Sveçla: U shantazhuam për gylenistët

Sveçla: U shantazhuam për gylenistët

Aktuale March 13, 2019 - 07:56
Lajmet e fundit nga vendi!
Image

Xhelal Sveçla, kryesues i Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, i ka treguar “Zërit” për shantazhet me të cilat janë ballafaquar gjatë punës së tyre për këtë rast. Reagime të forta kanë ardhur edhe nga tri ambasadat më të fuqishme të huaja në vend, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Reagime të forta kanë ardhur nga përfaqësitë e huaja diplomatike në Kosovë, Ambasada e Amerikës, e Britanisë së Madhe dhe e Gjermanisë, në prag të njëvjetorit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga vendi, duke e kualifikuar si të parregullt një dëbim të tillë.

LEXO EDHE: Kërcënimet joserioze të PDK-së për zgjedhje

Më 29 mars do të bëhet një vit prejse institucionet kosovare të sigurisë dëbuan gjashtë gylenistë, për të cilin veprim Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kritikoi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Për ta ndriçuar këtë rast Kuvendi i Kosovës pati formuar një komision hetimor parlamentar, i cili kishte mandat katër muaj, me ç’rast për këtë periudhë arriti t’i evidentojë rreth 31 shkelje ligjore.

Përderisa mandati i tyre tashmë ka përfunduar, udhëheqësit e këtij Komisioni për “Zërin” thanë se mandati duhet të zgjatet me qëllim që të evidentohen shkeljet e plota.

Presidenti nuk bashkëpunoi me Komisionin

Deputeti Xhelal Sveçla, i cili ka qenë kryesues i këtij Komisioni, ka bërë të ditura pengesat që i kanë pasur rreth këtij rasti.

“U shantazhuam me kuorum të punës së Komisionit, pasi deputetë të subjekteve qeverisëse sa herë që nuk u ka pëlqyer rezultati i punës së Komisionit kanë lëshuar mbledhjen ose nuk kanë ardhur fare në mbledhjet e caktuara. Ne e kemi të qartë, raporti është i gatshëm. E gjitha çfarë është dashur të bëhet ka qenë që ky raport të votohet, por votimi është pamundësuar për shkak të obstruksioneve të disa anëtarëve të Komisionit”, ka thënë deputeti Sveçla për “Zërin”.

Po ashtu deputeti i Vetëvendosjes si vështirësi ka nënvizuar edhe mosbashkëpunimin e disa prej udhëheqësve të institucioneve për këtë rast, duke përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, i cili as pas tri thirrjeve nuk u ishte përgjigjur ftesës për raportim në Komision.

Ai ka konfirmuar që Komisioni në fjalë i ka evidentuar 31 shkelje për këtë rast.

“Ne i përshëndesim reagimet e ambasadorëve për këtë rast dhe është tejet e rëndësishme që puna e Komisionit të vazhdojë, në mënyrë që të gjitha gjetjet tona të procedohen për në seancë parlamentare”, ka thënë ai.

Haradinaj: Po punojmë për zbardhjen e rastit të gjashtë gylenistëve

Për këtë çështje reagoi dje edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili theksoi se Kosova asnjëherë nuk do t’u ikë përgjegjësive për zbatimin e ligjit, prandaj institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën në zbardhjen e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

“Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova. Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale, duke shkarkuar drejtorin e AKI-së dhe ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin”, ka thënë

Haradinaj, duke listuar kështu veprimet që ai pati marrë në kohën kur kishte ndodhur ky rast.

Kësisoj Haradinaj në një shkrim në llogarinë e tij në “Facebook” potencoi se zbatimi i ligjit për këtë rast është rruga e vetme.

“Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme. Zbardhja e së vërtetës, e përgjegjësve dhe e shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka thënë ndër të tjera ai.

Shala: Komisionit duhet t’i zgjatet mandati

Në anën tjetër anëtari i Komisionit për Hetimin e Rastit për Gjashtë Gylenistët, deputeti Haxhi Shala, ndonëse i ka quajtur të vonshme reagimet e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje ka thënë se Komisioni ende nuk e ka përfunduar punën dhe ka nevojë për zgjatje të mandatit.

“Reagimet e ambasadave janë pozitive, por më duket se janë paksa me vonesë. Komisioni nuk e ka përfunduar punën e vet dhe nuk mund të vlerësohet se ka gjetur 31 shkelje, sepse nuk e ka përfunduar raportin dhe punën. Prandaj nuk mund të thirren tash nga Komisioni Hetimor se janë gjetur kaq shkelje”, ka thënë Shala. 

Sipas Shalës, ndonëse institucionet e vendit kanë reaguar me kohë, përsëri Komisioni Parlamentar, i formuar për këtë çështje, nuk ka arritur ta përfundojë punën për shkak të mandatit të kufizuar.

Shala: Përfshirja e figurave politike në këtë rast po e zvarrit procesin

Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i ka thënë “Zërit” se të gjeturat e Komisionit Hetimor për këtë rast tregojnë qartë se me dëbimin e shtetasve turq janë shkelur të gjitha të drejtat dhe liritë e personave të dëbuar.

“Komisioni Hetimor ka kryer punën e vet, ku janë gjetur gjithsej 31 shkelje që kanë të bëjnë me shkelje të normave të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe të konventave ndërkombëtare të zbatuara drejtpërsëdrejti në Kosovë.

Si në kohën e dëbimit, ashtu edhe pas raportit të Komisionit Hetimor, IKD-ja e sheh shumë shqetësuese këtë rast dhe vlerësojmë se duhet të gjitha shkeljet e evidentuara të adresohen urgjentisht në mënyrë që të paktën të sajohet dëmi i krijuar”, ka thënë ai.

Sipas Shalës, zvarritja e këtij rasti po bëhet për shkak të përfshirjes së shumë figurave politike në këtë çështje.

“Sa i përket zvarritjes së këtij rasti, kjo ndodh pasi në këtë rast janë të përfshirë figura të larta dhe nga praktika kemi parë se në raste të tilla mungon vullneti për t’i shkuar deri në fund një çështjeje. Rrjedhimisht edhe në rastin konkret kjo mungesë e vullnetit ka bërë që ky rast të zvarritet deri më tash”, ka potencuar ai.