Liderët, 'të pakapshëm' nga Specialja

Aktuale February 23, 2019 - 08:06
Image

Gjykata Speciale deri më tani ka ftuar për intervistim rreth 20 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por ftesa të tilla nuk kanë marrë ende udhëheqësit kryesorë të UÇK-së, të cilët janë sot në krye të institucioneve shtetërore. Megjithatë, njohësit e çështjeve të drejtësisë thonë se Specialja po mbledh informata për figurat kyçe të luftës, shkruan Gazeta "Zëri".

Ky fillimvit është shënuar me ardhjen e disa ftesave nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar me seli në Hagë, derisa ftesë nga ky organ i drejtësisë deri më tani kanë marrë rreth 20 pjesëtarë të UÇK-së.

Ndërkohë njohësit e çështjeve të drejtësisë vlerësojnë se Gjykata Speciale si strategji po përdor marrjen në pyetje të një numri të madh të personave, me qëllim që të marrë informacione dhe të dhëna lidhur me mënyrën se si ka funksionuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përgjegjësia komanduese në çdo zonë operative të UÇK-së, si dhe informata tjera lidhur me raste që janë me interes për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, shkruan Gazeta "Zëri".

Prandaj sipas tyre, deri më tani janë ftuar vetëm persona të nivelin më të ulët, përderisa nuk përjashtohet mundësia që ftesë nga Gjykata Speciale të marrin edhe personat, të cilët ishin në krye të UÇK-së e që sot janë në krye të institucioneve të Kosovës.

Quni: Specialja nuk gjykon pastërtinë e luftës së UÇK-së, por individë të caktuar

Anton Quni, protagonist i betejës së Koshares dhe një prej udhëheqësve më të lartë të UÇK-së, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka thënë për “Zërin” që Gjykata Speciale nuk duhet në asnjë formë të gjykojë luftën e pastër të UÇK-së, por vetëm individë të caktuar rreth të cilëve kanë dyshime.

“Sa i përket pastërtisë së UÇK-së, duhet ta kemi të qartë se në asnjë rrethanë nuk mund dhe nuk do të gjykohet ajo, por do të trajtohen raste individuale, për të cilat mund të ketë dyshime të caktuara. Në praktikën e Gjyqit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi nuk ka pasur asnjë gjykim kolektiv, por individual”, ka thënë Quni.

Sipas Qunit, derisa jemi në fazën fillestare të hetimit të kësaj Gjykate, rrjedhimisht mund të ndodhë që jo ndaj të gjithë të ftuarve të ngrihet aktakuzë.

“Gjykata Speciale ose Dhomat e Specializuara janë në fazën fillestare, në fazën e intervistimit të individëve të caktuar. Kjo do të thotë se fazat tjera, edhe ajo që ka të bëjë me ngritjen ose me konfirmimin e akuzave, varet nga faza e intervistimit, por më shumë nga hetimet që ka kryer deri më tash. Pra, mund të ndodhë që jo ndaj të gjithë atyre që po intervistohen mund të ngrihen ose mund të konfirmohen akuza, ashtu siç mund të ndodhë që akuza të ngrihen ose të konfirmohen edhe ndaj individëve që mund të mos ftohen për intervistim”, ka thënë ndër të tjera ai.

Hasani: Nëse marr ftesë nga Specialja, nuk do t’i përgjigjem

Në anën tjetër Nait Hasani, deputeti i Kuvendit të Kosovës, i cili ishte edhe luftëtar i UÇK-së, ka thënë për “Zërin” se nuk beson në drejtësinë që mund të ofrojë Gjykata Speciale, teksa ka shtuar se nuk do t’i përgjigjet kësaj Gjykate po qe se potencialisht merr ftesë nga ajo.

“Unë nuk do t’i përgjigjem asnjë gjykate, i kam kryer të gjitha ato që kam pasur, lufta ime ka qenë luftë për liri. Kjo Gjykatë nuk sjell drejtësi, sepse është një gjykatë politike e motivuar politikisht nga Serbia për t’i hetuar kinse krimet e pretenduara të UÇK-së gjatë luftës. Bashkësia ndërkombëtare ka rënë në kurthin e Serbisë për ta krijuar një gjykatë të tillë për t’i barazuar krimet që ka bërë Serbia me krimet që serbët pretendojnë kinse i ka bërë Kosova”, ka thënë ai.

