Për tre vjet zero dënime me burgim të nivelit të lartë

Për tre vjet zero dënime me burgim të nivelit të lartë

Aktuale March 15, 2019 - 07:52
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Për tre vjet asnjë zyrtar i profilit të lartë në Kosovë nuk është dënuar me burgim efektiv nga sistemi gjyqësor, ndonëse disa zyrtarë të lartë të shtetit janë gjykuar për “Korrupsion”. Kështu thonë monitoruesit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilët e kritikojnë këtë sistem se është i kapur nga politika, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ministri i Inovacionit Besim Beqaj, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha janë disa prej ministrave aktualë, ndaj të cilëve Prokuroria ka ngritur aktakuza, ndërsa ata vazhdojnë të jenë në pozita udhëheqëse.

LEXO EDHE: Këtë vit s’pritet marrëveshje me Serbinë

Po ashtu aktakuza nga Prokuroria Speciale janë ngritur edhe ndaj deputetëve Zenun Pajaziti (PDK), Milaim Zeka (Nisma), Shkumbim Demaliaj (AAK), si dhe ndaj disa deputetëve të LVV-së e të PSD-së për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ky fakt është theksuar edhe në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan mbi të Drejtat e Njeriut, i publikuar gjatë kësaj jave, i cili ka ngritur një alarm të kuq në Kosovë lidhur me ngecjet në sistemin e drejtësisë në vend.

Në këtë raport theksohen një numër i problemeve të mëdha në Kosovë gjatë vitit 2018, ku theks të veçantë i vihet ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë.

Ky raport nënvizon se në disa raste Qeveria ndërmori hapa për të ndëshkuar zyrtarë të forcave të rendit ose të institucioneve të tjera, të cilët kishin kryer shkelje.

Megjithatë sipas konstatimeve të Departamentit të Shtetit, në mes të punonjësve civilë, të opozitës, të shoqërisë civile dhe të medies mbetet e përhapur bindja se zyrtarët qeveritarë përfshihen në korrupsion pa frikën e ndëshkimit në përputhje me ligjin.

Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu thekson se ligji në Kosovë parashikon dënime penale për zyrtarët që kryejnë vepra korruptive, porse Qeveria “nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efektive”.

“Zyrtarët nganjëherë janë angazhuar në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe dobësia e përgjithshme në sundimin e ligjit kanë kontribuuar në këtë problem”, thuhet në raport.

Thaçi: Të trajtohen me seriozitet ngecjet në sistemin e drejtësisë

Presidenti Hashim Thaçi ka reaguar pas publikimit të raportit për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, me ç’rast theksoi se ka përparime në sektorin e drejtësisë, por edhe shumë sfida. Thaçi ka thënë se duhen marrë me seriozitet ngecjet e theksuara në këtë raport. “Raporti për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2018, i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka identifikuar shumë përparime në sektorin e drejtësisë, por edhe shumë sfida që kemi përpara. I jemi mirënjohës SHBA-së për investimet dhe për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës në sektorin e drejtësisë”, ka thënë Thaçi në një shkrim në llogarinë e tij në “Facebook”.

Sipas tij, lufta për përmirësimin e sistemit të drejtësisë duhet të vazhdojë.

“Të gjitha ngecjet që janë identifikuar në këtë raport duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës dhe të punohet me dinamikë më të madhe në përmirësimin e tyre. Ne duhet ta vazhdojmë luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe t’i garantojmë të drejtat e qytetarëve të të gjitha komuniteteve tona si vlera mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë”, ka shkruar tutje Thaçi.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë kësaj jave në një deklaratë për medie e ka pranuar faktin se në institucionet e shtetit ka korrupsion endemik dhe është shprehur i shqetësuar që nuk po ndëshkohet korrupsioni e krimi.

Ai me këtë rast ka thënë se institucionet u kanë krijuar kushte të mjaftueshme gjyqtarëve e prokurorëve dhe tash u mbetet atyre të jenë më efikas në ndarjen e drejtësisë dhe në ndëshkimin e korrupsionit.

Miftaraj: Nuk po luftohet korrupsioni në nivel të lartë, kemi ngecje në drejtësi

Ndërsa Ehat Miftaraj, nga IKD-ja, për “Zërin” ka bërë të ditur se sipas të gjeturave të këtij Instituti në tre vjetët e fundit asnjë zyrtar i profilit të lartë nuk është dënuar me burgim efektiv, teksa një gjë e tillë nënkupton se sistemi i drejtësisë kontrollohet nga politika.

“Sipas të gjeturave tona del se Kosova luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit e bazon kryesisht në hartim të ligjeve, të politikave dhe të strategjive, përderisa nuk ka vullnet praktik për të hetuar, për të ndjekur dhe për të gjykuar korrupsionin e nivelit të lartë kur njerëz të fuqishëm të politikës, të sistemit të drejtësisë dhe të grupeve të interesit dyshohet se janë të përfshirë në afera korruptive. Me vetë faktin se për tre vjet nuk ka asnjë zyrtar të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për ‘Korrupsion’ dëshmon kapjen e shtetit dhe instalimin e kulturës së pandikueshmërisë”, ka thënë ai.

Gashi: Sistemi i drejtësisë është i kapur nga politika

Kurse avokati Tomë Gashi duke i komentuar ngecjet e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të theksuara në raportin e Departamentit të Shtetit Amerikan, ka thënë për “Zërin” se ky sistem nuk do të përmirësohet pa ndërruar klasa politike në vend.

Kjo dëshmohet, sipas Gashit, me faktin se në krye të institucioneve kryesore kemi dhjetëra zyrtarë ndaj të cilëve ka aktakuza ose po hetohen për “Korrupsion”.

“I kemi deri më tani së paku 5 zyrtarë të lartë që janë ministra ose zëvendëskryeministra që janë dënuar në shkallë të parë për vepra të llojllojshme penale dhe kemi një numër të zyrtarëve që janë të tillë, por ende i ushtrojnë funksionet e tyre duke e shfrytëzuar mangësinë ligjore, ku nuk kemi të përcaktuar me asnjë ligj se dikush që është nën hetime ose i shpallur fajtor për vepra të caktuara penale do të duhej detyrimisht ta lëshonte funksionin e vet”, ka thënë Gashi, duke theksuar se një gjë e tillë e pengon funksionimin e rregullt të shtetit.

Sipas Gashit, i tërë sistemi i drejtësisë në vend është i ngufatur nga persona të ndikueshëm politik, situatë e cila nuk mund të ndërrojë pa ndërruar edhe udhëheqësit e institucioneve dhe tërë klasa politike në vend.

Gashi vlerëson se tërë kjo gjendje mund të ndërrojë nëse ka vullnet nga ana e institucioneve vendore, mirëpo një gjë e tillë sipas tij mungon.

Kurse duke e komentuar raportin e Departamentit të Shtetit, Gashi ka thënë se ky raport rithekson se sistemi i drejtësisë në vend është i kapur.