Opozita kërkon qeveri të re për ta udhëhequr dialogun

Opozita kërkon qeveri të re për ta udhëhequr dialogun

Aktuale March 18, 2019 - 07:55
Lexoni detajet
Image

Ndonëse në forma të ndryshme dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, po kërkojnë një qeveri të re për përfaqësimin e Kosovës në procesin e dialogut. Por partitë e koalicionit qeverisës, larg idesë për një qeveri të re, i bëjnë thirrje opozitës të bëhet pjesë e Delegacionit aktual Shtetëror për Dialogun me Serbinë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, vazhdojnë të mos pajtohen me përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Këto të dyja së fundmi po kërkojnë edhe një qeveri të re, e cila do të udhëhiqte me këtë proces. Për një gjë të tillë Vetëvendosja po kërkon zgjedhje të parakohshme, përderisa LDK-ja në pamundësi për zgjedhje ka dhënë edhe një opsion të dytë siç është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse për të cilën nuk do ta ketë përkrahjen e LVV-së.

LEXO EDHE: Katër komuna qe katër muaj pa kryetarë

Megjithatë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i shqetësuar për ngecjen e dialogut dhe për mënyrën që po e përdor koalicioni qeverisës këtë proces. Ai kërkoi edhe një herë që Qeveria të dorëhiqet dhe të japë mundësi për zgjedhje të reja.

“Dialogu është shndërruar në garë për t’ia treguar njëri-tjetrit muskujt brenda koalicionit të brishtë qeverisës, por edhe në instrument për të mbajtur pushtetin. Është bërë si arenë e gladiatorëve, ku sunduesit e zhvendosnin vëmendjen e qytetarëve nga problemet e tyre. Nëse dikush nga koalicioni qeverisës e do këtë vend dhe nuk dyshoj se ka të tillë, atëherë duhet ta pranojnë se e kanë mashtruar popullin dhe vetveten me parullat e PDK-së të vendimeve të mëdha dhe se vendimi i vetëm i drejtë i tyre është të japin dorëheqje. Të vetëshkarkohen e të shkojmë në zgjedhje”, ka shkruar Mustafa.

Millaku: Vetëm një qeveri e qëndrueshme mund të udhëheqë me dialogun

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se shkuarja në zgjedhje do të sillte një qeveri të re, e cila do të udhëhiqte me dialogun.

“Shpresoj që dialogu të mos fillojë me këtë ekip negociator dhe me këtë president, sepse ne do të ishim në disavantazh. Pala kosovare do të ishte e udhës që për shkak të situatës së krijuar të hynte në zgjedhje, të formonte një qeveri të qëndrueshme dhe vetëm pas kësaj të fillonte me një dialog që do t’i paraprinte një platformë e dakorduar brenda Kosovës, por edhe nga jashtë me miqtë ndërkombëtarë”, u shpreh ajo.

Millaku ka thënë se ngecja e dialogut deri më tash ka ardhur për shkak të presidentit Thaçi, i cili duhet të përjashtohet nga ky proces.

“Ngecja e dialogut me Serbinë është si rezultat i veprimeve krye në vete i Hashim Thaçit, si dhe mosharmonizimi i këtij dialogu me realitetin objektiv e me miqtë tanë, pra, dalja jashtë kornizave. Presidenti duhet që përfundimisht të përjashtohej nga dialogu, për shkak të dëmit të shkaktuar dhe të pozicionit të tij që ka krijuar në raport me interesat e vendit”, ka deklaruar ajo.

Reçica: Qeveria e re e opozitës nuk është në interes të vendit

Ndërsa deputeti i koalicionit qeverisës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica, në një përgjigje për “Zërin” hodhi poshtë kërkesën e partive opozitare për zgjedhje. Ai u shpreh se ende nuk është vonë që LDK-ja e LVV-ja t’i bashkohen Delegacionit Shtetëror për bisedime me Serbinë.

“Kërkesa që të shkohet në zgjedhje e pastaj në njëfarë mënyre të krijohet ekipi për bisedime me Serbinë është kërkesë ekskluzivisht politike dhe ka të bëjë vetëm me interesat e ngushta politike, por jo me interesat e Kosovës. Është shumë e domosdoshme që partitë opozitare të bashkohen dhe edhe tash nuk është vonë, meqë ende nuk ka filluar faza finale e bisedimeve me Serbinë, që të jenë të kyçura drejtpërsëdrejti në dialog”, ka thënë Reçica.

Duke i bërë thirrje LDK-së e LVV-së që t’i bashkohen dialogut, ai u shpreh se është e çuditshme se si këto dy parti nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij procesi mbi të cilin qëndron Kuvendi i Kosovës.

“Do të doja që dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike dhe Lëvizja Vetëvendosje, të jenë pjesë aktive e gjithëpërfshirëse në procesin e dialogut me Serbinë. Është për t’u çuditur që ato nuk kanë pranuar të jenë pjesë në këtë proces, duke pasur parasysh që me Ligjin për Delegacionin Shtetëror dhe Platformën, i cili është votuar në Kuvend, Kuvendi e merr rolin kyç dhe primatin në këtë proces, gjë të cilën ato e kanë kërkuar në vazhdimësi. Edhe ekipi negociator pa këto dy parti politike normalisht se nuk e ka fuqinë që do të mundë ta kishte po të ishin pjesëmarrëse LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Reçica.

Baraliu: Kërkesat për qeveri të re, joserioze

Analisti politik Mazllum Baraliu në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se opozita nuk është serioze, sepse nuk ka unitet as në kërkesa e saj për një qeveri të re.

“Kemi një opozitë e cila është totalisht e dekompozuar dhe është e paorganizuar, e cila po ndërron qëndrimet e saj. LDK-ja herë po mbron një qëndrim e herë një tjetër dhe hera e herës po largohet nga ajo që e ka thënë më parë. Tash po kërkon një qeveri gjithëpërfshirëse në mungesë të votave për ta rrëzuar Qeverinë, gjë të cilën Vetëvendosja nuk e përkrah, ajo po kërkon vetëm zgjedhje”, ka pohuar Baraliu.

Ai u shpreh se mosuniteti i partive politike në vend karshi procesit të dialogut e dëmton Kosovën në këtë proces. Baraliu potencoi se është shumë e rëndësishme që Kosova në Bruksel të përfaqësohet njëzëri.

“Është për të ardhur keq dhe është brengosëse se si është e mundur që nuk kanë politikë, nuk kanë përgjegjësi dhe vetëdije politike më të ngritur që të unifikohen e ta gjejnë një gjuhë të përbashkët për përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë. Një gjë e tillë e dëmton shumë edhe imazhin e Kosovës, por edhe fuqinë e saj në Bruksel”, ka thënë ai./ZERI