4 të vdekur nga gripi i derrave

Aktuale February 20, 2019 - 08:10
Lexo detajet!
Image

Gripi sezonal dhe ai A H1N1, i cili në vend njihet edhe si gripi i derrave, po vazhdojnë të jenë të përhapura në vend. Statistikat e fundit të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë tregojnë se deri më tani 6 persona kanë vdekur prej gripit, ku 4 prej tyre kanë qenë të prekur me gripin A H1N1. Drejtorë të spitaleve regjionale në vend kanë thënë për gazetën se kohëve të fundit është shtuar numri i pacientëve me grip, të cilët kanë kërkuar trajtim nëpër spitale, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Gjashtë pacientë të prekur me grip në Kosovë, 4 prej tyre nga ai A H1N1 dhe dy me influencën A (Virus, shkaktari më i shpeshtë i gripit), kanë vdekur që nga data 1 tetor e vitit të kaluar e deri më tani, derisa mijëra persona të tjerë po vazhdojnë të jenë të prekur me grip, konkretisht me atë sezonal.

LEXO EDHE: Mbi 40 asamblistë presin zhbllokimin e KQZ-së

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur se për më pak se 5 muaj janë raportuar mbi 26 mijë raste të dyshimta me grip, si dhe mbi 4 mijë raste me infeksione.

“Nga 1 tetori në Institutin Kombëtar janë raportuar gjithsej 26.822 raste të dyshimta në grip, 4.434 raste me infeksion respirator akut dhe 34 raste me infeksion të rëndë respirator akut. Në laboratorët e qendrës kombëtare të gripit - IKSHPK deri më 15 shkurt 2019 janë testuar gjithsej 480 mostra të dyshimta në grip, prej tyre 141 raste rezultojnë pozitive në Influencën Tip A. Pra në qarkullim gjendet virusi i Gripit A, prej të cilave 62 mostra rezultojnë pozitive në AH1pdm09”, kanë bërë të ditur zyrtarë nga ky institut ditë më parë.

Dy nga personat, të cilët kanë qenë të prekur me grip dhe kanë ndërruar jetë, i kanë takuar komunës së Gjilanit.

Masa për mbrojtjen e pacientëve nga gripi

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë për “Zërin” se këta dy pacientë kanë qenë të prekur me gripin sezonal, derisa është shprehur se ende nuk ka marrë ndonjë konfirmim nëse në këtë spital është ndonjë pacient i cili është i prekur me gripin e derrit. Hajrullahu ka thënë se gripi i derrit tashmë është i përhapur në vend.

“Dy raste që i kanë takuar komunës së Gjilanit kanë vdekur nga gripi sezonal. Raste të tjera të prekura me grip, të cilët edhe kanë vdekur nuk kemi deri më tani. Ndoshta prej komunave tjera ka, por te ne nuk ka tjera raste. Ende nuk kemi konfirmim edhe nëse dikush është i prekur me gripin e derrit. Gripi tashmë është i përhapur në vend”, ka thënë ai më tej.

Derisa janë raportuar raste të pacientëve të prekur me gripa të ndryshëm, ku hyn edhe ai i derrit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë vazhdimisht ka thënë rekomandime se si të mbrohen qytetarët nga këta gripa.

“Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës tërheqin vërejtjen se virusi A H1N1 bën pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm duke dhënë rekomandime të duhura profesionale, që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambiente të ftohta, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina. Instituti Kombëtar u ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gripit sezonal”, është thënë nga zyrtarë të këtij instituti.

Në anën tjetër, tashmë edhe drejtorë të spitaleve regjionale kanë marrë masa për mbrojtjen e pacientëve nga gripi.

Numër i shtuar i pacientëve të prekur me grip sezonal në Spitalin e Gjakovës

Përveç Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pacientë të prekur me grip, konkretisht atë sezonal, janë paraqitur edhe në spitalet regjionale në vend.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Ahmet Asllani, ka thënë për “Zërin” se është shtuar numri i pacientëve të prekur me grip sezonal, të cilët janë lajmëruar në këtë spital.

Sipas tij, numër më i shtuar i pacientëve të prekur me grip është vërejtur në Repartin e Pediatrisë në këtë spital.

“Pacientë me grip sezonal kemi pasur kohë pas kohe. Është shtuar numri i pacientëve, sidomos në Repartin e Pediatrisë, si dhe i të sëmurëve me sëmundje kronike, në Repartin e Internos dhe të Pulmologjisë. Nja tre-katër raste prej gripit sezonal janë hospitalizuar dhe nga një ditë kanë marrë infuzion në infektivë si dhe dy-tre raste në Pediatri, për shkak të temperaturës. Në ambulantë specialistike janë trajtuar zakonisht pacientët me sëmundje kronike. Mirëpo, si po alarmojnë disa spitale tjera, te ne nuk është ajo gjendje”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se asnjë rast që është paraqitur në këtë spital nuk ka qenë në rrezik për jetë, derisa ka treguar se të gjitha rastet kanë marrë shërbimet e nevojshme shëndetësore në spital.

Asllani ka thënë për gazetën se tashmë ata kanë marrë edhe masa parandaluese në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i pacientëve nga gripi.

“Ne kemi marrë masat parandaluese. Kemi vendosur fletushkat në hyrje të spitalit, i kemi ndaluar vizitat e civilëve, vizitat e panevojshme, i kemi rritur masat e sigurisë me maska, punëtorët shëndetësorë me dorëza e dezinfektues”, ka thënë ai më tej.