Vetëvendosja: Haradinaj ta ndalë dëmin që po i bëhet Telekomit

Aktuale February 23, 2019 - 08:24
Lexo tjera detaje
Image

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj që të mos e lejojë në asnjë rrethanë Telekomin e Kosovës ta vazhdojë kontratën me “Z-Mobile”-n. Kjo pasi, siç u shprehën zyrtarët e këtij subjekti, nga kontrata me “Z-Mobile” Telekomi ka humbur 9-11 milionë euro në vit, shkruan Gazeta "Zëri".

Teksa foli para medieve, deputeti i këtij subjekti Liburn Aliu u bëri thirrje kryeministrit Ramush Haradinajt dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka të japin udhëzime për komisionin e ngritur për këtë çështje dhe të mos e lejojnë atë ta bëjë vazhdimin e kontratës. “Kontrata është dashur të hetohej nga organet e gjyqësisë. Tani jemi në momentin final kur kësaj kontrate i ka përfunduar afati. U bëjmë thirrje kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, si përfaqësues të aksionarit të vetëm të Telekomit të Kosovës, pra Qeverisë, t’i japin udhëzimet për bordin e Telekomit, rrjedhimisht për komisionin e ngritur për këtë temë, që ta konkretizojnë ndërprerjen përfundimtare të kësaj kontrate. Pra, të mos e lënë hapur asnjë shteg për vijimin e saj”, deklaroi Aliu.

LEXO EDHE: LDK-ja po 'eksperimenton' me idenë për qeveri gjithëpërfshirëse

Sipas Aliut, kontrata tashmë e skaduar me “Z-Mobile”-n është dashur të ndërpritej prej kohësh.

Edhe Fatban Bunjaku, drejtues i Komitetit për Komunikime Elektronike dhe Postare, tha se kontrata në fjalë ka qenë e dëmshme dhe i ka shkaktuar miliona euro humbje “Valës”. “Dëmi i është shkaktuar ‘Valës’ për përfitim vetanak dhe jo vetëm, edhe për gjunjëzim të ‘Valës’ me plan për ta blerë vetë në një privatizim të orkestruar. Edhe lëvizja e stafit në pozita të larta në Telekom drejt ‘Z-Mobile’, duke i kompromentuar interesat e operatorit publik flet në këtë llogari”, theksoi ai.

Ndaj, sipas Bunjakut, Telekomi duhet patjetër të shpëtojë nga dëmi i një kontrate të tillë. “Ky është momenti që pa hezitim Telekomi ta shpëtojë të ardhmen e tij nga dëmi i kësaj kontrate, pa harrur që për këtë kontratë duhet të ndodhë një proces gjyqësor, i cili duhet të kishte dhe pasoja financiare për ‘Z-Mobile’-n”, shtoi ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Ndërkaq deputeti Aliu vlerësoi se cilësia e shërbimit është degraduar së tepërmi dhe resurset e “Valës” janë mbishfrytëzuar nga “Z-Mobile”. “Vala e Telekomit ka humbur nga kontrata me ‘Z-Mobile’ 9-11 milionë euro në vit si pasojë e të hyrave të munguara, zhvatjes së abonentëve, shitjen e shërbimeve nën kosto dhe praktikat e tjera ‘dumping’ nga ‘Z-Mobile’, ndarja që përllogaritet vetëm nga raportimi i ‘Z-Mobile’ e jo nga barazimi i të dhënave të dyanshme, si dhe 30 milionë gjobë nga Arbitrazhi”, potencoi ai.

Meqë kontratës me “Z-Mobile” i ka skaduar afati, Aliu tha se nëse kryeministri lejon vazhdimin e saj në heshtje, atëherë edhe ai i nënshtrohet dhe bëhet partner në kontratën më korruptive dhe të dëmshme të këtij sektori të rëndësishëm.

LEXO EDHE: Liderët, 'të pakapshëm' nga Specialja

Në konferencë tutje u tha se më 17 janar 2019 nga Bordi i Telekomit është ngritur një komision me përshkrimin e punës “Negocim i kontratës me ‘Z-Mobile’”. Komisioni sipas zyrtarëve të LVV-së si duket më shumë është formuar për zgjatjen e kontratës me “Z-Mobile” sesa për ndërprerjen ose rinegocimin e saj në favor të Telekomit. “Nuk jemi të sigurt që ky Komision ka marrë udhëzimet e duhura nga menaxhmenti për ta mbrojtur interesimin e Telekomit. Kjo kontratë duhet të ishte ndërprerë prej kohësh. Përmbajtja dhe pasojat e kësaj kontrate duhet të ishin tashmë të hetuara e të gjykuara nga organet e drejtësisë”, potencoi Liburn Aliu./ZËRI