Phillips: Rusia po kërkon ta zgjerojë ndikimin e saj malinj në gjithë Ballkanin
Shteti që udhëhiqet nga presidenti Vladimir Putin po shpenzon miliarda rubla në shtetet e Ballkanit, duke tentuar ta pengojë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Madje ekspertët amerikanë alarmojnë se Rusia dëshiron të provokojë një konfrontim të dhunshëm në mes të Kosovës e Serbisë, në mënyrë që ta diskreditojë projektin e shtetit më të ri në Evropë dhe ta ngatërrojë SHBA-në e NATO-n në mosmarrëveshjet rajonale, shkruan sot gazeta "Zëri".
David L. Phillips, ekspert amerikan i politikës së jashtme, ka theksuar për gazetën “Zëri” se Rusia po kërkon ta zgjerojë ndikimin e saj malinj në gjithë Ballkanin.
LEXO EDHE: Rusia, gati ta trazojë Ballkanin
Ish-këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit vlerëson se Rusia është e motivuar nga antiamerikanizmi dhe armiqësia ndaj institucioneve perëndimore si: NATO-ja dhe Bashkimi Evropian.
“Rusia organizoi një grusht shteti në Mal të Zi për ta parandaluar hyrjen e saj në NATO. Ajo u përpoq për t’i penguar reformat në Maqedoni, në mënyrë që të bllokojë zgjidhjen e çështjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë, duke e ditur se zgjidhja do të rezultojë në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe do t’i përmirësonte shanset e saj për integrimin e mëtejshëm euroatlantik”, pohon Phillips, për "Zërin". /ZERI