Qytetarët në “luftë” me qentë endacakë

Aktuale February 19, 2019 - 08:19
Lexo Detajet

Autor: Fjolla Gjinovci

Rritja enorme e qenve endacakë nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe nëpër rrugët e qyteteve të tjera të Kosovës po paraqet rrezik serioz për jetën e qytetarëve, shkruan gazeta "Zëri".

Qytetarët e kryeqytetit, por edhe ata që jetojnë nëpër qytete të tjera të Kosovës vazhdojnë të jenë të shqetësuar për numrin e rritjes së qenve endacakë. Qytetarja Mirela Berisha ka thënë për gazetën “Zëri” se ndihet e frikësuar kur kalon rrugës në mëngjes dhe nuk ka njerëz. “Fatmirësisht nuk më kanë sulmuar asnjëherë, por normal që jam e frikësuar, sidomos kur po ka raste gjatë ditës ose në mëngjes herët kur nuk po ka shumë njerëz”, tha ajo.

LEXO EDHE: Historia e harruar e maternitetit “Nënë Tereza”

Po ashtu i shqetësuar rreth numrit të madh të qenve endacakë është edhe qytetari tjetër Lirim Xhimi, i cili ia kishte shpëtuar jetën një vajze një natë më parë. “Jemi të frikësuar prej qenve endacakë, sidomos në kohën e natës kur ta frekuentojmë këtë rrugë ka shumë qenë endacakë edhe vazhdimisht vërsulen drejt njerëzve. Para nja dy netëve ka ndodhur, e kam parë vetë që e kanë sulmuar një vajzë këtu përballë Katedrales dhe me ndihmën time e të disa vetëve kemi arritur ta mënjanojmë nga më e keqja”, tha ai.

Thaçi: Jemi në hartim të projektit

Zyrtari për informim nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) Lamir Thaçi në një intervistë për “Zërin” ka thënë se janë në fazën e hartimit të projektit, por po presin ndarjen buxhetore nga Qeveria dhe pas kësaj do të fillojnë kontraktimin sipas praktikave veterinare. “Ne tani jemi në fazën e hartimit të projektit dhe po presim ndarjen buxhetore nga Qeveria. Si autoritet kemi për obligim t’ju dërgojmë planin, ta dërgojmë idenë, ta arsyetojmë atë dhe ne presim momentin e parë që këto mjete të na ndahen e ne menjëherë do të fillojmë kontraktimin e praktikave veterinare dhe do të dalim në terren gjithmonë duke identifikuar pikat, të cilat janë më kyçe, më të rëndësishme, për trajtim që paraqesin rrezik për atakim fizik, por edhe të cilët eventualisht mund të kenë ndonjë sëmundje infektive. Të gjitha trajtimet do të kryhen nga veterinerë profesionistë dhe do të kryhen shërbimet të cilat janë të rregulluara me ligj dhe me Rregulloren në fuqi”, tha ai për gazetën “Zëri”.  

Ndërsa për strehimoret e qenve endacakë Thaçi tha se është kompetencë e Komunës dhe mënyra më e mirë për parandalimin e kësaj problematike është strehimi i qenve, vaksinimi dhe kastrimi. “Ne si Agjenci i kemi nxjerrë aktet ligjore, kemi nxjerrë edhe Rregullore për Strehimoret. Është kompetencë ekskluzive e komunave, ndërkaq mënyra më e mirë për ndalimin e kësaj problematike është strehimi i qenve, vaksinimi dhe kastrimi” shtoi ai.

Gusia: Projekti nuk është menaxhuar mirë

Driton Gusia, kryetar i organizatës “Të bashkuar për kafshët”, tha për gazetën “Zëri” se institucionet shtetërore dhe Komuna nuk janë aq serioze në punën e tyre. “Institucionet shtetërore si AUV-ja në bashkëpunim me komunat duhet të punojnë shumë më seriozisht në zbatimin e rregulloreve për kushtet teknike në realizimin e sterilizimeve dhe të vaksinimeve, sepse deri më tani projekti nuk është menaxhuar aspak mirë, kanë lënë hapësira për keqpërdorime të tenderëve, mungesë transparence, mungesë monitorimi të mirëfilltë, sanksione tepër të lehta për skandale të pafalshme nga veterinarët e kontraktuar”, u shpreh ai. Gusia gjithashtu ka treguar se cila është metoda më efikase për trajtimin e këtij problemi. “Metoda më efikase për trajtimin e këtij problemi është kapja e qenve, sterilizimi, vaksinimi dhe lëshimi ku janë marrë nëse qentë janë paqësorë dhe të sigurt për rrethin”. Ai gjithashtu tregoi mënyrën si të mbrohemi nga qentë endacakë dhe pse ata janë agresivë. “Shanset për t’u sulmuar nga qeni rriten nëse ne bëjmë lëvizje të shpejta ose ikim në panik. Në shumicën e rasteve qeni vetëm leh nga frika ose vetëm po sinjalizon territorin, mirëpo ndjekin dhe mund të kafshojnë kur njeriu është në disavantazh dhe tregon dobësi, pra kur ik. Është më së miri ta shpërfillim, po nëse afrohet deri në dy ose një metër afërsi atëherë ose ngrihu, ose më sigurt pretendo se je më i fuqishëm, hapu për t’u dukur më i madh e kërcëno sikur ke guri, ose zhvendosja vëmendjen duke hedhur ndonjë objekt, ose duke përdorur çantë, xhaketë ose çfarëdo që ke afër, thuajse të gjithë qentë endacakë nuk na njohin fuqinë dhe nuk sulmojnë nëse nuk bëjmë panik” potencoi ai./Zeri/