LDK-ja po 'eksperimenton' me idenë për qeveri gjithëpërfshirëse

Aktuale February 23, 2019 - 08:10
Lexo tjera detaje
Image

Ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse nuk po shihet seriozisht as nga deputetët, por as nga analistët politikë. Sipas tyre, LDK-ja e ka të qartë se një gjë e tillë është e pamundur, por po dëshiron të shfaqet si parti e cila ka gjetur zgjidhje për problemet e vendit, shkruan Gazeta "Zëri".

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme të udhëheqë një qeveri gjithëpërfshirëse, pjesë e së cilës do të ishin të gjitha partitë politike. Por LDK-ja ka theksuar se nuk do të bëhej pjesë e qeverisë gjithëpërfshirëse nëse edhe vetëm një parti e kundërshton. Duke ditur qëndrimin kundër të Lëvizjes Vetëvendosje karshi kësaj çështjeje analistët vlerësojnë se LDK-ja nuk e ka seriozisht këtë iniciativë.

Sipas tyre, LDK-ja e ka të qartë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, por vetëm po dëshiron të shfaqet si parti që po gjen zgjidhje për problemet aktuale në vend. Edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës një gjë e tillë është e papranueshme, shkruan Gazeta "Zëri".

LEXO EDHE: SHBA-ja vazhdon sanksionet ndaj Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një përgjigje për “Zërin” ka thënë se partia e tij do të bëhet pjesë e qeverisë gjithëpërfshirëse vetëm në rast se LDK-ja udhëheq dhe në këtë qeveri marrin pjesë të gjitha partitë pa dallim. Sipas tij, kjo ide e LDK-së ka ardhur pas situatës që është krijuar në Kosovë dhe pas pamundësisë për të shkuar në zgjedhje.

“Duke e parë situatën aktuale në vend Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë një propozimide si strategji dalëse nga kjo situatë dhe që të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse me të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ne këtë qeveri përgjegjësia do të ndahet sipas parimit të votave në Kuvend, prandaj LDK-ja si partia më e madhe në vend i takon të udhëheqë me këtë qeveri dhe ta marrë rolin bashkë me partitë tjera konform fuqisë elektorale e politike në Kuvendin e Kosovës”, theksoi Rugova.

Ai ka thënë se përfshirja e LDK-së nuk e zbeh përkrahjen e elektoratit të saj, pasi LDK-ja nuk bëhet pjesë e këtij koalicioni “të amputuar”, por bëhet pjesë e një qeverie ku merr pjesë i gjithë spektri politik duke përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Ne nuk po themi që të bëhemi pjesë e një koalicioni të amputuar, Lidhja Demokratike bëhet pjesë e një qeverie të spektrit politik me bazë të gjerë vetëm me prezencën e të gjitha grupeve politike opozitare që nënkupton edhe me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nëse vetëm një subjekt parlamentar të abstenojë ne nuk do të bëhemi pjesë e një qeveri të tillë”, ka thënë Rugova.

Ai theksoi se në rast të formimit të një qeverie të tillë, ku LDK-ja do të udhëhiqte, kryeministri i mundshëm i kësaj partie do të merrte përgjegjësi për të gjitha temat e mëdha siç është edhe ajo e dialogut me Serbinë.

AAK: LDK-ja po luan me idenë për qeverinë gjithëpërfshirëse

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se Lidhja Demokratike e Kosovës po luan me idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse. Ai u shpreh se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Kjo është një lojë që po e luan LDK-ja, të cilët nuk po e deshifrojnë se a janë në të vërtetë për një qeveri gjithëpërfshirëse apo për një qeveri tjetër? Qeveria gjithëpërfshirëse nënkupton që të gjitha partitë të jenë në qeveri, si është e mundur të ndodhë kjo në kushte normale, si mund të presin që koalicioni, i cili tashmë ekziston, t’ia dhurojë qeverinë LDK-së?”, theksoi Selmanaj.

Sipas tij, me këtë kërkesë LDK-ja po tregohet joserioze, duke thënë se ajo e di që nuk ekzistojnë mundësitë të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Qeveria ekziston, është zgjedhur në mënyrë legjitime, kryeministër është Ramush Haradinaj dhe ai po vazhdon ta bëjë punën e tij pa problem. Por LDK-ja po tregohet joserioze kur po mundohet të vijë në krye të Qeverisë pa proces zgjedhor”, potencoi Selmanaj.

Vetëvendosja nuk bëhet pjesë e qeverisë gjithëpërfshirëse

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se kjo parti nuk bëhet pjesë e asnjë qeverie gjithëpërfshirëse, pasi një gjë e tillë nuk është zgjidhje për situatën aktuale.

"Kjo ide e LDK-së është e kahershme, nuk është e sodit, por ne konsiderojmë që kur të krijohen rrethanat vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, por një qeveri gjithëpërfshirëse nuk ka zgjidhje për vendin aktualisht dhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nëse krijohet një e tillë nuk do të jemi pjesë e saj", ka thënë Kurteshi.

Ismaili ka thënë se pavarësisht se kush çfarë roli do të marrë në atë qeveri, LVV-ja nuk bëhet pjesë e saj.

Alija: LDK-ja nuk është e gatshme për qeveri gjithëpërfshirëse

Analisti politik Rasim Alija e ka quajtur eksperiment idenë e LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse. Alija i ka thënë “Zërit” se LDK-ja e nuk është e gatshme për një gjë të tillë duke e ditur se as PDK-ja nuk do t’i jepte rol kryesor në atë qeveri e as LVV-ja nuk do ta mbështeste.

“Qeveria gjithëpërfshirëse është edhe improvizim e edhe eksperiment. Është vetëm ide sa për të ushqyer opinionin dhe për të luajtur një rol si parti opozitare në ofrimin e një alternative tjetër në raport me presionet për përfshirjen e LDK-së në procesin e dialogut. As LDK-ja nuk është e gatshme për një qeveri gjithëpërfshirëse e as lideri i koalicionit PAN, PDK-ja, nuk është e gatshme t’ia dorëzojë LDK-së çfarëdo roli në një qeveri të të gjithëve. Aq më shumë kur LVV-ja nuk do të pranonte çfarëdolloj përfshirjeje në një qeveri me konfigurimin e tanishëm”, deklaroi ai.

Alija thotë se në një qeveri gjithëpërfshirëse askush nuk do të merrte në plotësi përgjegjësi për proceset e vendit dhe se një gjë e tillë nuk është zgjidhje dhe më e arsyeshme është që vendi të shkojë në zgjedhje.

"Jemi pothuajse dy dekada me institucione dhe këto eksperimentet me qeveri të të gjithëve zakonisht kanë prirje për dështim, duke qenë se natyra e formimit të tyre nuk është e lidhur me ndonjë platformë qeverisëse, por me një lloj improvizimi ku tentohet që përgjegjësia t’i lihet të gjithëve nga pak. Situata është e qartë, duhet të ketë zgjedhje të reja dhe pas rezultatit qeverisës subjektet politike fituese duhet të kenë tri prioritete kryesore: përfundimin e dialogut me Serbinë, zhvillimin ekonomik e social të vendit dhe forcimin e rendit dhe të ligjit, me fokus në depolitizimin e gjyqësorit dhe të Prokurorisë”, theksoi ai./ZERI