Vazhdojnë kundërshtimet për mosakreditim të disa programeve në UP

Aktuale February 19, 2019 - 09:47
Lexo Detajet

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të hequr akreditimet për 40 programe në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2019/2020, me arsyetimin se nuk i kanë plotësuar as kriteret që duhet t’i ketë një drejtim universitar, vazhdon të kundërshtohet nga zyrtarë të Universitetit të Prishtinës.

Ata thonë se vlerësimi për tërheqjen e akreditimeve është dashur të bëhet nga ekspertë të jashtëm, sepse këshilli nuk ka të drejtë të vlerësojë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka marrë vendim për mos akreditimin e dyzet për qind të programeve në universitetet publike. Si pasojë e mungesës së përmbushjes së kriterit që një program studimi të ketë tre doktorë shkence në fushat adekuate të studimit.

Prorektori i Universitetit të Prishtinës ”Hasan Prishtina”, Dashamir Bërxulli, tha për Radio Kosovën se udhëzimi administrativ kërkon profesorë doktorë në programe të caktuara. Por Këshilli Shtetëror i Cilësisë nuk ka të drejtë të bëjë ketë vlerësim, pasi që udhëzimi i jep të drejtë ekspertëve të jashtëm ta bëjnë vlerësimin, tha Bërxulli.

“Ne mendojmë që Udhëzimi Administrativ kërkon njerëz të fushës, por udhëzimi nuk ia jep këtë të drejtë Këshillit Shtetëror i Cilësisë të vlerësojë, por i jep të drejtë ekspertëve të jashtëm. Dhe nëse ka ndonjë rast ku Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka gabuar ose do të gabojë në raport me vlerësimin e profileve, kjo legjitimon procesin që nuk duhet të tërhiqen akreditimet pa u konsultuar ekspertiza e jashtme”

Bërxulli po ashtu theksoi se kanë filluar konsultimet brenda universitetit për të parë cilat janë mundësitë që do të ndryshojnë vendimet me anë të komisionit të ankesave dhe komunikimit me agjencinë.

“Ne kemi filluar konsultimet e brendshme, Zyra për zhvillimin akademik, dekanët, koordinatorët e fushave përkatëse të cilat janë prekur nga këto vendime. Këto konsultime kanë për qëllim për të parë cilat janë mundësitë tona për të ndryshuar vendimet me anë të komisionit të ankesave dhe me anë të komunikimit gjatë këtyre tridhjetë ditëve me Agjencinë e Akreditimit”

Ndërsa, njohësi i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci, i tha Radio Kosovës se universitetet duhet t’i drejtohen Komisionit për Ankesa. Kërkesa e bërë nga ana e rektoreve për shkarkimin e ministrit të Arsimit dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë nuk është rruga e duhur, sepse kjo është ndërhyrje në punët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, tha Pupovci.

“Universitetet duhet t’i drejtohen Komisionit për Ankesa, dhe nëse ka pasur shkelje të ligjeve, me siguri komisioni do ta kthejë lëndën në rishqyrtim. Mirëpo këtu është zgjedhur një rrugë tjetër, kërkesa e rektoreve që të shkarkohet Këshilli Shtetëror i Cilësisë dhe ministri i Arsimit. Mendoj që kjo nuk është një rrugë e duhur, sepse në një mënyrë po bëhet ftesë për ndërhyrje në punët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë”.

E kryetari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Gazmend Luboteni, në një përgjigjeje për Radio Kosovën, tha se universitetet publike janë duke i pranuar vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe ende nuk është pranuar as një ankesë në Komisionin për Ankesa.

Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, neni 21, përkufizon marrjen e procedurës se akreditimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Akreditimit vetëm pas një raporti vlerësues të ekipit të eksperteve të jashtëm, gjë që nuk ka ndodhur me rastin e vendimit të fundit për universitetet publike.