Kadaj - Mogherinit: Marrëveshja Kosovë-Serbi s’mund të të shërbejë për ngritje në karrierë

Aktuale February 19, 2019 - 14:48
Lexo Detajet

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj i ka thënë se marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt.

Kadaj-Bujupi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kosova është për dialog, por për dialog të mirëfilltë dhe përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin tonë.

Më poshtë postimi i plotë i Donika Kadaj:

Marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt. Aq më pak e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerinit, e cila po kërkon që politika e jashtme e Kosovës të drejtohet me parimin e nënshtrimit ndaj kushteve të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit.

Imponimet dhe shantazhet (edhe ato të llojit: kompromise të dhimbshme me Serbinë për liberalizimin e vizave) nuk janë frymë dhe vlerë e Bashkimit Evropian. As ndërmjetësimet me pikëpamje të paracaktuara, siç është “parti pris”-i.

Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë. Përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e Republikës sonë.