SHBA-ja vazhdon sanksionet ndaj Kosovës

Aktuale February 23, 2019 - 08:02
Lexo tjera detaje
Image

Përveç mosdhënies së vizës amerikane për kryeministrin Ramush Haradinaj dhe anulimit të vizitës së gjeneralit Timothy Orr në Prishtinë, SHBA-ja ka marrë vendim që t’ia anulojë Qeverisë së Kosovës ftesat për pjesëmarrje në tetë programe në qendrën evropiane për studime të sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani. Këto sanksione ndaj Kosovës po vijnë pas mosdëgjueshmërisë për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, shkruan Gazeta "Zëri".

Presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe tashmë është përkthyer në masa ndëshkuese ndaj Republikës së Kosovës. Pas refuzimit të vizës amerikane që i është bërë kryeministrit Ramush Haradinaj, SHBAj-ja ka marrë vendim që t’ia anulojë Qeverisë së Kosovës ftesat për pjesëmarrje në tetë programe në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall” në Gjermani.

Një gjë të tillë për gazetën “Zëri” e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, të cilët kanë bërë të ditur se programet në fjalë parashiheshin të fillonin në mars dhe të përfundonin në muajin shtator të këtij viti. Pavarësisht kësaj, askush nga Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të flasë rreth kësaj çështjeje. 

Ndërkaq Ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, Endrit Shala, ka pohuar edhe një herë se taksa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi derisa nuk eliminohen të gjitha arsyet që kanë shtyrë institucionet e Kosovës ta marrin një masë të tillë. Ndërkohë si pasojë e mossuspendimit të tarifës gjatë këtij muaji që bë e ditur se komandanti i Gardës Kombëtare të Iowas, gjeneralmajori Timothy Orr, kishte anuluar vizitën e tij në Kosovë, e cila parashihej të realizohej me rastin e përvjetorit të 11-të të Pavarësisë.

Ministria e Mbrojtjes “hesht” pas anulimit të ftesave nga SHBA-ja

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ftesat për pjesëmarrësit nga Kosova për të marrë pjesë në programet që kanë të bëjnë me sigurinë janë anuluar.

 “Ambasada e SHBA-së mund të konfirmojë se ftesat për pjesëmarrësit nga Kosova në tetë programe që fillojnë në mars dhe zgjasin deri në shtator janë anuluar. Qendra evropiane për studime të sigurisë ‘Gerorge C. Marshall’ adreson sfida të sigurisë transnacionale dhe rajonale. Këto [sfida] do të përfshihen në këto seminare/programe”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Amerikës dhënë “Zërit”.

Të pyetur rreth kësaj çështjeje askush nga Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të flasë. Zyrtarë të Ministrisë kanë thënë se nuk duan të komentojnë lajme të tilla.

Shala: Taksa nuk hiqet

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së karshi Kosovës, të ardhura si pasojë e mospezullimit të taksës, ministri i Tregtisë dhe i Industrisë Endrit Shala ka thënë se tarifa ndaj produkteve serbe do të vazhdojë të mbetet në fuqi. “

Taksa është një vendim i Qeverisë, arsyet pse është vendosur taksa dihen, janë të njohura. Përderisa nuk eliminohen arsyet, të cilat neve si Qeveri e Republikës së Kosovës na kanë shtyrë, na kanë detyruar ta marrim një vendim të tillë, mendoj që kjo masë do të vazhdojë të mbetet në fuqi”, ka deklaruar Shala gjatë një prononcimi për “Zërin”.  

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se tarifa në fjalë nuk do të largohet.  

Shpërfillja e sugjerimit të SHBA-së mund t’i përkeqësojë raportet

Kur është vendosur taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjës, sipas deputetit të LDK-së, Anton Quni, është thënë se një vendim i tillë është marrë si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Serbisë që po e bën në dëm të Kosovës. Por reagimet e bashkësisë ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje sipas tij sikur tregojnë se vendimi nuk është marrë në koordinim me ndërkombëtarët.

