Nice: Raporti i Dick Martyt është i dëmshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj

Nice: Raporti i Dick Martyt është i dëmshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj

Aktuale shkurt 21, 2019 - 21:50
Lajmet e fundit nga vendi!

Ish prokurori i Tribunalit të Hagës dhe avokati Geoffrey Nice, ka thënë se raporti i Dick Martyt është shumë dëmtues për Kosovën dhe qytetarët e saj pasi që krijon përshtypje të hidhur tek lexuesit.

Ai këto komente i ka bërë në emisionin Zona e Debatit duke shtuar se ka ardhur koha që prokurori i Gjykatës Speciale të dalë qartazi dhe të thotë se nuk ka dëshmi se në Kosovë ka pasur nxjerrje organesh.

“Ndoshta Gjykata Speciale po i shërben qëllimit të rishkrimit të historisë. Unë jam një jurist i jashtëm i cili fatkeqësisht nuk e flet gjuhën dhe kam këto limitime pasi që shoh vetëm ato që më vendosen përpara”.

“Kur jam njoftuar për dyshimet për marrje organesh nga një revistë e cila shkruante për një raport dhe për një dëshmitar të cilit Serbia i referohej si K 144, mu ka dukur plotësisht një shkrim i shpifur”.

“Kam hyrë në këtë proces nga pozita e neutralitetit dhe pastaj kam filluar të punoj me njerëz këtu në Kosovë. Pika ime fillestare ke qenë si një person neutral dhe kam menduar se çfarë nuk shkon me këtë”.

“Në periudhën sa kam lexuar të gjithë këtë material si një jurist i jashtëm i cili nuk i bashkëngjitet asnjë ane, më ka rënë në mend se raporti është shumë dëmtues për vendin tuaj dhe për qytetarët tuaj si dhe liderët e shtetit tuaj sepse iu krijon një përshtypje të hidhur atyre që e lexojnë këtë raport”.

“Si një vështrues i jashtëm mendoj se ka ardhur koha për prokurorin e kësaj gjykatë z. Smith që të njohë dëmin të cilin i ka bërë popullit tuaj dhe të dalë qartazi dhe të thotë se ne nuk kemi dëshmi të tilla dhe se askush nuk do të akuzohet për këtë krim”.

“Ndoshta e kam gabim, ndoshta ka dëshmi, ndoshta edhe do të ketë gjykata të cilat do të marrin dëshmi të cilat janë të vlefshme, por deri tani nuk ka dëshmi”.

“Kemi dëgjuar rishtazi për individë të cilat janë ftuar në Hagë si të dyshuar të cilët janë intervistuar dhe unë po ju them vetëm atë çfarë lexoj. Asnjë nga ata nuk e ka të ngritur aktakuzën për marrjen e organeve. Duke e ditur se zyra e tyre ka për detyrë që t’i ngritë aktakuzat dhe nëse dihet se ky narrativ dyshues është i zbrazët atëherë ju duhet të bëni diçka”. /Klankosova