'Thaçi i ka bindur ndërkombëtarët për ndryshimin e kufijve'

'Thaçi i ka bindur ndërkombëtarët për ndryshimin e kufijve'

Aktuale mars 12, 2019 - 23:19
Lexo tjera detaje

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka folur për idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për paqe mes dy vendeve.

Konjufca ka thënë në T7, se “ndodhemi në një situatë kur shumë faktorë ndërkombëtarë, edhe që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti ka arritur t’i bindë që Kosova me Serbinë duhet t’i ndërrojnë kufijtë”.

Sipas Konjufcës, nuk qëndrojnë pohimet e bëra nga aktorë të ndryshëm se projekti i Thaçit për kufijtë po vdes.

“Është thënë se projekti i presidentit ka shkuar duke vdekur, por mendoj se nuk ka përfunduar”, ka thënë Konjufca.

“Unë konsideroj se projekti i presidentit është gjallë ende”, ka vlerësuar shefi i deputetëve të VV’së.

“Ai s’e ka gajle platformën”, ka thënë më tej Konjufca, duke minimizuar rëndësinë e Platformës shtetërore për dialogun me Serbinë.