Muharrem Nitaj e punëson edhe djalin tjetër

Muharrem Nitaj e punëson edhe djalin tjetër

Aktuale March 18, 2019 - 17:38
Lexo Detajet

Ndërmarrjet publike janë kthyer në derë punësimi për familjarët e politikanëve. Në mesin e familjarëve të politikanëve që janë rehatuar në këto institucione janë edhe dy djemtë e deputetit nga radhët e AAK’së, Muharrem Nitajt. Njëri në “Telekom”, e tjetri në “Pastrim”. Por, Nitaj ka mohuar të ketë ndikuar në punësimin e djemve. Ai ka thënë se asnjë nga këto punësime nuk janë bërë në baza partiake. 

Për vetëm një vit, dy djemtë e deputetit Muharrem Nitaj, kanë arritur që të punësohen në dy prej ndërmarrjeve publike në vend.

Genc Nitaj u punësua më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom, ndërsa së fundi vend në një ndërmarrje publike ka zënë edhe djali tjetër, Egzoni.

Ai është punësuar si IT në Kompaninë Rajonale “Pastrimi”.

E se djali i Nitajt është punësuar në këtë pozitë, këtë e ka konfirmuar edhe kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Burim Kelmendi.

Kelmendi ka thënë se Egzon Nitaj është me kontratë mbi vepër.

“Po, është punësuar. Është me kontratë mbi vepër, dhe e ka kontratën për katër muaj. Pozita e punës është IT”, ka thënë Kelmendi për Express.

Ndërkohë, për punësimin e të bijëve ka reaguar edhe vetë deputeti Nitaj. Ai ka mohuar që ka pasur ndikim në këto punësime.

Përmes një postimi në Facebook, Nitaj ka thënë se këto punësime nuk janë bërë në baza partiake. Derisa ka deklaruar se interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe, e jo me njerëz që marrin një kontratë pune qoftë edhe me pagë minimale.

Ai ka thënë se nuk po e kupton fushatën që, sipas tij, po sulmohen njerëzit që marrin 300-400 euro pagë, sikur ky të jetë rreziku me të cilin po përballet Kosova.

“Nuk po mundem ta kuptoj këtë fushatën qe te sulmohen njerëzit qe marrin 3-400 euro rroge me djersen e tyre, sikur kjo qenka rreziku me te cilin po përballet shteti! Interesi publik dëmtohet me shpërdorime milionëshe, me nepotizëm të nivelit të lartë e jo pse dikush merr një kontrate pune, qofte edhe te përkohshme me page minimale!”, ka shkruar Nitaj.

Nënkryetari i AAK’së ka thënë se është e pandershme të drejtohet gishti drejt AAK-së, pasi sipas tij, kjo parti në krahasim me të tjerat është engjëll.

“Është e pandershme qe te drejtohet gishti nga AAK, sepse ne krahasim me te tjeret AAK rezulton te jete engjëll. Por edhe kjo fushate do te marre fund dhe unë shpresoj shume qe shpërdorimet te denoncohen ne thelb e jo te provohet qe të behën balanca me shashka! Krejt këta që na kanë rënë në qafë për punësime, s’kanë lënë institucion pa pushtuar me qindra militantë dhe atë në pozita udhëheqëse”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Ndryshe djali i Muharrem Nitajt, Genc Nitaj, mori kontratën më 28 gusht të vitit të kaluar, si zyrtar i marketingut në Telekom.

Ndërkaq së fundmi në Postën e Kosovës është punësuar reja e nënkryetarit të AAK-së, Pal Lekajt, Dorentina Gashi-Lekaj. Po ashtu, në Telekom është i punësuar edhe bashkëshorti i bashkëpartiakes së Nitajt, Donika Kada – Bujupi