Abdixhiku denoncon Haradinajn: I ndau gjysmë milioni euro për mashtrim

Aktuale February 23, 2019 - 11:34
Lexo tjera detaje

Deputeti nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me shpenzimet për 11 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria ndau gjysmë milioni për mashtrim.

Abdixhiku ka thënë se për festimin e pavarësisë u pagua dhjetëfish më lirë, e u faturua dhjetëfish më shtrenjtë. 

Ai ka thënë se u mashtrua në emblema, parakalim të ushtrisë e në kopjet e deklaratave të pavarësisë. 

“Shteti i tyre, në i thënshin ashtu, i shpërndanë këto 500,000 euro lehtësisht në mashtrim. Dhe atë në festim të pavarësisë. Paguan dhjetëfish më lirë e faturon dhjetëfish më shtrenjtë. Mashtron në lapsa e emblema pavarësie, në parakalim të ushtrisë e në flamur të Republikës. Mashtron në vet deklaratën e pavarësisë - 27,000 euro për shtatë kopje të saj”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook. 

Ai ka thënë se "plot 2540 kosovarë duhet të punojnë një vit rresht, nga mëngjesi deri në mbrëmje pa pushim e me kompenzim minimal për mbijetesë, për t’i ndarë nga pagat e tyre 500,000 euro tatim për shtet".

Mbi 18 mijë euro u dhanë vetëm për shtypjen e saj, 5 e 250 të tjera për dukjen e kamionëve me ikonat ceremoniale, e shoferët e tyre morën nga 100 euro, ndërsa qiraja për 7 kamionët në total arriti në 2,800 euro.

Në dokumentet e shpenzimeve që i ka siguruar KTV-ja, 1 mijë stilolapsa me ikonën e pavarësisë, buxhetit të shtetit i kushtuan 3 mijë euro, nga 3 euro secili.

Ndërsa 4 euro e 90 centë u pagua emblema metalike që liderët shtetërorë e kishin vendosur në xhaketat e tyre, e në total për to u dhanë 4 mijë e 900 euro.
Kompania “Dizarium”, 5 mijë euro ia mori shtetit vetëm për shpenzimet që i ka konsideruar si të paparashikuara, të cilësuara si kërkesa të minutave të fundit nga ta.Po kaq para u dhanë edhe për konceptin kreativ, sloganin dhe zhvillimin e materialit.
Tre fotografë profesionalë që kanë përcjellë aktivitetet e pavarësisë, morën nga 1 mijë euro secili.

Qeveria, në kuadër të shpenzimeve, krijoi një domen për 5 vjet që i kushtoi 500 euro, derisa aplikacioni në rrjetet sociale kushtoi 1 mijë euro, e 500 euro të tjera u dhanë për sponsorizim.

Ceremonia në hotel Venus, shtetit i ka kushtuar rreth 31 mijë euro. Këtu hyjnë zbukurimi brenda dhe jashtë hotelit, zërimi, ndriçimi, përkthimi etj.137 mijë euro ka kushtuar ceremonia kryesore, ku ka parakaluar për herë të parë ushtria.

Vetëm bina ku u vendosën liderët shtetërorë, i ka kushtuar shtetit 15 mijë euro. 1,780 euro të tjera u paguan për flamurin e madh që u ngrit mëngjesin e Ditës së Pavarësisë.5 parashuta u dizajnuan veçanërisht për ditën e pavarësisë, çmimi i të cilave ishte mbi 1 mijë euro për copë, apo në total 5, 770 euro, por për paragllajdistët u paguan edhe 6,750 euro.

Në katër sheshet kryesore, nga Grandi deri te Kuvendi, zbukurimi i 75 shtyllave thuhet se kushtoi rreth 14 mijë euro.

Brendimi i grilave dhe barrikadave që ka ndarë qytetarët me ceremoninë shtetërore, ka kushtuar 13 mijë e 300 euro.

12 mijë e 150 euro, “Dizarium” thotë se u kushtuan për zbukurimin e 15 kiosqeve të drurit “Verë n’dimër”.
Ndërkohë, koncerti në shesh kushtoi rreth 33 mijë euro, 18 prej të cilave shkuan për artistët.

Hiç më pak se 25 mijë euro kanë kushtuar 11 minutat me fishekzjarrë në mbrëmjen e 17 shkurtit.

Këto e shumë shpenzime të tjera që arritën vlerën prej 300 e 10 mijë eurosh i mori kjo kompani që u kontraktua nga protokolli i shtetit, për festimin e 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.Protokolli kishte kërkuar 500 mijë euro, me pretendimin që paratë e mbetura do të ktheheshin prapa.