Quni: Specialja nuk gjykon pastërtinë e luftës së UÇK-së, por individë të caktuar

Aktuale February 23, 2019 - 11:45
Lexo tjera detaje

Gjykata Speciale deri më tani ka ftuar për intervistim rreth 20 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ftesa të tilla nuk kanë marrë ende udhëheqësit kryesorë të UÇK-së, të cilët janë sot në krye të institucioneve shtetërore, shkruan Gazeta "Zëri".

Anton Quni, protagonist i betejës së Koshares dhe një prej udhëheqësve më të lartë të UÇK-së, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që Gjykata Speciale nuk duhet në asnjë formë të gjykojë luftën e pastër të UÇK-së, por vetëm individë të caktuar rreth të cilëve kanë dyshime. “Sa i përket pastërtisë së UÇK-së, duhet ta kemi të qartë se në asnjë rrethanë nuk mund dhe nuk do të gjykohet ajo, por do të trajtohen raste individuale, për të cilat mund të ketë dyshime të caktuara. Në praktikën e Gjyqit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi nuk ka pasur asnjë gjykim kolektiv, por individual”, ka thënë Quni.

Sipas Qunit, derisa jemi në fazën fillestare të hetimit të kësaj Gjykate, rrjedhimisht mund të ndodhë që jo ndaj të gjithë të ftuarve të ngrihet aktakuzë.

“Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara janë në fazën fillestare, në fazën e intervistimit të individëve të caktuar. Kjo do të thotë se fazat tjera, edhe ajo që ka të bëjë me ngritjen ose me konfirmimin e akuzave, varet nga faza e intervistimit, por më shumë nga hetimet që ka kryer deri më tash. Pra, mund të ndodhë që jo ndaj të gjithë atyre që po intervistohen mund të ngrihen ose mund të konfirmohen akuza, ashtu siç mund të ndodhë që akuza të ngrihen ose të konfirmohen edhe ndaj individëve që mund të mos ftohen për intervistim”, ka thënë ndër të tjera ai./ZËRI