Amerika ia kërkoi Vuçiqit në Munih ekstradimin e kriminelit serb që masakroi në Kosovë

Aktuale February 18, 2019 - 13:48
Lexo detajet!

Kongresmenët amerikanë në takimin e zhvilluar në Mynih me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq kanë kërkuar arrestimin dhe ekstradimin e Goran Radosavljeviq (Gurin), të njohur si ish-udhëheqës policor në Kosovë.

Ndërsa përgjatë takimit të Vuçiq me konkresmenët, këta të fundit i kërkuan atij të hetohet rasti i vrasjes së vëllezërve Bytyçi në vitin 1999 dhe me këtë rast thanë se Radosavljeviq duhet arrestuar dhe ekstraduar.

“Ishte një bisedë shumë e vështirë, gjëja më e vështirë ishte rasti i vëllezërve Bytyçi”, ka thënë Vuçiq, transmeton Gazeta Blic e Beogradit.

Duke iu përgjigjur kërkesë së kongresistëve, Vuçiq u përgjigj shkurt se arrestimi duhet të ketë prova, e jo histori dhe spekulime mediatike.

Kurse në grupin e kongresistëve të cilët patën këtë kërkesë ishte edhe Eliot Engel.

Biseda, rastësisht ose jo, ndodhi pak kohë pas miratimit, në Parlamentin serb, të Marrëveshjes së korrigjuar për ekstradim ndërmjet Serbisë e SHBA-së.

Goran Radosavljeviq ishte në krye të ekspeditave serbe kundër familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, udhëhoqi kriminelët serbë në masakrën e Reçakut dhe disa vite radhazi akuzohej nga amerikanët si urdhërdhënës për vrasjen e vëllezërve Bytyqi./Indeksonline