'Frankfurter Rundschau': Është arritur marrëveshje për ndryshim të kufijve në Kosovë

'Frankfurter Rundschau': Është arritur marrëveshje për ndryshim të kufijve në Kosovë

Aktuale shkurt 22, 2019 - 15:32
Lajmet e fundit nga vendi1

BE-ja dhe SHBA-të janë të gatshme të pranojnë këmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe më 12 qershor, në Uashington pritet të nënshkruhet marrëveshja rreth ndryshimit të kufijve, e cila do të hynte në fuqi gjashtë muaj më vonë, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”, përcjell "Zëri.info". 

Kjo gazetë në komentin e Adelhajd Velfël, shkruan se po rritet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë që të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo edhe paraqet rrezik për ndryshimet e kufijve në Ballkan.

Sipas kësaj gazete, ideja e ndarjes së Kosovës është e vjetër, por për Perëndimin deri kohë më parë ndryshimi i kufijve ka qenë i papranueshëm, pasi kjo do të binte ndesh me kushtetutën e Kosovës, planin e Marti Ahtisarit dhe konkluzionet e Grupit të Kontaktit të arritura para fillimit të bisedimeve në vitin 2006.

Duke vënë në dukje se kjo  ndoshta në Bruksel  më nuk dëgjohet, në koment thuhet se që nga gushti i vitit 2018, edhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-s Federica Mogherini,  bien dakord për tërheqjen e kufijve etnikë, dhe se administrata amerikane nën presidentin Donald Trump bëri një kthesë prej 180 gradësh.

“Kohë më parë rrodhi një dokument që përmban një plan të ndarjes së Kosovës. Në 17 pika bëhet fjalë për tërheqjen e kufijve të rinj në mes të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës dhe për bashkim me Kosovën të disa vendbanimeve kryesisht me shqiptarë në Serbi”, shkruan kjo gazetë, përcjell "Zëri.info". 

Sipas gazetës, qyteti i Mitrovicës do të ketë status special, ndërsa për furnizim  me ujë liqeni i rëndësishëm Gazivoda dhe Miniera e Trepçës do të privatizohen për 99 vjet dhe të ndaheshin mes anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.një pjesë e idesë është që në portin shqiptarë të Vlorës, të ndërtohet baza detare e NATO-s, në qytetin shqiptar Kuçovë, Baza Ajrore, ndërsa autostrada nëpër Serbi, e ashtuquajtur korridori i dhjetë, të vendoset nën mbrojtje ndërkombëtare. “Kështu, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë pritet të nënshkruhet më 12 qershor në Uashington dhe të hyjë në fuqi gjashtë muaj më vonë”, shkruan gazeta.

"Nëse ka diçka në dokumentin që ka rrjedhë, atëherë shqetësimi në rritje i serbëve në jug të Kosovës është i justifikuar. Ata kanë frikë se do të qëndrojnë përgjithmonë të ndarë nga Serbia", shkruan gazeta, duke cituar një deklaratë të politikanes serbe Rada Trajkoviç, se serbët nga enklavat do të largohen nga Kosova dhe se manastiret serbe do të bëhen muze në Kosovë, përcjell më tutje "Zëri.info". 

Ndryshe nga Rada Trajkoviq, e cila u bën thirrje edhe shqiptarëve në Kosovë, që të sinjalizojnë se ata janë kundër shkëmbimit të territoreve sipas kritereve etnike dhe të demonstrojnë se bashkëjetesa është e mundur, për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, "marrëveshja me Kosovën është një projekt qendror, pasi kjo është mënyra që bashkësia ndërkombëtare të bashkëpunojë me të dhe të mbetet në pushtet”, vlerëson gazeta gjermane. /ZERI