Muhaxheri flet për zgjedhjet në LDK, thotë se nuk është hapur ende gara për kryetar

Muhaxheri flet për zgjedhjet në LDK, thotë se nuk është hapur ende gara për kryetar

Aktuale March 20, 2019 - 10:07
Lajmet e fundit nga vendi!

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka folur për zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kompensimin e orëve të humbura nëpër shkolla, si dhe për problemet që janë shfaqur në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.

Muhaxheri tha se zgjedhjet e brendshme për fazën e parë janë hap në 22 degë nëpër Kosovë.

“Nuk është hap gara për kryetar. Janë hap vetëm zgjedhjet për 22 degë nëpër Kosovë…Jemi duke i bërë përgatitjet për sfidat që LDK-në e presin në vijim. Jemi gjithmonë përball proceseve që na presin përpara”, theksoi Muhaxheri.

I pyetur se a do të kompensohen orët e humbura nëpër shkollat në këtë komunë, për shkak të grevës së SBASHK-ut, ai tha: “Është drejtoria e arsimit që duhet t’i respektoj rregullat. Duhet të plotësohet kurrikulat e vitit siç është e paraparë. Janë në pyetje tri javë”.

Ai po ashtu foli edhe për problemin që është paraqitur në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, ku drejtoria e kësaj shkolle është duke kërkuar nga nxënësit fonde për rregullimin e kushteve sanitare.

Mirëpo, prindërit e nxënësve kanë paraqitur ankesat e tyre për këtë gjë, ndërsa kryetari Muhaxheri tha se ia ka bërë me dije drejtorit të kësaj shkolle që punët e mëdha i kryen komuna.

“Ne i kemi thënë drejtorit që renovimet e mëdha i bën komuna. Kemi bërë marrëveshje me Rotary International, që në muajin prill të filloj riparimi i mjeteve sanitare. Nëse nuk e bën Rotary International, e bën komuna”, ka thënë Muhaxheri.