Opozita insiston për zgjedhje të parakohshme, nga pozita e quajnë joserioze

Opozita insiston për zgjedhje të parakohshme, nga pozita e quajnë joserioze

Aktuale March 19, 2019 - 09:19
Lexo Detajet

Qeveria “Haradinaj” ka arritur ta çojë gati në gjysmë mandatin e saj pavarësisht mungesës së numrave të nevojshëm në Kuvend dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për rrëzimin e saj, por edhe pakënaqësive të partnerit të madh të koalicionit qeverisës (PDK) me taksën. Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se me shumë gjasë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vjeshtë, shkruan gazeta “Zëri”.

Ndërsa nga opozita, po insistojnë për zgjedhje të parakohshme. E partia më insistuese në këtë drejtim, mbetet LDK-ja.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, ka thënë për “Zërin” se kjo qeveri duhet të bjerë sa më shpejt dhe i ka ftuar partitë tjera, madje edhe ato që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës, të bëhen bashkë dhe ta rrëzojnë qeverinë aktuale.

Tutje ai ka shtuar se Mocionin për rrëzimin e Qeverisë, LDK-ja do ta dërgojë në Kuvend në momentin që sigurohen numrat.

LEXO EDHE: Zgjedhjet, në vjeshtë

E pro rrëzimit të Qeverisë është edhe Lëvizja Vetëvendosje. Nga ky subjekt politik konsiderojnë se deri më tash ajo ka mbijetuar falë Listës Serbe e aktualisht po mbijeton falë Partisë Socialdemokrate, përcjell zeri.info.

Këtë e ka thënë për “Zërin” Fatmire Mullhaxha-Kollçaku nga VV-ja.

“Ne si opozitë vazhdimisht kemi kërkuar në mënyrë demokratike zgjedhje të reja, sepse sido që po mbahet ky pushtet nuk po mundemi që asnjë çështje të rëndësishme ta shtyjmë përpara. Po e shohim që edhe në Kuvend me vështirësi po arrijnë t’i bëjnë numrat”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë nga koalicioni qeverisës, pretendimet e LDK’së për rrëzimin e qeverisë i konsiderojnë joserioze dhe se ekzistojnë vetëm për konsum të brendshëm.

“Seriozitetin e LDK-së nuk e shoh fare. Ata janë me zgjedhje të brendshme dhe janë duke u marrë me tema vetëm sa për të treguar se cili është lideri i LDK-së. E kanë për konsum të brendshëm, fare nuk e kanë për interesa të qytetarëve”, ka theksuar Teuta Haxhiu nga AAK-ja për “Zërin”.