Haki Rugova deklarohet për dy kandidatura për kryetar të LDK-së

Haki Rugova deklarohet për dy kandidatura për kryetar të LDK-së

Aktuale March 20, 2019 - 10:21
Lajmet e fundit nga vendi!

Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, thotë se Lutfi Haziri është figurë e rëndësishme politike dhe siç thotë ai, mund të zgjidhet kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend. Kështu ka deklaruar Rugova gjatë një interviste për “Zërin”, duke shtuar se procesi zgjedhor brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tashmë ka filluar dhe planifikohet të përfundojë brenda dy-tre muajve të ardhshëm.

“Forma e shpalljes së kandidaturës për kryetar nga Lutfi Haziri nuk është zyrtare, por ai e ka shprehur vullnetin që të kandidojë dhe është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe kryetar? Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe unë e shoh si kandidat potencial dhe shumë të mundshëm për kryetar”, shprehet Rugova.

Megjithatë, kryetari i Komunës së Istogut thotë se edhe Isa Mustafa mund të jetë në mandatin e ardhshëm kryetar i LDK-së. 

Zëri: Deri më tani vetëm nënkryetari i LDK-së z. Lutfi Haziri ka shpallur kandidaturën për kryetar të partisë. A planifikoni edhe ju ta bëni një gjë të tillë dhe a ka hapësirë për më shumë se një kandidat?

Rugova: Kjo formë e shpalljes së kandidaturës nga ana e z. Hazirit nuk është diçka zyrtare, sepse aty nuk ka afat ose diçka tjetër. Sigurisht që z. Haziri e ka shprehur vullnetin të kandidojë dhe ai është kandidat i mundshëm e pse të mos jetë edhe Lutfi Haziri kryetar. Ai është një figurë e rëndësishme e LDK-së, është njëri nga nënkryetarët dhe ka qenë në LDK që nga fillimi, unë atë e shoh atë si një kandidat potencial dhe shumë të mundshëm. Mirëpo duhet ta kemi parasysh që ka edhe të tjerë të interesuar që kanë ambicie, kanë vullnet dhe janë të gatshëm të jenë në ballë të LDK-së, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë që në udhëheqje të LDK-së aktualisht e kemi z. Isa Mustafën, pse të mos jetë edhe në mandatin e ardhshëm kryetar?

Zëri: Po ju z. Rugova, a do të jeni kandidat për të parin e partisë?

Rugova: Kjo është një çështje tjetër. Unë nuk do ta mbaj ndonjë sekret këtu, mirëpo nuk mendoj që është koha për këtë gjë, sepse ende nuk kemi hyrë në zgjedhje. Kandidaturat që po i shoh janë më shumë spekulime, pak dëshira, por edhe ambicie që ju mediet i afirmoni dhe i publikoni. Por shpallja e kandidaturave bëhet në fazën e mëvonshme në procesin zgjedhor, pas konstituimit final të kuvendeve, fillimisht mbahen zgjedhjet brenda nëndegëve dhe degëve dhe aty dalin kandidatët. Për një gjë jam i sigurt, kandidatë do të ketë, kandidatë LDK-ja ka mjaft, kualitet po ashtu, kështu që është mirë që të jetë një garë dhe është mirë kur ke potencial brenda partisë.