Ndërkohë Hasani ka vlerësuar se pikërisht për shkak se kjo Gjykatë është gjykatë etnike nuk do të duhej që pjesëtarët e UÇK-së t’i përgjigjen ftesave të saj.

“Gjykata Speciale do të marrë njerëz, do t’i ngrejë çështjet dhe nuk do t’ia arrijë qëllimit të vendosë drejtësi. Përderisa nuk ka një unitet në këtë çështje tani është gjendja e tillë, përndryshe unë mendoj se nuk është dashur t’i përgjigjen kësaj Gjykate, për shkak se ajo nuk i trajton etnitetet në mënyrë të barabartë. Është një gjykatë etnike dhe gjykatat etnike nuk ofrojnë drejtësi”, ka theksuar ai.

Specialja po mbledh informata për figurat kyçe të UÇK-së

Ndërsa Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për gazetën “Zëri” ka thënë se strategjia aktuale e Prokurorisë Speciale është që përmes personave të nivelit më të ulët të mbledhë informata lidhur me mënyrën se si ka funksionuar UÇK-ja në zona të ndryshme operative, gjë që do të ndikojë pastaj në ngritjen e aktakuzave eventuale.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke përdorur strategji që përmes marrjes në pyetje të një numri të madh të personave të marrë informacion dhe të dhëna lidhur me mënyrën se si ka funksionuar UÇK-ja, përgjegjësia komanduese në çdo zonë operative të UÇK-së, si dhe informata tjera lidhur me raste që janë me interes për këtë Zyrë”, ka thënë ai.

Kësisoj sipas tij këto dëshmi që po i mbledh Prokuroria e Specializuar mund potencialisht në të ardhmen të krijohet mundësia që zyrtarë të lartë politikë të akuzohen nga kjo Gjykatë. “Pra, këto informata mund të shfrytëzohen në procedurë penale edhe si dëshmi, fakte ose prova kundër personave të akuzuar e që nuk mund të përjashtohet mundësia që në cilësinë e të akuzuarve të jenë zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë, që janë sot në funksione ose kanë qenë në të kaluarën”, ka theksuar ndër të tjera ai.

Miftaraj po ashtu ka thënë se përderisa Gjykata Speciale së shpejti do të hyjë në vitin e tretë të funksionimit të saj dhe vonesat në trajtimin e rasteve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në publik me të drejtë mund të ngrihen pyetje lidhur me menaxhimin dhe me funksionimin e këtij mekanizmi.

Specialja, loja e radhës e bashkësisë ndërkombëtare

Kurse njohësi i çështjeve politike Haki Abazi duke folur për punën e Gjykatës Speciale për “Zërin” ka thënë që kjo Gjykatë është loja e radhës e bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdimisht ka dështuar në ofrimin e drejtësisë për Kosovën.

“Me Kosovën janë bërë lojëra të ndryshme dhe nga shumë pjesëmarrës, të cilët e kanë kokën e fshehur. Drejtësia e UNMIK-ut ka dështuar së bashku me dështimin e plotë të EULEX-it, ndërsa drejtësia vendore është kapur plotësisht nga politika. Bashkësia ndërkombëtare ka treguar paaftësi për të siguruar drejtësi për kimet e bëra gjatë luftërave në Jugosllavi, duke e stërzgjatur procesin e gjykimit të kriminelëve serbë që kanë bërë krime e gjenocid edhe në Bosnjë e Hercegovinë, edhe në Kroaci, edhe në Kosovë”, ka thënë Abazi.

Kësisoj sipas tij, të njëjtin fat do ta ketë edhe Gjykata Speciale dhe Dhomat e Specializuara, të cilat protagonistin kryesor e kanë presidentin Thaçi.

“Në këtë vazhdë mendoj se vetë qëllimi i krijimit të Gjykatës dhe i Dhomave të Specializuara janë me qëllim jo të mirë dhe për këtë arsye edhe është pranuar fillimisht nga vetë Thaçi dhe është insistuar që nëpërmjet një procesi ndërkombëtar ‘të pastrohen’ dosjet e atyre që kanë keqpërdorur luftën dhe emrin e UÇK-së. Sigurisht që nuk duhet ndikuar në punën e asnjë institucioni të drejtësisë dhe duhet t’i presim rezultatet e punës së Dhomave të Specializuara, por unë e shoh me shumë dyshim gjithë qëllimin e kësaj Gjykate”, ka thënë tutje ai./ZERI