Pika e vetme unike e ndërkombëtarëve - vazhdimi i dialogut

Pika e vetme unike e ndërkombëtarëve - vazhdimi i dialogut

Aktuale mars 15, 2019 - 13:18
Lajmet e fundit nga vendi!

Pavarësisht paralajmërimeve se viti 2019 do të jetë vit i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Për një marrëveshje të tillë thuhet se aktualisht nuk ka gatishmëri as presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Gjasat janë që këtë vit në Kosovë dhe në Serbi të ketë zgjedhje të parakohshme, shkruan "Zëri". 

Lekë Batalli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka thënë për “Zërin” se shtetet e huaja që kanë kontribuuar dhe janë përfshirë në mbarëvajtjen e dialogut Kosovë - Serbi janë unike vetëm rreth një pike - se procesi i negociatave duhet të vazhdojë.

Mirëpo sipas tij një gjë e tillë nuk do të thotë që marrëveshja përmbyllëse duhet të jetësohet përgjatë këtij viti.

“Siç e theksoi edhe nënsekretari Hale, kjo nuk nënkupton që marrëveshja duhet të arrihet këtë vit. Për më tepër liderë të institucioneve, si kryeministri Haradinaj, konsiderojnë se nëse do të vazhdohej dialogu tani ai medoemos do të përfundonte me shkëmbim territoresh”, ka deklaruar ai.

Në të njëjtën kohë Batalli ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje, nga kushdo qoftë, nuk nënkupton se ajo është marrëveshje finale.

Kjo pasi sipas tij krejt në fund ajo duhet të votohet në Parlament dhe me gjasë të vihet në një referendum konsultues.    

Edhe njohësi i çështjeve politike Arton Demhasaj ka vlerësuar se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë nuk duket se do të ndodhë shpejt.

“E kemi parë se Serbia po heziton të hyjë në proces dialogues me Kosovën pa u hequr taksa. Tash paralel me taksën është shtruar edhe platforma dialoguese që Kosova e ka miratuar në Kuvend. Kur flasim për këto dy çështje, që në një mënyrë po e pengojnë dialogun, atëherë është vështirë të thuhet se një marrëveshje e tillë mund të jetë diku në horizont”, është shprehur ai. /ZERI