Bllokimi i KQZ-së i lë partitë pa para qe tre muaj
Foto: Laura Hasani

Bllokimi i KQZ-së i lë partitë pa para qe tre muaj

Aktuale March 19, 2019 - 08:01
Lexo Detajet
Image

Bllokimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shkaktuar shumë pasoja për subjektet politike, ndër to është edhe bllokimi i të ardhurave. Opozita ka shfaqur shqetësim për ndaljen e këtyre fondeve dhe po kërkon nga presidenti i vendit Hashim Thaçi funksionalizimin e menjëhershëm të KQZ-së, shkruan gazeta "Zëri".

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe pas një viti ende nuk është funksionalizuar. Përveç vonesave në emërimin e përfaqësuesve politikë nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçi, probleme kanë dalë edhe me buxhetin e partive politike që financohen nga KQZ-ja.

LEXO EDHE: Hoxha: Vendimi për vizat, pas zgjedhjeve në BE

Ka gati tre muaj prejse një deputet i Kuvendit të Kosovës, 37 asamblistë komunalë dhe 13 subjekte politike nuk kanë marrë paga. Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë shprehur shqetësimin e tyre me ndaljen e këtyre fondeve dhe po kërkojnë vazhdimisht dekretimin e menjëhershëm të përfaqësuesve politikë në KQZ nga presidenti Thaçi, që si rrjedhojë e saj të zhbllokohet edhe buxheti.

Mirëpo megjithatë analistë politikë vlerësojnë se ndalimi i këtyre fondeve nuk mund të ndikojë shumë në veprimtarinë e partive politike, duke qenë se ato nuk financohen vetëm nga KQZ-ja.

Hoti: Bllokimi i KQZ-së i ka lënë pa të ardhura partitë politike

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një përgjigje për “Zërin” numëroi dëmet që ka shkaktuar bllokimi i KQZ-së, ku ndër to përmendi edhe ndalimin e fondeve për partitë politike. “Kjo bllokadë ka lënë qindra të punësuar të partive politike dhe të grupeve parlamentare pa të ardhura tash e tre muaj. Kjo bllokadë po e dëmton rendin demokratik në Kosovë. Janë mbi 35 këshilltarë komunalë dhe një deputet i Kuvendit që nuk mund të ushtrojnë funksionin e tyre sipas vullnetit të votuesve”, deklaroi Hoti. Ky është shprehur se presidenti i vendit e ka bllokuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet sa më shpejt dhe në harmoni me ligjet e vendit. “Presidenti e ka bllokuar KQZ-në në kundërshtim me Kushtetutën. Emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet në harmoni me Kushtetutën, me Ligjin për Zgjedhjet dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku përcaktohen grupet parlamentare”, ka thënë Hoti.

Kollçaku: Presidenti po shfrytëzon KQZ-në për ta bllokuar aktivitetin e opozitës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se bllokimi i fondeve për partitë politike do të duhej të ishte brengosëse edhe për partitë në pushtet, jo vetëm për ato opozitaret. Ajo akuzoi presidentin Thaçi se po shfrytëzon çdo instrument për ta parandaluar aktivitetin e opozitës. “Bllokimi i fondeve për partitë do të duhej të ishte brengosëse edhe për subjektet politike në pushtet, sepse në fakt KQZ-ja është një organ kushtetues që ndan buxhetin duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Mirëpo presidenti çfarëdo që po ka në dorë po e shfrytëzon dhe në këtë rast edhe një instrument shumë të rëndësishëm siç është KQZ-ja kundër opozitës dhe nuk po vepron ashtu siç ka obligim në bazë të Kushtetutës dhe të legjislacionit në fuqi”, ka thënë Kollçaku. Ajo potencoi se presidenti Thaçi duhet sa më shpejt t’i dekretojë anëtarët e KQZ-së në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare. “Duhet të dekretohen aq anëtarë të KQZ-së duke u bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, mirëpo këtu presidenti pikërisht sepse nuk po dëshiron t’i dekretojë dy anëtarë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe dy për Lidhjen Demokratike po kërkon formula të ndryshme për ta fuqizuar vetveten brenda KQZ-së dhe për këtë shkak nuk po e bën dekretimin me të cilin po e bllokon edhe buxhetin e partive”, deklaroi ajo. Kollçaku paralajmëroi që për këto shkelje presidenti do të përgjigjet pranë Gjykatës Kushtetuese.

