Nga marsi të gjithë mjekët u nënshtrohen kontrolleve mjekësore

Aktuale February 23, 2019 - 08:14
Lexo tjera detaje
Image

Të gjithë punëtorët shëndetësorë në institucionet publike shëndetësore në vend nga 18 marsi i këtij viti do të fillojnë t’u nënshtrohen të gjitha kontrolleve mjekësore, në mënyrë që më pastaj të merren edhe masat parandaluese, shkruan Gazeta "Zëri".

Sali Bllaca, shef i sektorit për Mbrojtje dhe Siguri në Punë në Shërbimin Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) ka thënë për “Zërin” se 7.100 punëtorë shëndetësorë do të bëjnë vizita specialistike, të cilat do të jenë falas për ta. “Projekti në nivel të SHSKUK-së përfshin 7.100 punëtorë që do t’i pajisë me certifikata shëndetësore dhe do të jenë pa pagesë.

LEXO EDHE: Liderët, 'të pakapshëm' nga Specialja

Nisja e procesit të vizitave sistematike në QKUK është nga data 18.03.2019 deri më 05.07.2019. Për shkak të pushimeve verore projekti do të ndërpritet në muajin korrik dhe gusht. Pas pushimit veror projekti do të vazhdojë nga data 02.09.2019 deri më 25.10.2019. Numri i pacientëve që do t’i nënshtrohen vizitave brenda dite është 40 punëtorë. Në QKUK do të kryejnë kontrolle mjekësore 3.607 punëtorë nga njësitë e QKUK-së dhe të SHSKUK-së të regjionit të Prishtinës”, ka thënë Bllaca, shkruan Gazeta "Zëri".

Ai ka bërë të ditur se në këtë mënyrë do të merren edhe masat parandaluese dhe do të bëhet mbrojtja e shëndetit të punëtorëve.

“Sektori për Mbrojte dhe Siguri në Punë këtë projekt e kishte realizuar për herë të parë në vitin 2015, ndërsa në këtë vit është hera e dytë që u nënshtrohen këtyre vizitave sistematike. Siguria dhe shëndeti në punë është pjesë përbërëse e organizimit të procesit të punës, duke ndërmarrë masat parandaluese, që kanë synim përmirësimin e kushteve të punës, mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e ambientit të punës, mbrojtjen fizike dhe psikike të punësuarve dhe të tjerëve që marrin pjesë në procesin e punës”, ka theksuar ai.

Bllaca ka thënë më tej se në bazë të gjendjes shëndetësore të punëtorëve shëndetësorë dhe aftësive të tyre në punë do të merren edhe masa.

“Në bazë të gjendjes shëndetësore dhe dokumentacionit, i cili dëshmon gjendjen shëndetësore për të punësuarin, kolegjiumi në kuadër të mjekësisë së punës – QKMP Gjakovë, në bazë të dokumentacionit të ofruar nga i punësuari dhe në pajtim me dispozitat ligjore konstaton aftësinë e tij në punë dhe masat do të merren konform vendimit të nxjerrë nga kolegjiumi për rastin përkatës”, ka thënë ai.

Kontrollet të cilat pritet të bëhen në muajin e ardhshëm i kanë mirëpritur anëtarët e Komisionit për Shëndetësi. Anëtarja e këtij Komisioni, Drita Millaku, ka vlerësuar se analizat të cilat duhet t’u nënshtrohen personeli mjekësor duhet të jenë të përhershme.

“Sa u përket analizave ato duhet të jenë të përhershme dhe jo të bëhen vetëm një herë, sepse punëtorët shëndetësorë janë personat që kanë kontakte drejtpërdrejt me pacientët. Kjo punë as nuk është dashur të diskutohet. Ne jemi duke jetuar në një shekull kur shëndetësia është dashur të lulëzojë, por në vendin tonë ka ndodhur e kundërta ka lulëzuar krimi e korrupsioni dhe ato të janë elementare për jetën e qytetarëve  janë degraduar dhe janë bërë të paarritura”, ka thënë ajo.

 Për shkak të punës mjekët rrezikohen nga sëmundje të ndryshme

Drejtori i Klinikës së Biokimisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Shemsi Veseli, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se personeli mjekësor do t’u nënshtrohet të gjitha analizave dhe kontrolleve, duke përfshirë edhe ato psikiatrike.

“Këto vizita janë të parapara në disa panele, edhe te kardiologu, internisti, pulmulogu, radiologu, pra janë vizita komplet që janë të parapara të kryhen për të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët janë këtu, që të dihet gjendja faktike e secilit prej nesh, sepse profesioni është shumë stresues. Do të bëhen fotografime të ndryshme dhe analizat komplet, do të bëhen kontrolle në aspektin kardiologjik,  po ashtu edhe kontrolle te psikiatri”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë për “Zërin” se personeli mjekësor rrezikohet nga sëmundje të ndryshme për shkak të punës që bëjnë ata.

“Nganjëherë rriten edhe statuset e hormoneve e të gjërave tjera. Po ashtu edhe për shkak të ngarkesës që është nganjëherë edhe zemra mund të ketë probleme. Ne jemi të rrezikuar edhe nga materiale të sëmundjeve të ndryshme ngjitëse, të rrezatimit jonizues dhe të atij jojonizues”, ka theksuar ai.

Mjekët e sëmurë nuk kanë të drejtë të punojnë në disa reparte

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se edhe para një viti mjekët e këtij spitali kanë bërë analiza.

“Kur merret një qëndrim në SHSKUK për t’iu nënshkruar analizave personeli shëndetësor, ata na informojnë edhe ne. Edhe më herët ne kemi bërë analiza sidomos dializa dhe analizat imunologjike. Po ashtu të gjithë mjekët para një viti i kanë bërë analizat mikrobiologjike për infeksione”, ka thënë ai.

Asllani ka thënë se nëse te ndonjëri nga mjekët evidentohet ndonjë sëmundje, atëherë ata nuk duhet të punojnë në repartet te të cilat mund të rrezikohet shëndeti i pacientëve.

“Te klinikat më të ndjeshme si pediatria, sallat e lindjes dhe disa reparte, nuk kanë të drejtë të punojnë nëse mjekët janë infektues për pacientët”, ka thënë ai./ZERI