Isufi: Nuk pritet marrëveshje finale me Serbinë

Isufi: Nuk pritet marrëveshje finale me Serbinë

Aktuale mars 15, 2019 - 13:03
Lajmet e fundit nga vendi!

Pavarësisht zotimeve të presidentit Hashim Thaçi se gjatë këtij viti do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë, gjasat janë minimale që të ndodhë kjo gjë. Një marrëveshje të tillë si duket nuk është i gatshëm ta pranojë as presidenti Aleksandër Vuçiq, i cili qe një kohë po përballet me protesta të vazhdueshme nga opozita në Serbi, ndërsa në Kosovë gjitha partitë parlamentare janë kundër marrëveshjes nëpërmjet korrigjimit të kufijve, ku kundërshtari më i madh është kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan "Zëri". 

Para pak javësh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shprehur edhe një herë i bindur se këtë vit do të arrihet marrëveshja finale me Serbinë. Kreu i shtetit me këtë rast pati thënë se gjatë 2019-s rajoni do ta përmbyllë edhe konfliktin mes Kosovës e Serbinë.

“Këtë vit rajoni po përmbyll dy çështje të mëdha, atë të emrit ndërmjet Maqedonisë së Veriut e Greqisë, si dhe marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë”, kishte deklaruar Thaçi.

Ndërkohë deputeti i koalicionit qeverisës, i cili vjen nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë se pala kosovare tashmë është përgatitur për procesin e dialogut, por Serbia po vazhdon politikat kundër Kosovës. Rrjedhimisht, Isufi ka vlerësuar se nuk pritet që njëherë për njëherë të arrihet një marrëveshje finale mes dy palëve.

“Kosova është e përgatitur me Ligjin për Dialogun, platformën, me ekipin negociator, kurse sa i përket anës serbe, ata edhe më tutje po vazhdojnë me të njëjtën politikë kundër Kosovës dhe deklaratat e tyre janë shumë negative. Për atë nuk pritet ndonjë pozitivitet, që të mundë të arrihet një marrëveshje, e cila i obligon të dyja palët për njohje reciproke”, ka deklaruar ai për “Zërin”.  

Ndaj sipas tij, nuk mund të flitet për ndonjë datë se kur mund të ketë një marrëveshje përmbyllëse mes Kosovës e Serbisë, pasi që siç ka thënë Isufi, një gjë e tillë varet më shumë nga trysnia e bashkësisë ndërkombëtare te pala serbe. /ZERI