Krasniqi: Partitë dhe presidenti duhet t’i kryejnë obligimet e tyre

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se si partitë politike, ashtu edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi duhet t’i kryejnë obligimet e tyre në lidhje me zhbllokimin e KQZ-së. Ai theksoi se mosfunksionimi i KQZ-së u ka sjellë probleme partive politike, duke përmendur që PDK-ja ka kohë që ka mbetur pa një deputet në Kuvendin e Kosovës. “Është e vërtetë që mosfunksionimi i KQZ-së u ka sjellë probleme të ndryshme partive politike. Në mes të tjerash PDK-ja ka mbetur edhe me një deputet më pak në Kuvend si pasojë e kësaj. Për ne është shumë me rëndësi që KQZ-ja të funksionalizohet sa më shpejt dhe në këtë drejtim të gjitha partitë dhe presidenti Thaçi duhet t’i kryejnë obligimet e tyre”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një përgjigje për “Zërin” është shprehur se shpreson që përmes debatit parlamentar që kanë pasur deputetët në Kuvendin e Kosovës të jetë përcjellë mesazhi deri te presidenti Thaçi për rëndësinë e funksionalizimit sa më të shpejtë të KQZ-së. “Unë shpresoj që përmes seancës është përcjellë edhe mesazhi që sa më shpejt të funksionalizohet KQZ-ja dhe besoj që secila parti parlamentare duhet t’i dërgojë emrat e përfaqësuesve të tyre, në mënyrë që ky institucion të zhbllokohet sa më parë”, ka pohuar ajo. Ajo theksoi se për shkak të bllokimit të KQZ-së po pësojnë shumë persona që marrin paga nga subjektet politike. “Është shumë keq që KQZ-ja ka mbetur e bllokuar, sepse secila parti ka persona të punësuar në subjekte politike dhe pagat i marrin prej atyre fondeve. Tash meqenëse KQZ-ja nuk është funksionale ata nuk kanë pasur mundësi t’i marrin pagat dhe fatkeqësisht nuk ka metodë tjetër të financimit të njerëzve që punojnë dhe ndoshta mbahen prej atyre pagave. Është apel edhe yni që sa më shpejt që është e mundur ky komision të funksionalizohet”, ka thënë Kadrijaj.

Murati: Partitë politike nuk varen nga fondet e KQZ-së

Analisti politik nga Instituti Demokratik i Kosovës, Artan Murati, ka thënë për gazetën “Zëri” se ndalja e financave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe mund të jetë pengesë për funksionimin e partive politike, porse ato nuk janë të varura nga këto fonde.

“Buxheti nga KQZ-ja është mënyra formale e marrjes së fondeve, sepse partitë politike në masë të madhe i mbajnë të fshehura financat e tyre dhe është vështirë e besueshme se subjektet politike jetojnë vetëm prej fondeve të KQZ-së. Mirëpo normalisht që kjo është një pengesë që u shfaqet direkt edhe subjekteve politike në përmbushjen e funksioneve të tyre brenda Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Murati. Ai u shpreh se për të gjetur zgjidhje për këtë problem presidenti i vendit duhet që sa më parë ta bëjë dekretimin e përfaqësuesve politikë sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gjë që siç ka thënë Murati është shumë e lehtë për t’u interpretuar, por mungon interesi politik. “Presidenti Thaçi është para një situate e cila sipas mendimit tim është e thjeshtë dhe goxha e lehtë për t’i lexuar dispozitat juridike, por si duket nuk është interesi politik që ai aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të interpretohet në përpikëri rreth asaj se çka është grup parlamentar. Rrjedhimisht tash gjithë kjo krizë ka marrë një konotacion politik dhe kjo është duke i kushtuar Kosovës jo vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin e funksionimit të institucioneve të pavarura”, deklaroi Murati./Zeri/