Ministria e Mbrojtjes 'hesht' pas anulimit të ftesave nga SHBA-ja

Aktuale February 23, 2019 - 09:43
Lexo tjera detaje

Përveç mosdhënies së vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anulimit të vizitës së gjeneralit Timothy Orr në Prishtinë, SHBA-ja ka marrë vendim që t’ia anulojë Qeverisë së Kosovës ftesat për pjesëmarrje në tetë programe në qendrën evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani. Këto sanksione ndaj Kosovës po vijnë pas mosdëgjueshmërisë për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, shkruan Gazeta "Zëri".

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ftesat për pjesëmarrësit nga Kosova për të marrë pjesë në programet që kanë të bëjnë me sigurinë janë anuluar.

 “Ambasada e SHBA-së mund të konfirmojë se ftesat për pjesëmarrësit nga Kosova në tetë programe që fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator janë anuluar. Qendra evropiane për studime të sigurisë ‘Gerorge C. Marshall’ adreson sfida të sigurisë transnacionale dhe rajonale. Këto [sfida] do të përfshihen në këto seminare/programe”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Amerikës dhënë “Zërit”.

Të pyetur rreth kësaj çështjeje askush nga Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të flasë. Zyrtarë të Ministrisë kanë thënë se nuk duan të komentojnë lajme të tilla./ZËRI