Zv/ministri i brendshëm ka një kërkesë rreth legalizimit të armëve

Zv/ministri i brendshëm ka një kërkesë rreth legalizimit të armëve

Aktuale March 19, 2019 - 08:30
Lexo Detajet

Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, u ka bërë ftesë krerëve të shtetit, presidentit Thaçi, kryeministrit Haradinaj dhe kryeparlamentarit Veseli, për mbështetjen publike dhe të fuqishme të procesit të Legalizimit të Armëve në Republikën e Kosovës.

Ai përmes një shkrimi në Facebook thotë keqpërdorimi i armëve dhe trafiku i tyre i paligjshëm nuk janë shqetësim vetëm për sigurinë publike në Kosovë, por edhe për rajonin, duke qenë se nxisin krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërkohë që siguria jonë është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian.

Postimi i plotë i zv/ministrit Zeka:

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen tuaj në përshtatjen dhe ndryshimin e legjislacionit përkatës që rregullon dhe siguron zgjidhje për posedimin, keqpërdorimin dhe trafikimin e paligjshëm të Armëve të Vogla dhe të Lehta në Kosovë.

Dëshiroj t’ju informoj, dhe në të njëjtën kohë të kërkoj mbështetjen tuaj për procesin e legalizimit të armëve, i cili vazhdon deri më 17 qershor 2019, në mbështetje të zbatimit të politikave dhe legjislacionit të Republikës së Kosovës.

Procesi i legalizimit i iniciuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, dhe i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, është pjesë përbërëse e interesit dhe përpjekjeve të shtetit tonë për rritjen dhe forcimin e sigurisë publike në Kosovë. Keqpërdorimi i armëve dhe trafiku i tyre i paligjshëm nuk janë shqetësim vetëm për sigurinë publike në Kosovë, por edhe për rajonin, duke qenë se nxisin krimin e organizuar dhe terrorizmin, ndërkohë që siguria jonë është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe stabilitetin e Bashkimit Evropian.

Kjo është hera e parë që institucionet e Kosovës e kanë lansuar vetë këtë proces, dhe deri më tash kemi parë interes të madh; por kërkohet edhe mbështetja juaj për promovimin e legalizimit të armëve, në mënyrë që përpjekjet tona të jenë vërtetë të suksesshme dhe të sigurohet interesi jonë i përbashkët për një Kosovë më të sigurtë. Deri më sot kemi një numër prej 508 kërkesash për legalizim të armëve, dhe Ministria e Punëve të Brendshme ka lëshuar 216 pëlqime. Jemi të vetëdijshëm se ka ende mundësi që të përmirësohet procesi, dhe shprehim angazhimin tonë për vazhdimin e punës për trajtimin e këtyre hendekëve dhe për zbatimin në të ardhmen të mësimeve të nxjerra.

Pasojat humanitare të flukseve të paligjshme të këtyre armëve mund të jenë shkatërruese, duke rezultuar në viktima civile dhe duke penguar zhvillimin. Për këtë arsye, është e domosdoshme që çështja e armëve të lehta dhe të vogla të përfshihet në diskursin publik, si dhe të punojmë së bashku për parandalimin efektiv të krimeve të lidhura me armët dhe për adresimin e pasojave të flukseve të paligjshme të armëve.

Më lejoni ta shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju informuar mbi kontributet tona në iniciativat rajonale që bazohen në direktivat dhe rregulloret evropiane. Në vitin 2018, nën kujdesin e Gjermanisë dhe Francës, u lansua një iniciativë e përbashkët për: Udhërrëfyesin për zgjidhjen e qëndrueshme të posedimit, keqpërdorimit dhe trafikimit të paligjshëm të AVL-ve dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor, e cila u miratua në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër, më 10 korrik 2018. Synimi # 5 i tij përqendrohet në reduktimin e ndjeshëm të armëve të zjarrit në posedim të paligjshëm në Ballkanin Perëndimor.

Bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, në vendet ku incidente janë të pakta me armë zjarri të poseduara në mënyrë të ligjshme, ose aty ku bëhet kalimi nga një sistem i regjistrimit të armëve në tjetrin, siq është rasti edhe në Kosovë, reduktimi i armëve të zjarrit në posedim të paligjshëm mund të realizohet përmes kufizimit të kërkesës dhe furnizimit, përmes konfiskimit dhe dorëzimit vullnetar, përmes çaktivizimit, dhe sidomos përmes legalizimit. Nëpërmjet ofrimit të këtyre opsioneve, të gjitha metodat janë të disponueshme në mënyrë që qytetarët ta respektojnë ligjin.

Ky proces është në harmoni me Direktivën e BE-së për armët e zjarrit 91/477/EEC, të ndryshuara në vitin 2018, dhe kjo direktivë përcakton një masë shoqëruese për tregun e brendshëm. Kjo vendos ekuilibrin mes: 1) angazhimit për të siguruar njëfarë lirie të lëvizjes për disa armë zjarri dhe komponentët e tyre esencialë; dhe 2) nevojës për ta kontrolluar këtë liri duke përdorur garancitë e sigurisë së përshtatshme për ato produkte.

Ju ftoj dhe jam në dispozicionin tuaj për ta diskutuar në mënyrë më të detajuar fushatën e legalizimit dhe vizionin tonë të përbashkët për mënyrën e trajtimit të kërcënimit të këtyre armëve dhe municioneve të tyre.