. Është po ashtu e qartë se këto dy raste nuk janë të izoluara.

Krimi, dhuna, shkatërrimi i familjeve, humbja e pasurisë, prishja e qetësisë publike, janë efektet e vetme ekonomike dhe sociale të këtij sektori.

Askush nuk pasurohet nga këto bizneseve, përveç pronarëve të këtyre bizneseve, të njohur e të panjohur.

Jam i sigurtë se askush nga ju nuk e njohni një person të vetëm në Kosovë që është bërë i pasur nga lojërat e fatit.

Pra, këto nuk janë lojëra të fatit, por janë lojëra të zhvatjes së qytetarëve.

Shteti i Kosovës është përgjegjës të mbrojë qytetarët.

Por, është për keqardhje që vetëm pas ngjarjeve të tilla tragjike nxitet reagimi institucional lidhur me këto çështje.

Më lejoni të jap disa të dhëna, që dokumentojnë funksionimin e këtij sektori jashtë ligjit.

Sot, sipas të dhënave publike të Doganës, në Kosovë funksionojnë 1,645 aparate të licencuara të lojërave të fatit.

Për ilustrim, Kosova ka 1,469 vendbanime, që i bie së paku një aparat të lojërave të fatit për çdo vendbanim.

Përveç këtyre, në Kosovë funksionojnë 294 bastore të licencura.

Të dhënat nga Dogana për 2018 tregojnë se ka pasur 185 raste të shqiptimit të gjobave për pika të bastoreve të palicencuara.

Kjo nënkupton që ka gati dyfish më shumë bastore se sa që janë të licencuara.

Adminsitrata Tatimore më 2018 ka mbyllur 301 lokale të lojërave të fatit dhe ka shqiptuar 700 gjoba.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë qartë se ky sektor është, në masën më të madhe, duke funksionuar jashtë ligjit.

Të hyrat doganore gjatë vitit 2018 nga licencat e lojërave të fatit kanë qenë 16 mil euro.

A duhet të shndërrojmë Kosovën në kazino për të mbledhur këto 16 mil euro dhe ndoshta dyfishin e këtyre mjeteve?

Këto 16 mil euro janë të ardhurat e fundit të familjeve, të cilat pastaj na kthehen në familje që varen nga asistenca sociale, në familje me probleme të dhunës, ku fëmijët e humbin fëmijërinë e tyre.

Më 11 dhjetor 2018, Qeveria e Kosovës e ka miratuar Koncept Dokumentin për Lojërat e Fatit, ku parashihet promovimi i këtij sektori si mundësi për zhvillim ekonomik, të ardhura dhe punësim, si dhe rritje të buxhetit të shtetit.

Por, ajo që dihet për këto biznese është se plotë familje në Kosovë kanë humbur çdo gjë për shkak të varësisë nga lojërat e fatit.

Në vend se të kontrollohen e të ndëshkohen për shpërdorime, kazinotë janë shtuar nëpër të gjitha vendbanimet.

Janë raportuar vetëvrasje si rezultat i humbjes së pasurisë në lojërat e fatit.

Kjo sepse në kazino e Kosovës luhet vetëm me fatin e njerëzve.

Në kazinot e Kosovës me fat janë vetëm mashtruesit.

Me gjithë këto ngjarje tragjike që lidhen me këto biznese, shteti nuk mund të përmirësojmë imazhin e këtij sektori, siç pretendon të bëjë Qeveria Haradinaj me këtë koncept dokument.

Ne nuk mund të varim shpresat për rritje të buxhetit tek zvogëlimi i informalitetit dhe rritja e qarkullimit në këtë sektor, siç pretendon të bëjë Qeveria Haradinaj me këtë koncept dokument.

Është e mjerë ajo Qeveri që shpreson në rritje të buxhetit nga lojërat e fatit.

Vetëm një Qeveri me mentalitet kazinoje mund të paramendojë diçka të tillë.

Prandaj, duhet të marrë fund mentaliteti politik që favorizon kazinotë dhe lojërat e fatit, si formë të zhvillimit ekonomik, punësimit dhe të ardhurave.

Këtë qasje duhet ndalur urgjentisht, sa nuk është kthyer krejt Kosova në një kazino, ku humbës jemi të gjithë.

Nuk duhet të lejojmë që kazinotë ta ushqejnë krimin.

Nuk duhet të lejojmë që lojrat e fatit të përcaktojnë fatin e individëve dhe familjeve tona.

Si deputetë të Kuvendit të Kosovës, e kemi obligim që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen.

Mos veprimi sot i institucioneve do të rezultojë me më shumë krim e pasoja, dhe do ta vështirësoj adresimin e këtij problemi më vonë.

Prandaj,

Në emër të deputetëve nënshkrues të kërkesës për këtë seancë, kërkoj që Kuvendi i Kosovës, në mbështetje të nenin 65.1 të Kushtetutës, dhe nenit 44, paragrafi 4, pika (d), të Rregullores të Kuvendit, të miratojë këtë rezolutë:

1. Qeveria menjëherë të pezullojë aktivitetin e të gjitha llojeve të kazinove dhe lojërave të fatit deri në plotësim-ndryshimin e ligjit përkatës dhe

2. Kuvendi të mandatojë Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa që të nisë procedurat për nxjerrjen e ligjit të ri që i ndalon të gjitha llojet e kazinove dhe lojërave të fatit për një periudhë dhjetë vjeçare.

Kërkoj nga të gjithë deputetëve të mbështesin këtë rezolutë.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Gjithashtu kërkoj që, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e situatës pas vrasjes së dy të rinjve, të mos ketë debat parlamentar për këtë rezolutë.

Kështu që, në përputhje nenin 50.1, pika (d), të Rregullores së Kuvendit, kërkoj që menjëherë të votohet ky mocion.

Dhe pastaj të nxjerret rezoluta në votim”.