“Reagimet thuajse të njëzëshme të SHBA-së dhe të BE-së kundër kësaj takse sikur bëjnë me dije se vendimi për vendosjen e kësaj takse mund të jetë marrë pa u bashkërenduar me Uashingtonin dhe me Brukselin. E duhet të kujtojmë se Kosova ka qenë në bashkërendim me SHBA-në dhe me BE-në që në fillim të viteve '90 dhe edhe akti i shpalljes së pavarësisë është bërë më bashkërendim me Uashingtonin dhe me Brukselin”, ka deklaruar ai.

Prandaj sipas Qunit edhe çështja e taksës, përkatësisht e mundësisë së suspendimit të saj duhet të merret seriozisht në konsideratë, ashtu siç kanë sugjeruar amerikanët. “Në të kundërtën, mund të ketë një përkeqësim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së e që do të kishte pasoja të rënda për shtetin tonë e jo thjesht për Qeverinë”, ka potencuar Quni.

Lajmet për vendosjen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Kosovës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Xhelal Sveçla, i cili njëherësh është anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e FSK-së, i ka cilësuar si lajme tejet të këqija. Ndaj sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të gjejnë një zgjidhje për t’i parandaluar këto raste.

 “Ne kemi pasur përkrahje të madhe nga SHBA-ja jo vetëm në fuqizimin e FSK-së, por edhe në ndryshimin e mandatit të saj. Tash ky është një lajm i keq për ne, shpresoj që Qeveria do t’i ndërmarrë hapat e duhur për t’i sqaruar këto situata që t’i parandalojë e të mos përsëriten”, ka deklaruar ai. 

Pavarësisht kësaj, ai e ka cilësuar si vendim të drejtë vendosjen e taksës ndaj produkteve serbe. Por ka pohuar se Qeveria e Kosovës nuk e ka menduar mirë vënien e saj.

Masat ndëshkuese të SHBA-së mund të shtohen

Njohësi i çështjeve politike Shkodran Ramadani ka thënë se dështimi i dialogut Kosovë - Serbi është dështim i agjendës amerikane dhe cenim i interesave të tyre. Kësisoj, siç Ramadani ka vlerësuar, amerikanët janë bërë më agresivë në këmbënguljen e tyre për pezullimin e taksës.

“Këto pasoja, siç është komentuar, mund të prekin disa elemente dhe procese kyçe që mundësojnë konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Republikës së Kosovës. Ne e dimë se ligji që shndërroi FSK-në në ushtri u bë i mundur nga ShBA-ja, pavarësisht faktit se sekretari i përgjithshëm i NATO-s doli kundër”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, sipas tij reforma që FSK-në e shndërron në ushtri, e cila zgjat një dekadë, nuk është e mundur pa mbështetjen e SHBA-së.

“Meqenëse ndihma amerikane për ushtrinë është edhe financiare, edhe materiale, këto programe të sigurisë janë anuluar si levë për presion mbi Kosovën. Po ashtu donacioni i automjeteve luftarake amerikane “Humvee” për Kosovën është vënë në pikëpyetje”, ka nënvizuar ai.

Ramadani më tej ka thënë se rrezikimi i marrëdhënieve me SHBA-në do të prodhonte pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës. Masa të tilla nga SHBA-ja, siç Ramadani është shprehur, pritet të afektojnë edhe sektorët tjerë, siç është ai i drejtësisë dhe i politikës së jashtme.

“Qasja e tillë e amerikanëve mund ta prekë negativisht aftësinë diplomatike të Kosovës. Afirmimi ndërkombëtar i Kosovës është i pamundur pa mbështetjen e SHBA-së. Pa përkrahjen e amerikanëve Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare”, ka theksuar ai.

Prandaj insistimi i Qeverisë së Kosovës për të refuzuar me çdo kusht pezullimin e taksës sipas tij duhet të rimendohet.

“Kërkesa amerikane për pezullim të Kosovës nuk duhet të shihet si kapitullim para Serbisë, por si hap që mundëson nisjen e një dialogu të udhëhequr nga partneri më i qëndrueshëm i Kosovës, SHBA-ja”, ka nënvizuar Ramadani./ZERI