Selmanaj: S’ka marrëveshje pa LDK-në e pa LVV-në

Selmanaj: S’ka marrëveshje pa LDK-në e pa LVV-në

Aktuale mars 15, 2019 - 12:47
Lajmet e fundit nga vendi!

Pavarësisht paralajmërimeve se viti 2019 do të jetë vit i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Për një marrëveshje të tillë thuhet se aktualisht nuk ka gatishmëri as presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Gjasat janë që këtë vit në Kosovë dhe në Serbi të ketë zgjedhje të parakohshme, shkruan "Zëri". 

Edhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se arritja e marrëveshjes me Serbinë nuk duket të jetë afër. Madje ai ka konsideruar se pa dy partitë më të mëdha opozitare një gjë e tillë do të jetë e pamundur të ndodhë.

“Jemi të bindur se pa LDK-në dhe pa LVV-në kjo punë nuk bëhet. E dimë që këta janë futur në aventura të tilla politike, por të jeni të sigurt se përfundimi s’do të jetë në këtë vit, assesi jo. Por as ashtu si kanë menduar këta nuk do të jetë ai përfundim, sidomos agjenda e presidentit Thaçi është e pamundur të realizohet, sepse nuk është agjendë e shtetit të Kosovës”, ka potencuar ai.

Prandaj krejt ky proces, mënyra se si është ndërtuar ekipi negociator, ligji edhe platforma, sipas tij janë vetëm improvizime.

“Prandaj ne jemi të bindur për këtë, që ky proces nuk ka epilog të shpejtë pa shkuar vendi në zgjedhje”, ka theksuar Selmanaj gjatë një bisede për gazetën./ZERI