Zgjedhjet, në vjeshtë
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet, në vjeshtë

Aktuale March 19, 2019 - 07:38
Lexo Detajet
Image

Qeveria “Haradinaj” ka arritur ta çojë gati në gjysmë mandatin e saj pavarësisht mungesës së numrave të nevojshëm në Kuvend dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për rrëzimin e saj, por edhe pakënaqësive të partnerit të madh të koalicionit qeverisës (PDK) me taksën. Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se me shumë gjasë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vjeshtë, shkruan gazeta "Zëri".

Menjëherë pas formimit të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, kishin nisur të paralajmëronin rrëzim të Qeverisë, respektivisht zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por ndonëse janë bërë rreth një vit e gjysmë prej formimit të Qeverisë aktuale opozita nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret që do të çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Ndërkohë, pos opozitës, me rrëzim të Qeverisë kohët e fundit kanë kërcënuar edhe presidenti Hashim Thaçi e kryeparlamentari Kadri Veseli. Derisa kreu i shtetit në tetor të vitit të kaluar i pati bërë thirrje Haradinajt që të “korrigjohej” rreth çështjes së dialogut, kreu i Kuvendit gjatë këtij muaji tha se nuk rri as dy ditë në një Qeveri e cila i cenon raportet me SHBA-në.

Këto kërcënime nga ana e dy liderëve institucionalë kanë ardhur si pasojë e këmbëngulësisë së kryeministrit për moskorrigjim të kufijve dhe për mossuspendim të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe. 

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se aktualisht nuk do të ketë zgjedhje meqë opozitës i mungojnë numrat e nevojshëm, kurse PDK-së pavarësisht paralajmërimeve për rrëzim të Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet.

Kërcënimi i Thaçit dhe i Veselit për rrëzim të Qeverisë

Deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në fundvitin e kaluar thoshte se ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë ka vdekur, pati bërë që presidenti Hashim Thaçi ta kërcënonte direkt shefin e ekzekutivit me rrëzim të Qeverisë që ai drejton. Vetëm disa orë pas kësaj deklarate presidenti Hashim Thaçi pati thirrur konferencë për medie, me ç’rast pati thënë se kryeministri ka nevojë t’i korrigjojë deklaratat dhe qëndrimet rreth dialogut. Madje ai nuk pati lënë pa alarmuar kryeministrin se në një të ardhme të afërt do të mundë edhe të largohej nga pozita e të parit të Qeverisë. “Të gjithë e dimë se pozitat tona nuk janë të përhershme dhe se presidentët e kryeministrat mund të ndërrohen, të shkojnë e të vijnë të tjerë, sidomos mund të ndërrohen shpejt ata që nuk korrigjohen”, qe shprehur Thaçi në tetor 2018. Por tashmë kanë kaluar pesë muaj nga ky paralajmërim dhe Qeveria aktuale po vazhdon qeverisjen akoma.

Pos presidentit, rrëzimin e Qeverisë nuk la pa e paralajmëruar as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili njëherësh është lider i partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, PDK. Veseli në fillim të këtij muaji tha se nuk qëndron në një Qeveri e cila i prish raportet me SHBA-në. Ndërkohë, drejt cenimit të raporteve me SHBA-në sipas PDK-së çon këmbëngulësia e kryeministrit Ramush Haradinaj për të mos e pezulluar taksën 100 për qind. “Dy ditë nuk rri në një Qeveri e cila i dëmton këto raporte”, pati deklaruar Veseli për “Pista News”.

Insistimi i opozitës për zgjedhje të parakohshme

Rrëzimin e Qeverisë për më shumë se një vit po vazhdon ta paralajmërojë edhe partia më e madhe opozitare, LDK. Zëdhënësi i këtij subjekti, Besian Mustafa, ka thënë për “Zërin” se LDK-ja ende konsideron se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme. “Kjo qeveri duhet të bjerë dhe sa më parë duhet të shkojmë në zgjedhje. Ne vazhdimisht u bëjmë thirrje të gjitha partive, edhe atyre që janë në Qeveri, të na bashkëngjiten, t’i bëjmë 61 vota që ta rrëzojmë këtë qeveri”, ka deklaruar ai.

Mocionin për rrëzim të Qeverisë, siç ka thënë ai, LDK-ja do ta iniciojë në momentin që do t’i sigurojë numrat për t’i dhënë fund Qeverisë aktuale.  

Por deputetja e koalicionit qeverisës nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se LDK-ja nuk është aspak serioze në paralajmërimet për rrëzim të Qeverisë. “Seriozitetin e LDK-së nuk e shoh fare. Ata janë me zgjedhje të brendshme dhe janë duke u marrë me tema vetëm sa për të treguar se cili është lideri i LDK-së. E kanë për konsum të brendshëm, fare nuk e kanë për interesa të qytetarëve”, ka theksuar ajo.

Ndaj ajo është shprehur e vendosur se Qeveria aktuale do të ketë jetëgjatësi më të madhe sesa të gjitha qeveritë e kaluara.

Por sipas deputetes së LVV-së, Fatmire Kollçaku, Qeveria aktuale deri më tash ka mbijetuar falë Listës Serbe, ndërkohë aktualisht po mbijeton falë Partisë Socialdemokrate (PSD). “Ne si opozitë vazhdimisht kemi kërkuar në mënyrë demokratike zgjedhje të reja, sepse sido që po mbahet ky pushtet nuk po mundemi që asnjë çështje të rëndësishme ta shtyjmë përpara. Po e shohim që edhe në Kuvend me vështirësi po arrijnë t’i bëjnë numrat”, ka deklaruar ajo.

Zgjedhje, në shtator ose në tetor

Njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija, ka thënë se për zgjedhje është folur që nga dita e parë e formimit të Qeverisë aktuale. Partitë opozitare sipas tij janë të gatshme t’i japin fund Qeverisë, por kanë mungesë të numrave për ta bërë një gjë të tillë. Ndërkaq teksa ka folur për paralajmërimet e PDK-së për rrëzim të Qeverisë, Alija ka konsideruar se ky subjekt nuk do ta bëjë këtë hap në rrethanat aktuale. “PDK-ja mund ta rrëzojë Qeverinë e rrjedhimisht vetveten, por në këtë periudhë nuk do ta bëjë këtë. Kjo për faktin që rrethanat politike nuk e favozirojnë PDK-në në zgjedhje dhe sipas të gjitha gjasave PDK-ja do të shkonte në opozitë në rast zgjedhjesh”, ka shtuar ai.

Një gjë e tillë sipas tij mund të ndodhë tek kah fundi i këtij viti./Zeri/