Mali i Zi e konsideron të kryer çështjen e Demarkacionit
Foto: Laura Hasani

Mali i Zi e konsideron të kryer çështjen e Demarkacionit

Aktuale March 21, 2019 - 10:34
Lexo tjera detaje

Pavarësisht zotimit të vazhdueshëm të kryeministrit Ramush Haradinaj, se do të ketë rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi, shteti i Malit të Zi e konsideron të përfunduar çështjen e Demarkacionit, raporton "Zëri.info".

Në një konferencë për media, pas një takimi që pati me zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, ministri i jashtëm i Malit të Zi, Srdjan Darmanoviq, tha se nuk ka kontestime rreth kësaj çështjeje.

“Problemi është zgjidhur. Kështu që ne nuk e shohim çështje të hapur këtë. Nuk ka pika kontestuese, kjo çështje është kryer”, ka deklaruar ai.

Se kjo çështje ka përfunduar, ka deklaruar edhe ministri i jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.

“Ne e kemi zgjidhur këtë problem, ky problem është i zgjidhur. Është komisioni ndërshtetëror që do të dalë dhe do të shënojë këtë kufi. Unë bësoj që ky problem është i zgjidhur. Kjo zgjidhje ka pasur goxha jehonë te madhe edhe ndërkombëtarisht”, ka potencuar i pari i MPJ-së.

Ndërkohë, sot është bërë një vit i plotë prejse në Kuvendin e Kosovës është ratifikuar marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi./ZËRI