Bllokimi i KQZ-së dëmton organizimin e zgjedhjeve të ardhshme

Bllokimi i KQZ-së dëmton organizimin e zgjedhjeve të ardhshme

Aktuale March 22, 2019 - 10:17
Lajmet e fundit nga vendi!

Për shkak të mosfunksionalizimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Rafet Rama që nga shtatori i vitit të kaluar është në pritje për t’u ulur në kolltukun e Kuvendit. Njëjtë si Rama po presin edhe dhjetëra asamblistë lokalë. Për bllokim të KQZ-së partitë opozitare po e akuzojnë presidentin Thaçi, shkruan "Zëri". 

Adnan Rrustemi në cilësinë e ish-anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe tashmë kandidat për një mandat tjetër, në një përgjigje për "Zërin" është shprehur se bllokimi i KQZ-së mund ta dëmtojë edhe procesin organizativ të zgjedhjeve të ardhshme.

"Me këtë bllokadë po dëmtohet edhe kapaciteti organizativ i Komisionit Qendror për zgjedhjet e ardhshme, sepse duke dëmtuar KQZ-në dëmtohen edhe zgjedhjet, duke ditur se shumë aktivitete që realizohen gjatë vitit ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e zgjedhjeve", deklaroi ai për "Zërin". .

Rrustemi konsideron se me mosfunksionalizimin e KQZ-së presidenti është duke ndërhyrë në pavarësinë e këtij institucioni, por edhe në aktivitetet politike të partive.

"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve plot një vit është jofunksional, nuk mban mbledhje, nuk merr vendime dhe krejt kjo prej papërgjegjësisë së presidentit të Kosovës, i cili nuk po i përmbush kompetencat që i ka me Kushtetutë. Presidenti është duke ndërhyrë në pluralizimin politik, po cenon aktivitetet politike të subjekteve, në veçanti të opozitës, sepse duke ia ndalur fondin shtetëror partive po ndërhyn në aktivitetin e tyre të përditshëm, por edhe partitë në qeverisje po abuzojnë me pushtetin që kanë. Gjithashtu kjo është edhe ndërhyrje në pavarësinë e KQZ-së”, është shprehur ai.

“Zëri” gjatë ditës së enjte ka provuar të kontaktojë edhe me ish-anëtarët e tjerë të KQZ-së, por nuk ka mundur të marrë përgjigje nga ata. /ZERI